| E enjte, 27.03.2025, 07:55 PM |
ME 29 MARS 2025 MBUSHËN 100 VJET QË RA HEROIKISHT HEROI I POPULLIT BAJRAM CURRI
“UDHËTIMI”
I FUNDIT I BAJRAM CURRIT:
DRAGOBI
- KOLGECAJ - ZOGAJ - KRUMË…”
(Kujtime
të bashkëkohësit Ukë Arif Ahmeti)
Nga
Ibrahim Hajdarmataj
Bajram Curri, atdhetar e luftar i zjarrtë, për çeshtjen mbarkombtare shqiptare,
“Hero i Popullit”
1
- Babai im, Ukë Arif Ahmeti-Hajdarmataj, në moshën 96 vjeçare, që në rini më
pat treguar episode të ndryshme për traditat atdhetare e luftarake të të parëve
tanë. Sidomos i kam dëgjuar me interes dhe i kam regjistruar në kujtesë
ngjarjet e tij rreth figures së ndritur të “Plakut të maleve” dhe “Dragoit të
Dragobisë”, Bajram Curri, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit. Është krenari për
të gjithë ne që me emrin e tij, është pagëzuar qyteti i bukur alpin, i cili më
parë quhej fshati Kolgecaj. Arif Ahmet Hajdarmataj, gjyshi im, kishte lindur në
fshatin e bukur Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) në1843 dhe vdiq po aty,
në moshën 102-vjeçare. Shtëpia e tij dhe e kushërinjve tanë kanë qenë bazë e
sigurtë për strehimin e Bajram Currit me luftëtarët e tij, sa herë që atyre u
paraqitej nevoja. Po kështu ata morën pjesë në betejat e zhvilluara me
udhëheqës Bajram Currin në tërë krahinën e Bytyçit e më gjerë, si në Zogaj,
Kam, Qafë Prushi, Krumë e Gjakovë. Për këtë arsye vetë Arifi është arrestuar e
gjykuar nëPrishtinë, ku e kanë dënuar me 101 vjet burg. Aty i vuajti disa vite
burgim dhe doli prej andej vetëm kur burgu i Prishtinsë u thye nga
demonstruesit kosovarë. Më pas ai erdhi në vendlindje, pranë fshatit Zogaj.
Bajram Curri i vrarë
2
- Siç është e njohur, në dimrin e ashpër 1925, kryetrimin Bajram Curri, i cili
kishte dhënë aq shumë, me punën dhe luftën e tij të vendosur e të pandërprerë
për Kosovën e Shqipërinë, e rrethuan në Shpellën e Dragobisë. Ishte pikërisht
data 29 mars e atij viti kur pas një qëndrese heroike, ai u vetëvra, për të mos
u dorëzuar i gjallë në duart e kundërshtarëve të tij zogistë. Por gjithashtu,
një këngë popullore dëshmon dhe bashkëkohës tregojnë, se është e njohur edhe
mundësia që atë e prenë në besë, duke krijuar kushtet që kundërshtarët e tij ta
vrisnin atë lehtësisht!? Lajmi i vrasjes së Bajram Begit, siç e quanin
malësorët me respekt të veçantë, u përhap kudo, siç thonë, ishte “më i idhtë se
zana”. Ai mbërriti edhe në Zogaj dhe në familjen e Arif Hajdarmatajt,
kryefamiljar i asaj kohe, si dhe e mbuloi në zi tërë fshatin. Pas vrasjes,
trupin e Bajram Currit e zbritën nëpër Grykën e Dragobisë, në Shoshan, Margegaj
dhe e lanë, pak kohë, në fshatin Kolgecaj, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë)
Pasaj, atë e hipën në një kalë dhe e nisën, udhës për në Krumë të Hasit, ku
ishte qendra e Nënprefekurës. Kur trupi i Bajram Currit dhe shoqëruesit e tij
mbërritën në Zogaj, aty u bë një ndalesë e paparashikuar, madje e detyruar. I
pari u doli atyre përpara Arif Ahmet Hajdarmataj bashkë me Zmajl Zymerin,
Rexhep Alinë, Ajdin Zenelin, Bajram Hoxhën e ndonjë tjetër. Sakaq shkëmbyen
fjalë paksa të ashpra, me shoqëruesit e të ndjerit Bajram Curri. A na la
Begi-a? - iu drejtua atyre Arifi. Po, na la, Arif! - u përgjigjën ata njëzëri.
