| E enjte, 27.03.2025, 07:50 PM |
FRAGMENTE NGA ROMANI I MEHMETALI REXHEPIT“LËKURA E GURIT”; botuar nga Shtëpia botuese ROZAFA, Prishtinë, 2024
ËNDRRA
ME PREJARDHJE ZHGJËNDRRE
I
nisja rreshtat, por, duhej t`i kryqëzoja ose t`i puthitja rimat përderisa ato
më vendosnin kufij. Rimat ishin diktatura e lirisë së ndjenjave. Ndonëse ato
dilnin po prej ndjenjave, të cilat gufonin si bari e gjethet në prill, me
prarim reflektimesh e ngjyrash të papërshkrueshme. Mendoja, mendoja se si mund
e kapte maja e lapsit prej grafiti apo e lapsit ngjyrë të kaltër, sikurse
qielli, gjithë shkëlqimet e prarimit dhe zezonat e shpirtit? Përpiqesha të
thellohesha se prej nga vinin, kush i shkaktonte ato dukuri, si formësoheshin
dhe, a e kishin fundin diku? Si t`iu shkëpusja diçka nga ato shfaqje mrekullie
e, t`iu shtoja dhe unë nga ato ndjesi, që ziheshin në brendinë time, për ta
nxjerr në letër me më të ëmblën shije të zier? Megjithatë, as pjesërisht nuk
arrija vezullime të bukurisë, për aq sa kishin rrokur shkrolat e shkruesve bukur,
të cilët kishin prekur shqisat e mia të ndjeshmërisë; që, ndoshta pikërisht si
të atilla, do t`mi tëhollonin edhe mua? Kushedi sa të gjata do të ishin ato
hulli me të mbjella të djegshme? Ata kishin derdhur gurra ndjenjash në ato
pamje malesh e kopshtesh, për lëvizjet ritmike të fluturave, të pëllumbeshave
me gugatë, kthimin e dallëndysheve, që me stilin e fluturimit mbi krahët e tyre
e derdhnin shiun e ngrohtë të haresë së stinës.
Gjithnjë
më dukej e pakët, por linte mbresa dhe shije shkrimi brenda kopertinash i
morisë së letrave të bashkuara në cikle ose kapituj të një libri. Thash e pakët
ngaqë dukuritë, që i ngërthen sfera elipse e yllit, në lëkurën e së cilës
gjallërojmë, duke u rrotulluar aq furishëm dhe pa të ndjerë fare rrotullimin,
sjell të ndodhura të pasosura. Disa të tilla i shihnim, i ndjenim, ua shijonim
shijen e hidhur, të ëmbël, të përzier, të vakët, përvëluese, të ftohtë deri në
ngurtësi guri dhe tmerruese! Ca ndodhive nuk ua shihnim, nuk ua ndjenim
rënkimin, ca të tjera i mbështillte enigma çudibërëse. Disa zjarre të padukshme
si mbetje diellore brenda elipsës, të mllefosur zbraznin mllefin mbi kore
relievesh si gjëmimi i llavës. Kësisoj, mësuam të dimë diçka sipërfaqësore për
ligjet e stihive, për ciklet e ftohta akullnajore, për kometat që zhbënë
dinozaurët, për periudhat e acarta të akullnajave shkëmbore mbi ujëra. Por, kur
Enigma e Përsosjes solli dhuntitë për ne, nuk mësuam t`i frenojmë lakmitë,
ëndjet, epshet, mundësinë e të mundshmes mbi të mundshmen.
Çudirat
sipërfaqësore kishin filluar t`mi zbulonin pikërisht shkrolat e zeza mbi faqe
të bardha. Për pozitën pezull të yllit tonë rrotullues rreth atij ylli të
zjarrtë, të cilit nuk i afrohemi dot. Dija njerëzore e mendjeve të pa rëndomta,
që shihnin përtejmë rëndomtës sonë, hetoi duart dhe forcën e atyre duarve, që i
tërheqin yjtë me forcë më të vogël rreth orbitave të veta më të forta
magnetike. Secili yll, duke pasur duar për tërheqje nga vetvetja, sillej në
afërsi të duarve të forta, por, nuk binte, ngase edhe ai tërhiqte prej vetes me
takatin e vet yllin tjetër më të vogël. Ndodh e vijon të ndodh rrotullimi i
sferave, i valëve koncentrike rreth një strumbullari, tej përmasave
strumbullarësh, nga njëri në miliona strumbullarë galaktikash! Nuk më duheshin
thellësi të tilla të pakufishme në djalërinë time, meqë e thyenin logjikën
tokësore të mendjes sime atëbotë naive. Kureshtja e njeriut ka perde kufijsh;
po të thellohej, thellohej e thellohej i gëlltitej logjika dhe, fare lehtë mund
të mbetej cullak, pa kurrfarë veshje as të jashtme, as të brendshme! Me
zhveshje të tillë të dyfishtë, nivele njerëzish do të qeshnin, sikur për një të
marrë, derisa të tjerë, që ua kishte shoshitur sprovat jeta, qenien e tillë do
ta mëshironin si viktimë e humbjes së mendjes në pa kufi të universit!
