| E enjte, 27.03.2025, 07:44 PM |
NISMA E NJË ËNDRRE QË NDJEK QËLLIMIN
(Në
shenjë përkujtimi të ikjes në amshim (12.03.2025) të veprimtarit nga Tetova,
Xhemil Daci, po e ripublikoj Intervistën e realizuar më 15.10.2020 dhe të
publikuar në “Portalb”)
Nga
Syrja Etemi
Nga
biseda spontane e zhvilluar me njeriun që, gjithmonë në hapërim ka mbajtur
ndezur shkrepëtimën e idealizmës dhe kauzës sonë kombëtare, z. Xhemil Daci, tek
i cili, që në moshën e tij të njomë, u brumos ideja rrëzëllitëse e
atdhedashurisë – të nxitur nga ikona pollnjane dhe mbarëshqiptare e veprimtarit
të paepur, Memetriza Murtezani-Gega, madje të vëllaut të tij më të madh, Faik
Mustafa-Daci me shokë, shkrimi filloi mugullimin…
Duke
ditur dhe njohur në finesa të kaluarën përplot krajata të protagonistit të
këtij shkrimi, në vend të gëlon përshtypja se ky burrë gjithnjë në ecje pingul
në hapërimin e jetës, ka ndjekur ëndrrën dhe vizionin e tij, madje i udhëhequr
dhe përligjur nga ndjenja e idealizmit me tëban kombëtar. Krejt ky konstatim që
potencova me këtë rast, të duket se është rafinim që përngjet me një mençuri të
lashtë ku thuhet: “Ka vetëm një dallim në mes të ëndrrës dhe qëllimit. Ëndrra
kërkon gjumë të lehtë, ndërsa qëllimi kërkon përpjekje pa gjumë. Prandaj fli
për ëndrrat dhe zgjohu për qëllimet!”.
…
“Nëse sot nuk vlen asgjë, as nesër nuk do të vlejsh asgjë. Por, nëse nesër do
të njihen vlerat, do të thotë se i zotëron edhe sot. Pasi gruri është grurë,
ndonëse fillimisht duket bar”.
Do
ta filloj këtë prezentim me këto fjalë të piktorit me përmasa botërore-
holandezit, Vincent van Gogh, sepse edhe puna dhe aktiviteti i palodhur i
veprimtarit konsistent tetovar, z.Xhemal Daci është e këtillë, (që i ngjason
grurit).
Në
bisedën e paparalajmëruar të një dite të bukur vjeshte pranë lumit Artat, i
cili dukej se po mbante ison e muhabetit tonë të shtruar deri në thellësinë e
legjendave të moçme sharrjane, m’u duk se koha ndali ritmin e tik-takut. Duke
vështruar ngarrendjen e dallgëve rrëmbyese të Lazdranit të Kasabasë, Ai bisedës
i gjeti preludin me shprehjen apodiktive: “Panta rei” (Gjithçka rrjedh), miku
im!” Ja si rendja e këtij lumi të bekuar, i cili buron nga thellësia e
bjeshkëve të paana të Sharrit të regjur ndër shekuj e mileniume.
Edhe
pse Ai në atë që thonte donte të dukej sa më modest, unë herë mbas here ia
përkujtoja se: Shprehja e modestisë në këtë mentalitet prej provinceje ka
rrezik që të keqpërdoret e abuzohet. Në këto rrethana kotemporane paksa
kaotike, patjetër se të kemi shumë kujdes sepse: hallku, edhe me nuk e pasë
bishtin-ta ngjesin, nëse e ke – ta hjekin! Kështu, u dakorduam njëzërit se me
këtë logjikë nuk mund të hapërohet në jetë. Mungon ekuilibri, vaga për matjen e
vlerave. Mungojnë parimet e jetës.
