| E diele, 30.03.2025, 08:11 PM |
LAVDIA DHE TRAGJIKA E AKTERËVE TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
-Theksime
nga fjala në Akademinë përkujtimore në Gjakovë me rastin e 100 vjetorit të
vrsjes së Bajram Currit
Nga
Jusuf Buxhovi
Pavarësia
e Shqipërisë, akterëve të saj kryesor, u fali lavdi të përhershme, por një pjese të tyre edhe tragjedi.
Pse
ndodhi kjo, që shumë prej atyre që udhëhoqën kryenengritjet e pranverës dhe verës së vitit 1912 në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë
në Vlorë më 28 11 1912 dhe në vitet në vijim, gjatë dhe pas konsolidimit të
shtetit shqiptar, midis dy luftërave botërore, shumë prej tyre si: Luigj
Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, u vranë mes veti ose në
atentate të përgatitura kundër njëri-tjetrit me anatemën e
"tradhëtarëve"?
Shkurtimisht
arsyet duhet kërkuar:
-Së
pari - te vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që në gusht të
vitit 1913 njohi pavarësinë e Shqipërisë të përgjysmuar, me ç’rast qendra e saj
politike: Kosova dhe pjesë të tjera të
Maqedonisë dhe të vilajetit të Janinës, iu njohën Serbisë, Malit të Zi dhe
Greqisë. Me çka u rrënua projekti i shtetit etnik shqiptar;
-Së
dyti – te logjia e shtetit, së cilës shteti shqiptar, u desh t'i nënshtrohet
pas Konferencës së Paqes së Parisit dhe pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e
Kombeve, që atë e detyronte të ratifikonte konventat shtetërore me Greqinë dhe
Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene në vitin 1925. Me këto konventa, ku
përcaktoheshin edhe kufinjt shtetëror, asokohe, Shqipëria nën kryeministrin
Ahmet Zogu, pos tjerash, ishte e detyruar që të luftonte lëvizjen iredentiste
përbrenda Shqipërisë që drejtohej nga liderët e Kosovës të përfshirë në
Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës të themeluar në Shkodër në qershor 1918, e ku
vepronin personalitete të njohura të merituar për pavarësinë e Shqipërisë siç
ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani e të tjerë. Po ashtu, sipas
këtyre konventave ndërshtetërore, shteti shqiptar ishte i detyruar që mos të
përkrahte kurrëfarë lëvizje iredentiste jashtë kufinjve shtetëror (Kosovë dhe
Maqedoni).
Këto
qëndrime, patën pasoja të rënda dhe
tragjike për forcat iredentiste brenda shtetit shqiptar në Veri (Krumë, Tropojë
dhe Malësi të Gjakovës), siç patën pasoja edhe për lëvizjen kaçake në Kosovë,
të udhëhequr nga Azem Bejta e të tjerë, që brenda një kohe të shkurtër u shua
dhunshëm nga Beogradi.
Në
këto rrethana, gjithnjë në përputhje me logjikën e shtetit, lëvizja iredentiste
në Shqipëri, e përfshirë në ngjarjet e vitit qershor-dhjetor 1924, që quhen
revolucion demokratik dhe në tjetrën anë puç ndaj shtetit shqiptar, e që
historiografia shqiptare ende nuk ua ka përcaktuar vendin sa nga shkaku i
diktatit ideologjik e sa nga konfuzioni për t’u liruar prej tij në përputhje me
të vërtetën, u desh të sakrifikohet për
hire të shtetit shqiptar. Bashkëluftëtarët e deridjeshëm, që morën pjesë në
luftërat për pavarësinë e Shqipërisë dhe në shumë sosh për konsolidimin e saj
midis viteve 1914-1922, ndër ta më të dalluarit: Ahmet Zogu dhe Bajram
Curri, u gjenden në taborë të kundërta.
Konferenca e Londrës dhe ajo e Paqes e Parisit, në përputhje me interesat e
Fuqive të Mëdha, ua përcaktoi këtë fat
tragjik.
Vrasja
apo vetëvrasja e Bajram Currit (krejt
një), ajo e Hasan Prishtinës dhe të tjerëve, pa ua hequr meritat e mëdha për
pavarësinë e Shqipërisë, duhet parë në
këtë prizëm dhe në këto korniza politike.
Sot,
pas 100 vjetësh, kur përkujtojmë vrasjen e Bajram Currit, si dhe ngjarjet që i
paraprinë asaj, gjithësesi duhet të kihen
parasysh faktorët e mësipërm, që akter e pavarësisë së Shqipërisë dhe të
zhvillimeve të saj në rrugën e konsolidimit të saj si shtet, nga lavdia e
devotshme dhe oreoli historik i saj, i
ktheu në figura tragjike, në kundërshtarë politikë, që ia kthyen pushkën
njëri-tjetrit!
Ky
është fati i popujve të vegjël, që varen nga koniunkturat e sferave të
intetesit, e që sjellja në kuadër të tyre, kërkon përgjegjshmëri dhe opsione në përputhje me të
mundshmën, në mënyrë që të mos mbesin kurdoherë si figura në tabelën
gjeopolitike të shahut...