| E shtune, 29.03.2025, 12:57 PM |
KUSH FAL NJË LIBËR, FAL PJESË NGA TRUPI TIJ
Nga Bashkim
Saliasi
Mu duk e udhës ta përshkruaj fillin
e mbresave të mia me titullin: "Kush fal një libër, fal pjesë nga shpirti
tij", të mbetura në kujtesë nga takimi midis miqsh Viron Kona, Kadri
Tarelli e Sejdo Harka.
Zakonisht
e shtuna mbledh miqtë na takime, sikundër ndodhi edhe me mua e miqtë e mi atë
ditë. Pasi mbarova një punë në "Tiranë të re", thirra mikun Viron
Kona në telefon dhe pas përshëndetjes e pyeta në se kishte kohë të pinim një
kafe së bashku.
-Bashkim,
- më drejtohet Vironi, - unë tani jam me disa miq. Pak më vonë do të të njoftoj
vet se ku do takohemi.
Nuk
kaloi shumë kohë dhe miku im më ftoi që të takoheshim te "Bar Opera".
-Eja,
Bashkim, se jam bashkë me Kadri Tarellin, - më tha ai. U ulëm në "Bar
Opera" dhe, pas përshëndetjes së zakonshme ia nisëm bisedës si dhe herë të
tjera. Kemi vite që njihemi dhe, kuptohet, kemi edhe shumë për t`i treguar
njëri-tjetrit. Kadriu, midis të tjerash na tregoi për përurimin e librit të tij
"Misionarë të dijes", botuar vitin e kaluar. Me thjeshtësinë e
çiltërsinë e tij, disi i skuqur në fytyrë, Kadriu na tha me humor:
-
"Doni më për Belulin". Batuta e njohur dhe e bukur ndryshoj disi
natyrën e bisedës dhe të tre vijuam bisedën për krijimtarinë. Me thënë të
drejtën u ndjeva "fajtor" teksa dëgjoja miqtë e mi, që diskutonin për
tematikat e përshkruara nga Kadriu në librin "Misionar në rrugën e
dijes". Atë libër, Kadriu ma kishte dhuruar pothuajse ndër të parët, por
unë nuk kisha gjetur kohën e duhur për të lexuar dhe thënë mendimin tim. Në një
çast, Kadriu midis miqve përmendi edhe emrin e Sejdo Harkës, të cilit nuk
kishte patur mundësi t'i dhuronte librin e tij. Vironi e thirri në telefon
Sejdon dhe ai pas pak minutash u gjend midis nesh.
Burrë
fisnik dhe fjalë pak Sejdoja, mori në dorë librin, një dhuratë e bukur për
ditëlindjen e tij nga miku Kadri Tarelli.
-Urime,
shumë urime Kadri dhe na dhurofshë sa më shumë libra të tillë! - uroj Sejdoja.
-Eja
dhe ti Kadri nesër. Ne, një grup shokësh, do të mblidhemi nesër dhe do ta
festojmë ditëlindjen e Sejdos me nga një gotë verë, - vazhdoi bisedën Vironi.
U
ngritëm dhe dolëm në hollë.
-Po
të përcjellim Kadri, unë dhe Bashkimi, deri te treni,- tha Vironi duke
dalë.
Takuam
edhe një mik tjetër, Bardhyl Dake, edhe ai mësues, dhe, bashkërisht, nisëm të
lëvizim duke biseduarën drejtim të stacionit të trenit.
-E
di Kadri, - i thashë Kadriut, -u gëzova shumë që u takuam. - Si po e kalon
kohën në pension?
Kadriu
bëri buzën në gaz!
-Unë
nuk jam tip që e kaloi kohën duke luajtur domino, por jam në aktivitet, lexoj,
shkruaj...sa për librin, një pjesë të mirë e kam falur te shokët e miqtë.
-
Kush fal një libër, fal pjesë nga shpirti tij!- thashë. Disa çaste ecëm të
menduar,pastaj biseda u ndez përsëri. U ndava me mikun fisnik nga qyteti
bregdetar Kadri Tarelli dhe mora rrugën për në shtëpi. Mendoja për librin e
Kadriut dhe shkrimi për atë libër kishte nisur të përvijohej në kokën time.
