| E marte, 25.03.2025, 07:59 PM |
ME RASTIN E 135-VJETORIT TË VDEKJES
THIMI
MITKO
Nga
Xhelal Zejneli
Një nga ‘zbuluesit’ e parë shqiptarë të
trashëgimisë folklorike në Shqipëri ishte Zef Jubani (1818-1880), i njohur edhe me emrin Zef Ndokillija.
Është autor i veprës “Racconti di canti
popolari e rapsodie di poemi albanesi”, Trieste 1871 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare). Ky libër
përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte. Është e para vepër
folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë.
Përmbledhja e dytë e rëndësishme me
letërsi gojore shqiptare u botua nga folkloristi dhe personaliteti kombëtar Thimi Kostë Mitko (1820-1890) nga
Korça, përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Xhaxhai i Thimit
ka qenë udhëheqës i revoltës në Korçë dhe në Tepelenë kundër reformave turke të
Tanzimatit. Shkollën fillore greke, Thimi e bëri në Korçë. Më 1850, bashkë me
xhaxhain u largua në Athinë. Prej aty vajti në Pllovdiv, më pas në Vjenë ku
edhe punoi disa vite si rrobaqepës. Më 1865 Thimi Mitko emigroi në Egjipt. Në
Beni Suef hapi një punë tregtie dhe iu
përkushtua lëvizjes kombëtare. Vdiq nga një sëmundje e rëndë, në Beni Suef më
22 mars 1890.
* * *
Thimi Mitko ishte veprimtar i shquar i
Rilindjes Kombëtare Shqiptare, folklorist. Për një kohë punoi në vendlindje,
Korçë. Më pas u hodh në mërgim, në Manastir, Athinë, Filipopoli, Vjenë dhe që
nga viti 1859 jetoi në Egjipt. Zhvilloi veprimtari patriotike të gjithanshme,
në bashkëpunim me ideologë të Rilindjes, si Abdyl Frashërin (1839-1892), Kostandin
Kristoforidhin (1830-1895), De Radën
(1814-1903) etj. Ishte figura kryesore e kolonisë shqiptare në Egjipt.
Ndërmori udhëtime nëpër shoqëritë e kolonive shqiptare. Shkroi artikuj në
shtypin e kohës: në “Zëri i Shqipërisë”
të veprimtarit iluminist të arbëreshëve të Greqisë, i cili punoi për çështjen
kombëtare dhe përparimin e kombit shqiptar Anastas
Kullurioti (1820-1887); në “Fiamurin
e Arbrit” të De Radës; në revistën ndërkombëtare të Kluzhit (Rumani) “Acta comparationis litterarum universarum”,
ku bënte pjesë në grupin e redaksisë. Në vitin 1859 e më pas botoi në disa
numra të gazetës “Pandora” të Athinës shkrimin “Disa shënime rreth Korçës”, ku mbojti të drejtat e popullit
shqiptar. Të njëjtin qëllim patën edhe shkrimet e tij “Gazeta e Livornos mbi çështjen shqiptare” (1879), artikujt
publicistikë dhe poezitë. Në shkrimet e tij mishërohen idetë patriotike të
Rilindjes: thirrja për bashkim, lartësimi i traditave të kombit, arsimimi në
gjuhën amtare, kushtrimi luftarak kundër pushtuesve të huaj. U shqua sidomos si
folklorist. Mblodhi pasuri të
folklorit shqiptar nga krahinat e jugut dhe të veriut, por edhe nga arbëreshët
e Italisë, nga arbëreshët e Greqisë. Ato i botoi në vëllimin “Bleta shqiptare” (1878). Iu rrek kësaj
pune për qëllime patriotike dhe për të shpëtuar nga harresa krijimet
folklorike. U përpoq për ta paraqitur trashëgiminë folklorike në një plan
gjithëkombëtar, me një renditje deri diku shkencore. U përpoq të nxjerrë në
dritë pasuritë e gjuhës shqipe dhe ta ngrejë shqipen e folur në shkallën e një
gjuhe të punuar të përbashkët. Shkroi 15 apo 20 vjersha me motive atdhetare. Poezia
e tij “E ndë Shqiptarët gjithë sa janë”
(1867), me thirrjet për bashkim dhe për kryengritje të armatosur, është një nga
dëshmitë e para të letërsisë luftarake të Rilindjes. Përshtati “Marsejezën”. Në vitin 1981, krijimet e
tij u botuan me titull “Thimi Mitko,
Vepra”.
* * *
Thimi Mitko filloi të shfaqë interesim
për folklorin rreth vitit 1859 kur ishte në Vjenë. Nga Spiro Dine (1846? – 1922) mësojmë se Mitkoja kishte nisur të
regjistronte material folklorik para vitit 1866. Ai i dha Dhimitër Kamardës (1821-1882) këngë popullore, gjëegjëza dhe
përralla për përmbledhjen e tij.
