Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Salihu: Selam aleykum!

| E premte, 28.03.2025, 08:00 PM |


SELAM ALEYKUM!

Nga Sylejman Salihu

Ndodhi disa vjet më parë. Në një provim të gjuhës shqipe, një nxënës nga Shkodra iu drejtua mësuesve të komisionit provues me fjalët përshëndetëse: "Selam aleykum!" Mësuesit u shtangën. E habitshme dhe e neveritshme ishte vetë kjo paraqitje. E çuditshme dhe madje e frikshme. Një përshëndetje me këtë formulë arabe apo kuranore tregonte se në kokën e nxënësit ishte hapur një faqe krejtësisht e huaj, e moçme, mesjetare, ndërkohë që po mbyllej një faqe tjetër, ajo që në fakt ishte e tij që nga lindja.

Mësuesit e shikuan nxënësin të habitur dhe pastaj shikuan njëri-tjetrin, duke u çuditur se çfarë po ndodhte në një provim të gjuhës shqipe, në komunikimin midis një nxënësi shqiptar shkodran dhe mësuesve shqiptarë. Vërtet, çfarë është kjo gjuhë komunikimi dhe çfarë janë këto formula përshëndetëse? Pyesim të gjithë ne! Deri aty ka shkuar puna, sa i riu ynë ka braktisur përshëndetjen mijëravjeçare "Tungjatëjeta", e cila është më e vjetër se vetë "Kurani" e "Bibla". Kjo fjalë të mbush me jetë, të uron jetëgjatësi, të dëshiron shëndet dhe gjënë më të shtrenjtë që mund të dojë njeriu: jetën, sa më të gjatë e sa më të lumtur.

Por jo! Djaloshi shkodran, paksa edhe me arrogancën e adoleshentit dhe fodullëkun e tij, nuk ndjeu asnjë vrarje ndërgjegjeje. Po ku filloi dhe ku zuri fill ky "fjalor i ri" i të riut adoleshent? Doemos, është familja ajo që e ka çuar fëmijën në një gabim të tillë flagrant dhe zhbërës të identitetit të tij. Por është edhe shkolla dhe mësuesi që e kanë toleruar këtë dukuri. Fjala e nxënësit adoleshent nuk ishte e qëllimshme në thelb, por ishte kulturë komunikimi familjar dhe shkollor e rrethit ku ai ishte rritur dhe zhvilluar. Dhe ku ndodhi kjo? Në Shkodrën loce! Në vendin e mbretërve e mbretëreshave ilire. Në vendin e flijimit dhe heroizmit shqiptar për mbijetesë. Në vendin e kulturës dhe të krenarisë. Në djepin e kulturës iliro-arbërore.

Nga ky trishtim, që duhet të na prekë të gjithëve, pyesim: kush po i zë vendin fjalëve dhe përshëndetjeve të bukura shqipe, të cilat populli ynë, pavarësisht nga feja që kishte, i përdorte me krenari, sharm dhe kulturë kombëtare? Kush po punon dhe po rrëmon për të dëmtuar këtë kulturë? Gjërat kanë ndryshuar. Gjithnjë e më shpesh njerëzit tanë vazhdojnë të përdorin arabizma e orientalizma, duke dashur të shpërfaqin përkushtimin e tyre fetar islam arabo-aziatik, një rrobë e huaj mbi trupin tonë ilirik.

Pas luftës ndodhën shumë ndryshime te shqiptarët, dhe liria ishte më madhështorja që e shijuam. Përveç lirisë kombëtare, ndër ne u shfaq edhe një liri tjetër: ajo e besimit fetar. Për gati gjysmë shekulli na kishte munguar liria e mirëfilltë fetare dhe objektet fetare për ta praktikuar atë, siç ndodhi në Shqipëri. Pas luftës dhe postdiktaturës, bota arabe dhe aziatike mbushën Kosovën dhe Shqipërinë me një arkitekturë tipike arabe dhe një frymë të re orientale. Njerëz me mjekra u shtuan në hapësirat tona dhe serviliteti ynë "bujarisht" pranoi kupolat e xhamive dhe majat e minareve, por bashkë me to edhe "veshjen leksikore arabe". Thuajse Zoti kupton vetëm këtë gjuhë të fisme, që ka lindur në shkretëtirë nga beduinët. Ne dimë t'u bëjmë temenara atyre kur vijnë për "miqësi" dhe "vëllazëri".