Gjatë
qepjes të syve me perin e zi të shkrolave hullive të zeza mbi faqe arash të
bardha, nën disa kopertina të harruara, desha ta arnoja karakterin; atë
karakter që hasa te personazhi, që i grishur aq thellë pas enigmash kozmike,
kozmosi ia kishte përpirë trurin! Ai personazh e kishte vetëm dukjen e figurës
së njeriut të rëndomtë, porse mendja e tij kishte fluturuar sferave tejet
enigmatike duke tejkaluar të rëndomtën e kureshtjes.
ASKETI
ME DY FYTYRA
-Bëja pyetjen vetvetes, pastaj një grabitqari! - M’u drejtua
dytëshori vendosmërisht:
-A do të lejoje t`ia jepje përkatësinë, më të mirën, më
të bukurën, jetiken tënde grabitqarit?
-Ato vlera u krijuan, u zbukuruan, u trashëguan, u
fisnikëruan nga dija, djersët, talenti, urtia, sakrificat e gjakut e të
dhimbjes së parakëve pararendës. Ndaj sot e nesër duan ripërtëritjen,
rindërtimin, ri-përshtatjen, ri-zbukurimin, ri-fisnikërimin, ri-vijimin,
ri-mbajtjen e pa luhatshme kanosjeve të lakmisë së grabitqarëve.
Enigma e Përsosjes së Botës e të Gjithësisë është
gjithëpërfshirje e pa e ndërmjetësuar e njeriut e jetës. Poeti i përket këtij
fondamenti të Enigmës dialektike.
*
-Shiko Mot: e bukura nuk është vetvetiu e bukur pa
skeletin e së madhërishmes.
-Po, pajtohem dytëshor. E bukura e kësaj poezie është e
madhërishmja.
Nuk kishte shkak tjetër si të mos pajtohej dhe të
pushonte kundërshtinë time dytëshori.
-Kush mund t`ia përmbushte gjakimet themelore Poetit për
ta kërkuar shijen e bukurisë?
-E madhërishmja pra! Cila tjetër përveç së madhërishmes?!
“Vetëm lë të jetojë e mbijetojë dashuria
mbi majë më t`lartë.”
Vallë, a s`është ky një synim i madhërishëm, që “të
jetojë e mbijetojë dashuria?” Dashuria, ajo thelbësorja, e cila i jep
përmbajtje, kuptim, shije ekzistenciale, estetike dhe etike jetës njerëzore.
Pikërisht, kur tërbimi njerëzor për mbizotërim përmasash shfarosëse, mbijetesa
e dashurisë, qoftë “mbi majë më t`lartë”, qoftë në rrëzë të majës, është
përcaktuese për shpëtimin e njerëzores. Me të shpresat nuk do të mbeteshin të
shuara! Derisa nuk më shkëputej mbresa për urtinë e filozofisë së poezisë, që
më mbante brenda frymës së saj; dytëshori nxiti mendjen e tij të rreptë e të
pakursyer, përkitazi marrëdhënieve të mia: Poeti dhe identifikimi përkatësisht
mos identifikimi me Poetin.
-Më lejo Mot, qasjen time ta ballafaqoj me tënden: qasja
Jote kësaj filozofie, ngërthesave, simbolikës, aluzioneve, krahasimeve,
estetikës, etikës, është qasje e shkëlqimit mbi syprinë.
- Si duhej t`i qasesha, pra? - Termometri i nervozes nisi
të shënonte ngritje të temperaturës.
-Mund t`i qasesh vetëm i identifikuar me të, në përmasën
e së madhërishmes, të cilën ende nuk ia ka tumirë rehatia Jote e brendshme!
-Dytëshor mos u dashka të identifikohem me atë Trimin,
skllavin e Arenës Romake, që vrau me energjinë e fundit të tij në dyluftim
luanin?!
-Nuk mund të ketë hije ironia gjembaçe Mot!
-Çfarë rahatie më shihje sipas përgjimit tënd?
-Unë nuk jam ndjekësi as përgjuesi Zot! Jam korrigjues
Yti, por kurdo që më ke përzënë, ke humbur drejtpeshimin! - Mandej shtoi:
-Më mirë merru me këshillëmirin... Ai t`i rrafshon
kodrat...
Atmosfera mes nesh po tendosej.
-Je kënaqur me mbresën, por jo me porosinë e poezisë!
-Nuk pajtohem!
-Doemos do të pajtohesh, sepse vërej shenjat Tua të mos
identifikimit.
-Korrigjoje busullën, mos të ka lajthitur një çikëz?!
-Assesi!
-Tash e kaherë me shkrolat e Tua a po sprovohesh në Poemë, që mëtoje t`ia lësh dikujt, si
një trashëgimi brenda kopertinash?
-Në qoftë se jo Vijonit, do t`ia lë bibliotekës “Fan S.
Noli.”
-Vijoni nuk ta lexon.
-Ku e ditke ti?
-E di saktë! Mos e ço më tej dyshimin!
