| E merkure, 02.04.2025, 07:00 PM |
MOHIKANI I FUNDIT
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Shprehja “Mohikani i fundit” shpesh përdoret në
gjuhë të caktuara, sidomos në shtyp. Ky është personi i fundit apo njëri prej
pjesëtarëve të rrallë të mbetur të ndonjë grupi, lëvizjeje, drejtimi etj. Mund
të thuhet se ky është një prej mbrojtësve të fundit të ndonjë ideje apo një prej
përfaqësuesve të fundit të një doktrine. Historia e kësaj shprehjeje është
tejet e çuditshme. U shfaq në jetën reale, madje depërtoi në letërsi, nga
letërsia përsëri iu kthye jetës reale, në praktikën gjuhësore të gjallë.
Shkrimet historike dëshmojnë se mohikanët apo indianët mohikanë dikur kanë qenë një fis
indian tejet i njohur i grupit Algonkin. Në shekullin XVII, në kohën e
kolonizimit holandez, britanik dhe francez të rajoneve të sotme të Kanadasë dhe
të pjesëve veriore të ShBA-së, ende kanë qenë në numër të madh dhe të fuqishëm,
por më vonë ardhacakët e bardhë shkallë-shkallë i larguan prej vatrave
shekullore të tyre, deri në asgjësimin e plotë të tyre. Mohikanët e fundit
vdiqën në një rezervat indianësh në shtetin Konektikat qysh në shekullin XIX.
Fatin e dhimbshëm të fisit të mohikanëve e paraqiti në mënyrë letrare
shkrimtari amerikan Xhejms Fenimor Kuper
(James Fenimor Cuper, 1789-1851) në romanin e vet “Mohikani i fundit” (The Last of the Mohicans) të botuar në vitin
1826. Në të janë përshkruar ditët e fundit të dy udhëheqësve të mohikanëve të
mbetur pa popull – plakut dhe të urtit, të parit të të parëve apo kryeparit
Çingaçuk (Chingachook)
dhe birit të tij shtathedhur dhe trim, Unkasit, i mbiquajtur Dreri i Shkathët.
Duke mbrojtur bashkudhëtaret e rastit – dy vajza, bija të kolonelit britanik
dhe shoqëruesit e tyre – këta indianë të ndershëm i tregojnë të gjitha virtytet
e fisit të vet dhe gjakun e vet fisnik. Në fund, në përleshje me Finokun
Dhelparak, hjuronin i cili kishte luftuar në anën e francezëve, Unkasi i ri
vritet. Ai ishte luftëtari i fundit i mohikanëve. Me vdekjen e tij, fisi i
mohikanëve shuhet.
Pas tij
mbeti vetëm babai plak Çingaçuku i cili shuhet si një rreze e ndezur në
lëndinën e të zbehtëve dhe i kërrusur nga dhimbja, klith: “Fisi im është zhdukur nga brigjet e liqenit të njelmët dhe nga kodrat
e popullit delaver. Unë jam vetë në këtë botë...” Fundin e fisit të vet ai
e kishte parandier shumë më herët. Pyetjes së shokëve se ku janë më të afërmit
e tij, ai i është përgjigjur: “Ku është
behari i viteve të kaluara! Ka rënë, njëri pas tjetrit. Po kështu edhe anëtarët
e familjes sime, për një vajtën në botën e shpirtrave. Tani unë ndodhem në maje
të kodrës, por edhe unë do të duhet të lëshohem në luginë. Kur Unkasi të ecë
pas hapave të mi, atëherë nuk do të ketë më gjak sagamori, të kryeparit, për
arsye se djali im është mohikan i fundit”.
Në romanin e Xhejms
Fenimor Kuperit flitet edhe për arsye e vërteta të shkatërrimit të fisit të
mohikanëve. Lidhur me letë, kryepari plak thotë: “Holandezët zbarkuan në këto brigje dhe i dhanë popullit tim të pijë
ujë të zjarrtë (d.m.th. alkool). Paraardhësit e mi kanë pirë derisa nuk kanë
besuar se midis tyre ka ardhur shpirti i madh...” Pastaj, sikundër dëshmojnë edhe kronikat e
asaj kohe, ua kanë shitur për rum dhe uiski tokat e veta ardhacakëve, derisa
nuk janë detyruar të largohen nga brigjet në kodra, ku janë zhdukur tërësisht.
Pas tyre ka mbetur vetëm legjenda për forcën dhe famën e dikurshme dhe shprehje
e rëndomtë mohikani i fundit, e cila,
siç shihet nga romani i Xhejms Fenimor Kuperit, ka kaluar në të folmen e
ditëpërditshme. Kjo shprehje edhe sot shpesh përdoret, jo vetëm në gjuhën
angleze, ku edhe është shfaqur, por edhe në shumë gjuhë të tjera të botës.