Ç’është ky transformim regresiv i mbrapshtë dhe ky tëhuajësim, pse jo edhe deformim deri në përulësi morale, njerëzore e kombëtare? Ç’është kjo rënie dhe ky shtrembërim që po ndodh sot me ne, me popullin më të lashtë të Evropës dhe me gjuhën tonë, më të moçmen e trungut gjenealogjik gjuhësor? Përse t’i drejtohemi vëllait tonë me "Selam aleykum" apo "Merhaba", kur kemi fjalët tona të arta që transmetojnë mirësi, dashuri, liri, butësi, zemërgjerësi, bujari dhe dashamirësi?

Mësuesit e gjuhës shqipe kanë qenë shembull i ruajtjes së pastërtisë gjuhësore, ndërsa tani pikërisht ata vihen përpara provokimeve të tilla poshtëruese dhe denigruese. Duhet të kujdesemi dhe ta ruajmë me dinjitet kulturën dhe gjuhën, sepse besimin fetar askush nuk ka ndërmend t’ia pezullojë askujt. Është e drejta e tyre, por është edhe e drejta jonë të mbrojmë gjuhën shqipe dhe identitetin tonë kombëtar e gjuhësor. Madje kjo duhet të bëhet me ligj.

Le të mos heshtim përpara kësaj "mode" të re, kur dëgjojmë që orientalizmat po futen dhe po ia zënë vendin gjuhës sonë të bukur shqipe. Le të mos heshtim, sepse vetë heshtja është pranim, dorëzim përpara një mësyemjeje të re dashakeqëse. A thua Zoti i ditka të gjitha gjuhët, por vetëm shqipen nuk e ditka, ndaj ne duhet ta ndihmojmë që të na kuptojë? T’i dërgojmë një përshëndetje në atë gjuhë? T’i dërgojmë një të falur me shëndet?

Kur sheh të tilla "prurje" orientale në gjuhën tonë, doemos të vjen në mendje mendimi i Naim Frashërit, i cili na porosit se "fjala e huaj është si derri midis dhensh!" Apo Fan Noli, që na këshillonte nga Amerika: "Le të lutemi në gjuhën tonë, se Zoti i rregullon ato të gjitha lart." Identiteti fillon dhe mbaron me gjuhën amtare. Përse, pra, të fusim derra të huaj në tufën e bardhë të deleve dhe qengjave, që blegërijnë aq bukur dhe aq ëmbël melodinë e shqipes?

Jo, jo, dhe sërish jo! Unë nuk mund të hesht!

*

Kur Serbia po e bënte gjenocidin mbi ne, shqiptarët iu drejtuan Oksidentit për ndihmë e jo Orientit. Dhe kur bota perëndimore erdhi me avionët "Tornado" dhe bombardoi Serbinë duke na çliruar, ne i puthëm emblemat dhe tanket e NATO-s dhe hodhëm lule për falënderim dhe mikpritje. Por ai Orienti, që veç shikonte si spektator kasaphanën e shqiptarëve të kryer nga Millosheviqi, pas lufte erdhi shpejt dhe futi në çdo cep të Kosovës xhami, duke na shpërfytyruar edhe peizazhin edhe arkitekturën. Për 500 vjet sundim nuk janë ndërtuar kaq shumë xhami sa janë ndërtuar për 25 vjet tek ne. A thua ç’dobi materiale apo shpirtërore ka kjo? Ne e ruanim islamin edhe pa xhamitë e sotme, që kanë mbirë gjithandej, edhe nëpër lagjet tona. Përse duhet patjetër të ndodhnin këto ndërtime? Ç’është ky poshtërim kombëtar që po ia bëjmë vetes? Ç’është kjo fyerje kombëtare që po i bëjmë identitetit tonë me arabizmat që s’i merr vesh askush, duke pasur gjuhën e bukur shqipe!? Le t’i lutemi Zotit në shqip, se Ai do të na kuptojë dhe do të na ndihmojë! Le të rrimë zgjuar dhe të vëzhgojmë, sepse dashakëqinjtë, ku gjejnë shesh, bëjnë përshesh!