Mungon njohja e vetvetes…
Se,
nuk e njohim vetveten, në unison u pajtuam-për t’i dhënë shteg bisedës:
-Për
të bërë ndonjë punë të hajrit, mik, duhet të fillojmë nga e lehta drejt të
vështirës; nga e afërta drejt së largtës; nga e njohura drejt së panjohurës…
Po, po, kështu duhet vepruar për të arritur deri në aktin më të lartë të
njohjes. E, për të njohur botën e jashtme, patjetër se më së pari, (sipas një
rregulli të shkruar me shkronja ari mbi portikun e tempullit në Delphi) duhet
njohur vetveten. “Gnothi seauton!”. E, ti lum miku, në pulsimin e jetës, ma
merr mendja, këtë porosi duhet ta kesh kuptuar që në çapat e parë të jetës në
familjen t’Uaj të fisme, duke vënë atë në zbatim që në rininë e ngjizur me
primesa “ëndrra rebeluese” gjimnaziale e studentore, me ç’rast, kurrë nuk ka
rreshtur së kërkuari rrezet e ngrohta të diellit, i cili fatkeqësisht, edhe në
stadin kotemporan e quan “diell alegorik”. Prandaj, na trego më gjërësisht diç
në lidhje me “rrapëllitjet e befta” – që si një i ri që gjithnjë ka ndjekur
ëndrrën gëlluese për të nesërmen e mbarë, mu si marinari – yllin polar?
(Duke
hedhur shikimin nga Kalaja e Pashait shqiptar, Abdurrahman Pasha, kështu e nis
kallëzimin:
–
…Do ta filloj nga përgatitja për ta materializuar ëndrrën dhe idealizmën e
fuqishme rinore, duke shprehur dhe artikuluar atë në publik në formë të
demonstratave (të vitit 1968), edhe pse ishim të vetëdijshëm për konsekuencat
nga murtaja e pushtetit komunist të asaj kohe. Kësisoj, manifestuam haptazi
shpresën tonë që mbanim të ngujuar thellë në parzëm… Çdonjëri që “shkeli në
dërrasë të kalbur” sipas logjikës së “pinjollëve” të regjimit sllavo-komunist,
kaloi nëpër dyert e hekurta të zandaneve dhe kazamateve komuniste nga
“Idrizova” e deri te “Goli Otoku”. Kështu, pas këtij shpërthimi, “prej 1 deri
më 26 Korrik 1969 do të zhagitet gjykimi i grupit të ashtuquajtur:
“pesëmbëdhjetë irredentistëve” shqiptarë që pretendonin rrënimin e RSFJ dhe
krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Këto akuza nënkuptonin, që më parë, dënime më
të rënda deri edhe me pushkatim. Televizionet e kohës dhe shtypi i atëhershëm,
tërë kohën do të mirreshin me grupet “irredentiste” për të paralajmëruar masat
drakonike të destinuara që më parë. U shqiptuan me qindra dënime për
kundërvajtje, kurse me mijëra shqiptarë u larguan nga puna. Kërcënimet perfide
ishin të vazhdueshme për shqiptarët e “anatemuar”. Kështu “mëkatarët”
rriheshin, dënoheshin, dhunshëm paguanin tatime maramendëse, etj… Por, Populli
atëherë, edhe pse s’kishte program të shkruar dhe udhëheqës apo lider, siç janë
sot (mender me thënë), dijti të menaxhojë vehten dhe të vihet në mbrojtje të
grupit të të pesëmbëdhjetëve ( në përbërje: Memetriza Gega, Faik Mustafa – Daci
dhe shokë tjerë, kryesisht nxënës të gjimnazit dhe studentë të Beogradit…)
Është e një rëndësie të veçantë fakti se, gjatë 26 ditëve të gjykimit, Gjykata
e Qarkut në Shkup që merrte në gjykim djemtë më të mirë të popullit, që në
mëngjez u rrethua nga populli, i cili erdhi këtu nga anekënd trojet shqiptare,
me të vetmin qëllim: që t’i përkrahë bijtë e tij tani të prangosur. Populli
brohoriste në shenjë përkrahjeje përderisa ata nxirreshin nga xhipat “Wilus” të
milicisë. Ata, të gjithë çonin lartë duart e prangosura dhe këndonin si në log
me përmasa epike.