- Dytëshor po flas për diçka të pakryer, për trajtën e
pakryer të foljes dëshirore.
-Pajtohem, mirë! Si e ke nisur nuk do të jesh në gjendje
ta përfundosh asnjëherë atë Poemë!
-Përse më paragjykon një fat fatal?!
-Më solle dëshpërimin! - Nuk pushoi:
-Mu kështu zhytesh në anën e pistë të kontrastit!
-Më thuaj, cila qenka ana e pastër e kontrastit?
-Poeti me “domosdonë” e tij kishte notuar ujërave të
pista, për t`ia dalë mbi barin e blertë të stomit!
-A e pe dallimin?
-Pra, ende je jashtë identifikimit me Poetin, përderisa
unë jam brenda Teje!
Përqendrimi i tij kritik nuk kishte të ndalur:
-Mot ti je asketik i pashërueshëm!
-Si? Pse dole tek ai asketi i panënshtrueshëm? Vërtet kam
qenë asket me dy fytyra: me fytyrën e dhimbshme dhe me atë të panënshtrueshmen!
-Po. Kokëfortësia Jote e humbi Vijoren!
-Por, ajo me sedrën e saj të paafrueshme... - Nxitoi
dytëshori:
-Lëre, lëre!
-Ishim tek tema e identifikimit Mot... Nuk arrite të
identifikoheshe me Poetin Raxhim Lemazi.
-Them se po.
- Jo. Ku e ke kohën, domosdonë, Diellin, gurin, çastin,
vrapin, anën Tënde të gurit të pathyeshëm?...
DJALOSHI ME AUREOLË
Ende po mërdhij në pizhame. Tavolina e dhomës sime nuk më
ngrohte. Rrobat e ditës në karrige m`i kishte fërfëlluar era e ëndrrës! E
ndjeja në palcë të ftohtët e fund-dhjetorit. Zhgjëndrra shtrinte duart, t`ia
paloste pamjen ashtu si e kishte parë vet; t`ia shthurte mbresën ekzotikes së
ëndrrës, diku në një raft pa kontur, me pleksje ngjyrash, pa shijen e saj të
përcaktuar. Ajo erdhi e beftë me pamjen e asaj veshjeje, së cilës mëtoja t`ia
kërkoja shkëmbimin. Nuk e dija a mund t`ia përshtatnim njëri-tjetrit shijen,
madhësinë, stilin e madhështisë së veshjeve së padukshme në trurin e Tij?
Ishte zgjuar edhe engjëlli im dhe, ndonëse prisja ndonjë
këshillë engjëllore, më sillej vërdallë ftohtësia si sqep shqiponje, që me
sqepin e saj shponte nyjat, indet dhe, dyert e poreve nuk e prisnin dot. I
kishte hapur papritur shqiponja ajrore, përderisa ende më mbante nxehtësia e
përshtypjes, ngase njëherë të vije dhe të ikën vera kah dera... Ajo i pjek
frytet dhe po nuk i vole kalbëzohen në degët e asaj peme të pikëlluar. Doja ta
shtrija qenien time në verën e Djaloshit.
Ëndrra me prejardhje zhgjëndrre më sillte vetëm një të
katërtën e pamjes. Vijat e fytyrës duhej t`ia lypja në magjinë e farfuritjeve,
po ashtu ngjyrën e syve të Atij Djaloshi me aureolë. Përgjatë këtij shpalimi
tingujt e kitarës kishin rrjedhur mbi barin e etur, madje i mungoi dhe kitara
varur në qafë e gjoksin e Tij polen pranveror. Merrej me mend se një kitarë tjetër
fryme ia trajtësonte tingujt kësaj, të cilën ia shihja krahaqafë; ajo kitarë,
që, me dridhje tingujsh bleronte pamjet. Sërish desha t`i thosha diçka
engjëllit, porse një dorë e gjatë harrese e shqyente fletën e shkruar në
kujtesën e brishtë e, më pezullohej si lexim! Megjithatë, më rrinte pezull dhe
pezullimin e shtrydhja si lule shtrydhe, aq fort, derisa të rrjedhke musht,
pika, pika të kuqe. Pikat e shtrydhjes i shkonin për shtati kristalizimit të
lëngut në kallnor. Përsëri mblidhej e dendësohej kujtesa, derdhte shiun e një
pikëllimi dhe, sikurse rètë shpërndahej kaltërsisë e rrezeve tej depërtuese.
*
Qenia ime ishte fushë, mbi të cilën reshnin shira të
ftohtë, mllefe breshërimash, kallkan, borë e përgjakur dhe shtatore akujsh.
Çfarë kishte reja e zbrazte mbi fushën time. Rrëketë e kumtit të Kallnorit
shtresojnë akullin e kujtesës. Erdhi bardhësia e ditës dhe abazhurit mbi
tavolinë ia ngufati atë copëz zbehtësie, sikurse një ylli në qiell, të cilit i
është shpenzuar cikli i dritë-dhënies dhe, mandej bie në vartësinë e
dritë-marrjes. Cilin yll më të afërm do të duhej piketuar, meqë i deritashmi u
shua?