| E enjte, 27.03.2025, 07:55 PM |
Koha që nuk shkruhet, nuk le as gjurmë, as shenjë. Kështu harrohet e fshihet nga kujtesa, siç shuhet piktura në rërë nga vala e detit. K. Tarelli
ALI
BALLIU, SPECIALIST BUJQËSIE
Nuk e pranon fjalën “Pensionist”
(Portret)
Nga
Kadri Tarelli
Me drejtor Ali Balliun njihem prej kohësh, afro
prej 50 vjetësh, kur ai në vitin 1977, djalë i ri, agronom, që sapo kishte
mbaruar “Institutin Bujqësor”, Tiranë, (sot Universiteti Bujqësor), filloi punë
si mësues specialist në Shkollën e Mesme të Bashkuar, (Gjimnaz dhe Bujqësore),
në Katund të Ri, shkollë që sot mban emrin “Jusuf Hoti”.
Unë i thërras drejtor, pasi në vitet e trazuara
të ndryshimeve politike të pas vitit 1990, u emërua drejtor i shkollës së
Mesme, në Katund të Ri, ku edhe unë isha mësues, para se të transferohesha në
Durrës, në shtator 1992.
Më vjen keq që, sa herë zyrtarisht kërkohet një
jetëshkrim për secilin nga ne, mjaftohemi, që shumë shkurt e pa hollësi të
shënojmë vetëm data, detyrat dhe vlerësimet. Kështu e kërkojnë nëpunësit, por
pas këtij jetëshkrimi dhe fotografisë, fshihet një jetë e tërë, një histori
njerëzore e mbushur me përpjekje e mundime, fitore, dështime e zhgënjime, për
të bërë më të mirën e mundshme, njëkohësisht për t’u bërë dikush në jetë, për
t’u rritur jo vetëm si moshë, por edhe si njeri e specialist, me dije dhe
kulturë qytetarie e shqiptarie. Shumë herë, nga “modestia e tepruar” harrojmë
edhe gjurmët që kemi lënë.
Shpesh në shkrimet e mia kushtuar punës në
shkollën e Mesme të Katundit të Ri, theksoj pa mëdyshje një shprehje që ja
kujtoja drejtorit Jusuf Hoti, i cili nuk jeton më mes nesh: “Je me fat, që në
shkollën që drejton, ke mësues të aftë, të mirë dhe të përkushtuar”.
Isha plotësisht i bindur dhe koha e vërtetoi, se
nga kjo shkollë kanë dalë me dhjetëra kuadro që ndoqën Universitetin, dhe
askush nuk u kthye pa e përfunduar me rezultate të mira dhe shumë të mira.
Madje na takon të mburremi, se mes tyre tre nga ish nxënësit tanë, Mitat Mema,
Shpendi Shahini, Hazbi Lika, kanë merituar titullin Prof. e “Doktor shkencash”, dhe kanë arritur shkallën Akademike si rektorë
Universiteti, për të vazhduar me mjekë, arsimtarë, ekonomist, ushtarakë, specialistë
bujqësie, gazetarë, poetë, piktorë, pedagogë Universiteti e deri te Dom. Gjergj Meta si shërbestar i Zotit,
Arben Çejku ambasador, Pëllumb Berisha deputet, më tej edhe ushtaraku Agron
Myftari, “Dëshmor i Demokracisë”.
Nuk besoj se gaboj kur them, se shkollës i japin
emër mësuesit e përgatitur dhe kërkues, por më së shumti nxënësit e mirë, të
cilët përparojnë në shkollë dhe në jetë. Këtu mund të shtoj pa u kursyer, se
emrin e mirë e japin edhe veprimtarit e ndryshme letrare-artistike, sportive, dhe
sidomos ato shkencore, që lenë gjurmë në historinë e vetë shkollës.
Çdo njeri, në veçanti çdo mësues e shkruan
historinë gjatë kohës që jeton e punon, ndaj duhet thënë pa modesti, (kur është
e tepërt kthehet në dobësi), se kjo shkollë si rezultat i punës së mësuesve
specialist, ku bën pjesë edhe Ali Balliu, arriti në atë shkallë të tillë
suksesi dhe njohje, sa shumë veprimtari, si arritje dhe zbatim në fushën e
bujqësisë, jo vetë në shkallë rrethi të Durrësit, por edhe në shkallë
kombëtare, të zhvillohen në shkollën tonë. Besoj se është e vetmja, mbase e para
shkollë e mesme, që në provimet e maturës, të zbatojë mbrojtje të temave
shkencore. Ishte vërtet një arritje e madhe, jo vetëm për kohën. Më vjen keq që
kjo përvojë e dobishme për nxënësit, nuk zbatohet më në shkollat tona.
Ali Ballun të gjithë e njohin më së shumti si
specialist i bujqësisë i papërtuar, por duhet thënë se ai gërsheton këshillat
dhe udhëzimet profesionale me shkrime letrare e artistike. Mbase është dukuri e
rrallë në letrat shqipe, po ja që kështu ndodh dhe e uroj të vazhdojë pa u
lodhur.