Pra, vdiq dhe “Ora e Malësisë së Gjakovës”, shtoi Arifi me zë të lartë. Ashtu
është, Arif…Bile, Ora e Malësisë së Gjakovës, Kosovës e mbarë Shqipërisë, u
përgjigjën disa të posaardhur…Atëherë, ku po e çoni ju trupin e Begit tonë? -
iu drejtua atyre me zë kumbues. Për në Krumë, kështu kemi vendosur, u
përgjigjën shoqëruesit e tij. Pse kështu, bre burra! A doni me na koritë tërë
Malësinë e Gjakovës-a? - foli i vendour Arifi. Nuk paska tokë sa për ta shti në
varr Begin, pa e dërguar atje-a? Pastaj shtoi i vendosur: - Unë dëshiroj që ta
varrosim në tokën time, pra këtu në Zogaj. Tokë kam mjaft e nuk më dhimbset
aspak. Kështu do të jemi të gjithë si fshat, të nderuar që ta mbajmë këtu
Bajram Currin tonë…
Trupin
e pajetë të Bajram Currit, Arif Hajdarmataj me bashkëfshatarët e Zogajve e
shoqëruan me sy, me dhimbje e lotë, derisa ata u larguan për në Krumë të Hasit…
Për
meritat e tij luftarake dhe mbështetjen që i ka dhënë Bajram Currit gjatë jetës
së tij, Presidenti i Republikë së Shqipërisë e ka dekoruar Arif Hajdarmatajn me
medalje e urdhra të ndryshëm. Traditën e tij luftarake e vazhdoi edhe djali i
tij e babai im Ukë Arif Hajdarmataj. Ky u rreshtua partizan në radhët e
Brigadës XXV Sulmuese, e cila u krijua në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
Familja e Bajram Currit Hajrija
3
- Në mbyllje të këtyre kujtimeve, më duket me interes të tregoj edhe diçka
tjetër…Në muajin tetor 1962, në qytetin e Shkodrës zbriti nga Zogajt, Hyrë
Islam Hajdarmataj, bashkëshorte e Arif Ahmet Hajdarmatajt.
Ky
kishte 10 vajza dhe vetëm 1 djalë, Ukën, pra babain tim, të cilit i la
trashëgim disa hektarë tokë, bagëti e bletë. Në atë udhëtim, gjyshja Hyrë vinte
që të më takonte mua, nipin, pasi ndiqja shkollën pedagogjike për mësues. Kur
ajo shkoi te Hoteli “Adriatik”, mësoi se sportelistja ishte bija e vogël e
Bajram Currit, pra Hajria. Kështu, të dyja u përqafuan me përzemërsi. Hajria i
tregoi asaj se i iati i fliste vazhdimisht për mikpritjen e mjaft malësorëve,
pra dhe atyre të fshatit Zogaj, ku veçonte pikërisht shtëpinë e mysafires,
Hyrës, me bashkshort Arif Hajdarmatajn. E mallëngjyer Hyria iu drejtua Hajries:
“Po gëzohem sikur të më kishte lindë një djalë, që u njohëm sonte bashkë dhe që
je çika e Begit tone të paharruem...! Ndësa Hajria e përqafoi si nënën e saj
dhe iu përgjigj: “Sonte nuk ka hotel për ty...!” Sapo e mbaroi punën e asaj
mbrëmjeje aty ku shërbente, Hajria e mori Hyrën në shtëpinë e saj bujare.