Gjithkush, pasi lexon një libër ka gjithmonë diçka për t'u thënë të tjerëve.
Në
shtëpi i tregova shkurtimisht sime shoqe mbresat e takimit me miqtë e mi dhe
mendimet që kisha për shkrimin për librin e mikut tim të mirë dhe aq dashur.
Duhej ta shkruaja dhe ta botoja shkrimin, jo se isha prapa të tjerëve, por
sepse ndjeja më shumë detyrim të shkruaja për atë libër. Kadriu e kishte
shkruar atë libër për mësuesit misionarë të dijes, por, edhe për mua, edhe për
time shoqe që është mësuese, edhe për ata mijëra e mijëra mësues të nderuar dhe
të respektuar sot në Shqipëri.
"Arsimi
është fortesa e lirisë, arma e demokracisë, shpresa e rinisë, mburrja e
djalmërisë dhe gëzimi i shekullit. Me fat janë kombet që e mirëpresin".
Henry Van Duke.
Nuk
dua të shuaj kureshtjen e lexuesit, por vepra që miku im Kadri Tarelli më
dhuroi është një thesar që i përshtatet titullit për njerëzit që lexojnë e
shkruajnë, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse misionar që përhapin dije dhe
rritin kulturën mbarë-popullore.
Libri
lexohet me ëndje, të ngjall mbresa dhe kujtime për atë punë të palodhshme që
është bërë për emancipimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, të cilën
autori e përshkruan aq bukur sa vet jeta e përditshme.
Tarelli
i sjell lexuesit një vepër të mirëfilltë shkencore, një përvojë të fituar ndër
vite udhë-rrëfyse jo vetëm për brezin e ri pa përvojë, por edhe për ne shokët e
miqtë e tij që zotërojmë përvojën e viteve në arsim. Në labirintet e këtij
libri me anë të kapitujve do gjeni shkrime editorial, portrete, reportazhe,
opinione, reçenca, shkrime letrare dhe shkrime historike.
Në
parathënien e librit shkrimtari Viron Kona shkruan:
"Mjafton të kalosh me një vështrim titujt e
kapitujve dhe shkrimeve të këtij libri dhe do të bindesh për aftësinë dhe
kulturën e gjerë të të shkruarit të z. Tarelli, seriozitetin dhe peshën e
fjalës shqipe, mendimit të shprehur bukur dhe tërheqës, fabulës që të bën
kureshtar për të mësuar me padurim zhvillimin dhe përfundimin e shkrimit".
Libri
publicistikë i botuar nga Kadri Tarelli është një margaritar në rrugën e dijes,
një përvojë e mirë për ata që nisin rrugën e shkrimeve, një eksperiencë shumë e
mirë për njerëzit që drejtojnë dhe një vepër që të çlodhë dhe të sjell kënaqësi.
"Libri
mpreh mendjen dhe zbut shpirtin"! -shkruan Sokol Demaku në librin e tij
"Edhe filozofia e jetës e ka kuptimin e saj". Kjo thënie e mençur e
Sokolit ka shumë vlera dhe për veprën e Tarellit, i cili vjen para lexuesit
dashamirës, i sinqertë dhe u dhuron pjesë nga shpirti tij me një penë të hollë
dhe të mprehur mirë. Kadri Tarelli është marrë me gazetari duke botuar rreth
230 shkrime në disa organe të shtypit qendror dhe lokal, brenda dhe jashtë
vendit. Tematika e tij është e larmishme. Dominojnë artikujt kushtuar
arsimit. Nuk mungojnë portretet, reportazhet dhe shkrimet me karakter
historik, studimor, letrar, etj.
Mendoj
se libri është kontribut i mbështetur në studime dhe shfrytëzimin e përvojës
tejet të pasur të z Tarelli, i cili e përmbledh në këtë vepër artistike, një
thesar që i shtohet bibliotekës së gjithkujt që lexon dhe mëson vazhdimisht.
Hidhni
sytë dhe lexoni Kadriun se do gjeni veten tuaj.
Të
uroj jetë të gjatë dhe na dhurofsh sa më shumë vepra, përvojë të jetës, miku im
Kadri Tarelli. Urime, veç urime!
Me
respekt Bashkim Saliasi
më
26.03/2025