Unë nuk kam ndërmend të analizoj përmbajtjen e
librit më të fundit, “Udhët me kalldrëm të jetës sime”, me autor Ali Balliu,
libër u botua pak kohë më parë. Nuk dua të ndalem as te vlerësimet e shumta, që
ka marrë nga dikasteret e ndryshme, jo vetëm këtu brenda vendit, as te
dekoratat që flasin me gjuhën e heshtjes, pasi listën të plotë do t’i gjeni të
pasqyruar në fund të librit. Po kursehem të përmend vetëm pak prej tyre:
1. Dekoratë: “Naim
Frashëri”, nga Kuvendi i Shqipërisë. 1991.
2. Çertifikatë nga
Komisioni Europian. Viti 2014.
3. Çertifikatë nga Bashkimi
Europian. Viti 2015.
4. Kandidat për deputet. Në
zgjedhjet e vitit 1996. Etj, etj.
5. 5. Ambasador i paqes.
Pranuar në “Federatën e paqes Universale”, dega Durrës. Janar 2024. Me rastin e
ceremonisë së pranimit, thura katër vargje:
“Agronom e mësues, i bëre një,
Në fushë e shkollë mbolle dituri.
Edhe në libra çele një zë…..
Ambasador i paqes në krijimtari!”. Poezia. “Kartolinë
urimi”.
Sa për librin, edhe këtë herë do veproj si për
të gjithë librat që kaloj nëpër duar, sepse nuk i shtoj dot vlerat që pasqyron
vetë autori. Është këndonjësi që i jep notën e merituar. Ndaj po qëndroj te
puna dhe veprimtaria pas daljes në pension, kohë që jo të gjithë e vlerësojnë
dhe harxhojnë duke punuar.
Këtu
po mjaftohem me këto pak fjalë të shkruara nga znj. Milva Ekonomi: “Ali
Balliu është një specialist agronom, që vazhdon të ndihmojë fermerët e Katundit
të Ri, dhe pse mosha e ka tërhequr nga tregu aktiv i punës. I palodhur, buzagaz,
me një zemër të madhe dhe gjithmonë optimist, kështu e njohin të gjithë në
zonë”.
Megjithatë,
po ndalem në një veprimtari, që mesa di unë, kështu më thonë edhe shokët dhe
miqtë mi të shumtë, është e rrallë, për të mos thënë e vetme: Kolegët mësues të
Shkollës së Mesme “Jusuf Hoti” në Katund të Ri, që kanë dalë në pension, po
mblidhen dhe festojnë së bashku, disa herë në vit, me shkak apo pa shkak. Dhe
nismëtar i kësaj “lëvizje”, është kolegu ynë Ali Balliu, i cili kur doli në
pension na mblodhi kolegët e hershëm, për të festuar jo moshën, pasi nuk e
pranon fjalën “i moshuar”, por punën që do bënte dhe po bën, pa i thënë dhe pa
e detyruar kush.
Të
them të drejtën na pëlqeu ky takim festiv, dhe kështu me radhë, kohë pas kohe,
mblidhemi dhe festojmë, ku nuk mungojnë dollitë për njëri-tjetrin, as shakatë,
kënga dhe vallet, përfshi edhe kujtimet për bëmat tona gjatë kohës së punës si
mësues, por edhe për të thënë: “Ç’ kam bërë, ç’po bëj dhe ç’do të bëj”. Kjo
është një tjetër temë bisede dhe kuvendi, ku diskutimet marrin udhë në
frymëzim, për ta ndjerë veten më të ri dhe mes të rinjve.
Shpesh
këmbejmë libra të botuar e të përuruar mes miqsh e shokësh, poetësh e shkrimtarësh, siç ka bërë Aliu, si
botues dhe anëtar i “Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit”, siç do
të bëj edhe unë në takimin e radhës, pasi në këto dit shkurti 2025, kam botuar
librin më të fundit. “Filxhani me buzë të kafshuar. Tregime”, ku ka tema e
ndodhi të mara e të jetuara nga koha pa kohë, me kolegët, nxënësit, kuadrot dhe
banorët e fshatit, në fshatrat e Komunës Katundi i Ri.
Ajo
që më pëlqen ta theksoj për kolegun dhe mikun e hershëm është thjeshtësia,
sinqeriteti, besa dhe mirënjohja që buron nga shpirti. Është i papërtueshëm në
çdo punë që merr përsipër. Dëgjon shumë dhe flet pak. Është i guximshëm në
fjalë dhe premtim, ku nuk mungon edhe durimi e këmbëngulja, kur ngacmohet nervi
nismëtar për gjëra të bukura, si në takim e kuvende miqsh, konferenca, tubime e
udhëtime, sport, muzikë dhe shkëmbim përvoje, etj, etj.
Urime
koleg e mik i vyer! Jetë të gjatë dhe shëndet të mirë! Ke ende kohë për të bërë
gjëra me vlerë, duke lënë gjurmë në historinë tënde, të familjes, miqësisë,
shoqërisë dhe krijimtarisë letrare dhe profesionale.
Po
citoj dy fjalë që i kam dëgjuar nga ti, ku ka mendim të ngjeshur dhe shumë
filozofi:
“Shumë njerëz
mbahen të mëdhenj, kur janë hipur mbi kalë.
Por nuk e
dinë, se jeta të madhëron me vepra, jo me fjalë”.
Miqësisht!
Kadri
Tarelli
Fund marsi, 2025.