* * *
Mohikan
i fundit është Unkasi, i biri i kryeparit Çingaçuk, udhëheqësit trim dhe bujar
i cili e udhëheq popullin e vet nëpër betejat e luftës koloniale ndërmjet
francezëve dhe anglezëve në viset e shkreta të Amerikës Veriore. Unkasi do të
jetë i fundit i fisit. Kështu profetizon babai i tij i urtë, i cili tanimë i
parandien fatkeqësitë e ardhshme. Bashkë me Syrin e Skifterit, me shoqëruesin e
tyre dhe mikun besnik, Çingaçuku dhe Unkasi do të rrezikojnë çdo gjë që nëpër
pyjet e dendura t’i çojnë në vend të sigurt të dyja vajzat e kolonelit anglez.
Kur fisi mizor i hjuronëve i zë këto dy vajza, Çingaçuku, Unkasi dhe Syri i
Skifterit vendosin t’i shpëtojnë, pavarësisht nga çmimi që do të paguanin.
Në
romanin legjendar të letërsisë amerikane dhe botërore rrëfehet fati tragjik i
indigjenëve të cilët pësojnë nga mësymjet e njeriut të bardhë, lufta e ashpër e
indianëve për mbijetesë, të cilët në tokë të vet jetojnë si mërgimtarë.
Në
përplasjen e dy qytetërimeve, njëri prej të cilëve është i dënuar të zhduket,
njerëz tërësisht të ndryshëm për nga ngjyra e lëkurës bëhen shokë të ngushtë
dhe për drejtësi e paqe janë të gatshëm për çdo sakrificë. Asgjë nuk mund t’i
prishë lidhjet e kësaj miqësie, as frika, as dashuria, as rreziku për jetën.
* * *
Romani
i Xhejms Fenimor Kuperit është një rrëfim klasik për mbijetesën dhe trimërinë
flet për luftën midis dy racave. Kur përcjellësi i fisit të hjuronëve i
dorëzon dy motrat angleze dhe shoqëruesit e tyre, vëzhguesi kolonial dhe grupi
i luftëtarëve të mohikanëve e marrin përsipër detyrimin që t’ia çojnë vajzat në
mënyrë të sigurt babait të tyre, mu në zjarrin e luftës midis francezëve dhe
indianëve.
“Mohikani i fundit” bën pjesë në romanet kult që shtjellojnë temën e indianëve dhe të Perëndimit të egër. Vepra e Kuperit qëndron pranë romanit “Vinetu” (Winnetou, 1893) të autorit gjerman Karl Maj (Karl Friedrich May, 1842-1912) me të cilin krahasohet në aventura, por duke ia kaluar në ngrohtësinë melodramatike.
* * *
Romani “Mohikani
i fundit” (The Last of the Mohicans) i Xhejms Fenimor Kuperit është xhiruar
edhe si film. Veprimi i këtij filmi historik zhvillohet në vitin 1757
gjatë luftës midis francezëve dhe indianëve. Është prodhim i shtëpisë së filmit
Morgan Creek Pictures. Regjisori amerikan Majkëll Man (Michael Mann, 1943- ) e
ka përshtatur veprën e sipërthënë të Kuperit. Filmi korri një sukses komercial
të madh.
Haukej (Hawkeye)
është një anglez të cilin e kanë edukuar mohikanët. Prindërit e tij janë vrarë
nga francezët. Atë e ka gjetur mohikani Çingaçuk (Chingachook) te dy francezë
të cilët kanë qenë gjuetarë kafshësh me gëzofë. Çingaçuku e adopton Haukein dhe
ai me Unkasin (Uncas) bëhet vëlla për nga gjaku. Haukei ka qenë një vëzhgues i
shkëlqyer dhe gjuetar i madh. Në luftë ka përdorur pushkë të gjatë të cilën e
ka quajtur Vrasës të drerëve. Në luftën që kishte shpërthyer, indianët
bashkë me Haukein nisen për në perëndim kah Can-tuck-ee. Rrugës takojnë një major anglez dhe dy zonja të
cilët kishin rënë në kurthe të kurdisur nga Mague, i cili ka qenë një prej
luftëtarëve më të mirë të hjuronëve. Haukei i përcjell anglezët deri në
kështjellën For Uilliam Henri (Fort Willima Henry) ku atë e burgosin për shkak
të rebelimit. Kur anglezët kapitullojnë dhe kështjellën ia dorëzojnë
francezëve, Haukei bëhet i burgosur i francezëve.