Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Pllana: Urtësia e penës

| E enjte, 27.03.2025, 07:50 PM |


Gani S. Pllana

URTËSIA E PENËS

urtësia e penës

lindi shkronjat e para

dhe shkrim-leximin

nën shenjat e penës

reshën zbulime

pena e vogël

në dorë të mendjendriturit

me bishtin e gjatë

shfrytëzoi bojën

sa mbibojë nga njeriu

në lëkurët e regjura

në dru e gurë e granit

kujtesën e të zotit skaliti

për gjeneratat në dritë

urtësia e penës

me historinë e gjatë

që mban botën gjallë

diturinë dhuratë

KËNGË PËR TOKËN

këngë e tokës sonë

e kësaj rrafshire pjellore

luleplotë me shumë ngjyra

vetë këngë vetë valle dorë për dore

e ylberta e bukura natyra

këngë bilbilash në malet tona

me bletët nektarin lule m’lule

në tokën e bukur me mijëra të mira

netëve me hënë-kthjelltësi

ku dhe thneglat krijojnë melodi

duhet kënduar tokës

deri në qiell edhe kur bie shi

për ndonjë kokërr breshëri

nuk ndalet kori or ti

dielli lëshon rrezet në tokë

me shumë të mira jeta gjëllin

e në trok pas mrekullisë

dorë e njeriut veten përtrin

NJERIU I MIRË

i urti njeri i drejtë

me fjalë e vepra

jo kokulur e qyqar

po i drejtë e krenar

në ndeja e tubime

me vepra të mira

me urtësi e këshilla

njeriu njihet dhe në të ecur

atij i ka hije edhe plisi

dhe shamia për qafe e ndehur

nderuar nga familja e fisi

nga miqësia e shoqëria

njeriu i urtë i dëlirë

njihet nga largësia

në natyrë ka besë

për të mirat e kësaj toke

përherë ka kujdes