Përmbledhja e Mitkos me folklor
shqiptar përmbante 505 këngë popullore dhe 39 përralla e fjalë të urta
kryesisht nga Shqipëria e jugut. Vepra u përfundua në vitin 1874 dhe u botua me
alfabet grek katër vjet më vonë, në vitin e Lidhjes së Prizrenit, me titullin
greqisht “Albanike melissa” dhe shqip
“Bëlietta shqipëtare” (Bleta shqiptare),
Aleksandri 1878.
Kjo vepër nuk qe vetëm e para
përmbledhje e letërsisë gjore e destinuar për publikun shqiptar, por edhe e
para përmbledhje e tillë me interes të vërtetë shkencor. Flitet se një kopje e
këtij libri është djegur publikisht në Athinë.
Botimet e mëparshme me këngë dhe
përralla popullore shqiptare kanë qenë tepër të rralla dhe nuk i kishin
përfshirë aspektet më të bukura të letërsisë gojore shqiptare, as i kishin
mbuluar të gjitha trevat dhe gjithë tematikën. Mitkoja u përpoq që këtë trashëgimi
kombëtare të letërsisë gojore ta paraqiste dhe ta ruante në mënyrë sa më të
plotë. Në parathënie ai e shpreh qëllimin e tij: “... shpëtimi edhe dhënia brezave që vinë, i fjalëve dhe teksteve shqip
të cilat para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime dhe besoj se
do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës
shqiptare, veçanërisht dua që t’u ipet një shkak e një nxitje bashkatdhetarëve
shqiptarë për të kaluarën dhe për të studiuar gjuhën e tyre amtare, në këtë
mënyrë t’u sjell dobi që të mundin edhe këta të përparojnë...”.
Materiali i “Bletës shqiptare” është klasifikuar dhe renditur sipas gjinive.
Libri përfshin pjesë me këngë për të vegjël, këngë për festat popullore të
motmotit, këngë dashurie, këngë dasme, nizami, kurbeti, vaje e këngë vajë,
balada, epika historike, si dhe përralla, fabula e anekdota. Si shtojcë ka një fjalor shqip-greqisht.
Me këtë përmbajtje për atë kohë, kjo
përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën
Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe
interesimi për letërsinë gojore dhe për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri
që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me aq vëmendje që meritonte.
Vepra u ribotua nga Gjergj Pekmezi (1872-1938) në Vjenë më 1924, duke e përdorur alfabetin shqiptar të kohës, me titullin
“Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos”. Në
këtë variant, vepra u prit më mirë.
Mitkoja hartoi edhe një përmbledhje
tjetër shtojcë me letërsi gojore shqiptare e njohur me emrin ‘Bleta e vogël’, por nuk mundi kurrë ta
botojë. I pabotuar mbeti edhe fjalori i tij shqip-greqisht me rreth 3000 faqe dorëshkrim,
që u zbulua më vonë në Aleksandri. Dorëshkrime të tjera të tij që presin të
studiohen, janë ato që ndodhen në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës
Mbretërore në Kopenhagë.
Përveç interesimit për letërsinë
gojore, Mitkoja ishte aktiv edhe në lëvizjen kombëtare, sidomos si autor i të
paktën pesë artikujve në periodikë evropianë në mbështetje të çështjes
shqiptare. Kur shpërtheu lufta me Malin e Zi në fund të vitit 1880, ai
shpërndau një përkthim shqip të Marsejezës. Në vitin 1881 Thimi Mitkoja qe një
nga anëtarët themelues të seksionit egjiptian të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Më pas ndërmori
shpërndarjen në Egjipt të së
përmuajshmes ‘Fiamuri Arbrit’ të Jeronim De Radës (1814-1903). Kjo
revistë e De Radës u botua në Kalabri nga korriku i vitit 1883 deri në nëntor
të vitit 1887.
Mitkoja shkroi edhe pak poezi. Janë
ruajtur pesëmbëdhjetë vjersha të tij. Njëra prej tyre është botuar në
antologjinë “A Dora d’Istria gli
Albanesi” (Dora d’Istrias shqiptarët, Livorno 1870) të gjuhëtarit dhe filologut arbëresh Dhimitër Kamardës (1821-1882). Poezitë e Mitkos nuk kanë ndonjë
vlerë letrare të veçantë.
Me interes letrar dhe historik më të
madh është letërkëmbimi i tij i
vëllimshëm me albanologë të tjerë të shquar të kohës, si Jeronim De Rada (1814-1903), Dhimitër Kamarda (1821-1882), studiuesi
arbëresh nga ishulli Hidra i Greqisë Panajot
Kupitori (1821-1881), gjuhëtari çek i cili është marrë edhe me studimin e
gjuhës shqipe Jan Urban Jarnik (1848-1923),
Dora d’Istria (1828-1888), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Visar Dodani (rreth 1857-1939),
personaliteti politik dhe shtetëror italian me prejardhje arbëreshe Françesko Krispi (1818-1901) dhe albanologun
austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900).
Përpjekjet e Thimi Mitkos në fushën e
folklorit u vazhduan nga bashkatdhetari i tij Spiro Risto Dine (1846? - 1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. I
pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më
sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën
Konstantin Gjeçovi–Kryeziu (1874-1929).