-Ky
vrull i brendshëm që po shpërthente, a mos ishte refleks i një ëndrre
bardhëloshe rinore? – ndërhyra.
-Po.
Kjo ishte ëndrra jonë e bardhë. Në të përligjej mendimi e fjala; veprimi e
shprehia; karakteri dhe fati i gjeneratës që po grafullonte. Këto ishin
njëkohësisht reflekse që mbajtën gjallë jovetëm idealin tim dhe gjeneratës
sime, por që do të frymëzonin edhe gjeneratat që do të futen në tempullin e
demokracisë. Prandaj, në kontekst të kësaj që thash, më lejoni t’i referohem
një mençurie kineze: “Ndiqni mendimet, ato do të bëhen fjalë. Ndiqni fjalët,
ato do të bëhen veprime. Ndiqni veprimet, ato do të bëhen shprehi. Ndiqni
shprehitë, ato do të bëhen karakter. Ndiqni karakterin, ai do të bëhet fati
Juaj!”. Edhe Ne, lindëm, u rritëm, u burrnuam dhe, ja u thinjëm me një ëndërr
dhe shpresë llamburitëse që, kurrë nuk do të zbërdhulet, por akoma më shumë do
të merr flakë. Është kjo një shpresë që po rri zgjuar në kundërshtim me një
konstatim të një të huaji françez, i cili shqiptarët i quan “ëndrrabjerë” , e,
duke shtuar: “Në mes kafes dhe cigares, shqiptari vështron dhe pret. Fati i tij
quhet: “të presim!”. Jeta e tij quhet nesër. Thotë njeriu se janë kurdoherë në
gjumë, mbase janë të sëmurë…”
-Meqë
jemi akoma te vitet e ronisjes së themeleve të “vëllazërim-bashkimit” komunist,
pikërisht në vitin 1968, çka mund të shtoni për të hedhur akoma dritë në këtë
kapërcyell?
-Pesëdhjetë
vite më parë, në atë sistem njëmendësie ku Komiteti i Partisë Komuniste mirrte
vendime që më parë të prejudukuara dhe të paragjykuara kundër çdo gjëje
shqiptare, thuase ishte iluzore të gjejsh shtegdalje për të zgjedhë hallet e
shumta që sistemi i atëhershëm ua shkaktonte shqiptarëve. Por, populli i
bashkuar dhe i vendosur që të rrezistojë deri në fund, arriti që synimet e
antishqiptarëve të mos realizoheshin siç ishin të predispozuar. Nënat tona,
(kjo gjë është shumë me rëndësi të potencohet), nga të gjitha trevat shqiptare,
arritën që dy herë t’i dridhin e të shkundnin institucionet më të larta
federative mu në zemër të Beogradit, duke protestuar kundër padrejtësive që
ushtroheshin. Vendosmëria e tyre bëri që, dënimet e bijve të popullit të
zvogëlohen dhe, disa edhe të lirohen… Kjo është kaptinë e veçantë që duhet të
trajtohet nga historianët tanë. Për këtë dokumentim, ja ku më keni, ende jam
gjallë, mos më kurseni… – mbyll epizodin, bashkëfolësi im, duke u kollitur pak
nën ndikimin e tymit të duhanit, me cigaret që i digjtte njëra pas tjetrës, e
duke u përpjekur të kalojë në dimensionin e një qortimi të radhës:
-Për
të gjithë ata që lexojnë këtë shkrim dhe që duan të kuptojnë porosinë, i lus të
përgjigjen se: A jemi i njëjti popull, apo këto 50 vite jemi transformuar në
diç tjetër dhe,ne të mbijetuarit e asaj kohe jemi fosile dinosaurësh të
pavlerë? Sot kur mundësitë janë shumë më të favorshme për t’u organizuar si
popull, vallë si u katandisëm në këtë derexhe për t’u futur labirintheve të pa
shpresë? Si jemi shndërruar kështu në popull që vetëm presim dhe ikim, ikim dhe
presim? Sot kemi mori partish e organizatash civile, shoqata qeveritare e
joqeveritare, liderë partiakë, deputetë e ministra, universitete, drejtorë e
shefa, por, ardhmëria e popullit dhe rinisë, pse bëhet gjithmonë e më e
pashpresë? Pyetja e madhe është: PSE?
Që
nga ’91-shi të gjithë liderët partiakë thirren në të njejtin popull. Ofrojnë
programe “ideale” dhe, gjithmonë populli zhytet më thellë në deziluzionizëm e
në pesimizëm të skajshëm. Avazi lëshon shtat deri edhe në mileniumin e ri...
Thirren në perspektivën e brezave që vijnë, kurse, po këto gjenerata përpara sysh
na fashiten. Shumica e tyre janë edhe me arsimim të lartë, por, fatkeqësisht,
ata të rezignuar thellë nga politikbërja e mbrapsht e subjektëve politikë,
ardhmërinë dhe perspektivën nuk e shohin këtu… Të mjerët ne nëse edhe më tutje
do ecim pas atyre shushunjave, që popullin e shfrytëzojnë vetëm për përfitime
personale… Prandaj, nuk thuan kot: Çobani i mirë u merr leshin dhenve e, jo
lëkurën. Po më duket se tek lidershipi ynë nuk vlen fare kjo thënie.
-Në
këtë hapërim jete që precipiton në reflekse pesimizmi, përkundrazi, Ju po shohë
se jeni akoma aktiv në jetën publike me pretendimin për të qenë në shërbim të
çështjes kombëtare. Para ca vitesh keni themeluar edhe Organizatën
joqeveritare: “NISMA ‘68”, me ç’rast, në vitin 2018 keni shënuar 50 vjetorin e
Demonstratave të Tetovës; keni organizuar një vistër aktivitetesh me karakter
kulturor, arsimor, folklorik e etnografik, madje edhe Konferencën e parë
shkencore: “Shqiptarët, shkollat, programet mësimore në gjuhën shqipe në RMV”.
Ç’mund të plotësoni më tepër në këtë vazhdë?
–
I nderuar, Syrja! Ju përmendët në vija të trasha shumë çështje. Unë do të
ndalem në këtë të fundit. Pas një konsultimi me disa intelektualë që i brengosë
gjendja alarmante e shkollës shqipe, e teksteve dhe programeve shkollore në
vendin tonë, planifikuam të mbajmë një eveniment publik ku do të senzibilizojmë
opinionin e brendshëm dhe të jashtëm (përmes përfaqësive diplomatike në vend).
Konferencën që përmendëm, e organizuam dhe realizuam në Tetovë, me datë 15
qershor 2019, në hapësirat e UEJL-së. Konferenca punoi në dy sesione. Në të
parin u trajtuan probleme të rëndësishme për shqiptarët, siç janë ato
demografike, të shkollës dhe të arsimit, kurse në sesionin e dytë u shtruan
gjërësisht problemet e teksteve shkollore dhe mungesa e kompetencave
profesionale e shkencore e tyre. E një rëndësie të veçantë me këtë rast është
të theksohet edhe fakti se, krejt këto punime që i shtruam në këtë agorë, i
kemi botuar në një libër modest prej 150 faqesh e, që meriton ta ketë në
bibliotekë çdo familje shqiptare. Për të qenë decid: mendoj se deri më tani me
sukses kemi përmbushur objektivat e Programit të shoqatës sonë. Derisa do të më
mbajë shëndeti, akoma do të vazhdoj aktivitetin aty ku mund të jap kontributin
evident.
E,
kështu, e mbyllëm këtë bisedë me Dacin,
duke i uruar jetë të gjatë dhe shëndet, me dëshirën që të vazhdojë në
kontinuitet t’i japë akoma këtij populli të ILIRIDËS.