| E hene, 24.03.2025, 07:54 PM |
NJË FUSHATË “GALLATË”, PJELLË SHTET SALLATË
Nga
Llesh NDOJ, Lezhë
Ndryshe nga fushatat e
mëparshme zgjedhore ku gjuha e dhunës nuk ka tentuar asnjëherë t’a maskojë
veten me gjuhë politike apo politike - diplomatike, kjo fushata e vitit 2025 ka
nisur e gjitha si një “gallatë - sallatë”, ku secili prej aktorëve politikë
mundohet të paraqitet para votuesve të mundshëm i qeshur, plotësisht i lumtur e
me sens humori, me qëllimin që të “injektojnë” tek ata idenë se pushteti i tyre
paszgjedhorë i tillë do të jetë, humor e gallatë, apo një sallatë - gallatë
origjinale e tipike shqiptare, ku në të njejtën pjatë serviren edhe turshi,
edhe të freskëta, edhe djegëse, edhe bulmet e mish, edhe… Në fakt kemi të bëjmë
me një maskë të re në fytyrën e vjetër të politikanëve, prej të cilëve shumicës
u ka ikur koha dhe janë konsumuar, ndërsa disa të tjerë synojnë të bëj efektin
e magjisë tek votuesit. Por populli thotë: Plakën vishe nuse sa të duash, edhe
pse me rroba plot ngjyra e gjithë tualet, ajo plakë se plakë mbetet! Mjafton
një gërvishje e lehtë dhe të del në pah fytyra e saj e vërtetë. Dhe nusja nuk e
ka larg të pamen. 11 maji është si nesër e pushteti i saj do të mbetet si dje,
si pardje, si… si këto 35 vite tranzicion ku, sapo hedhim një hap përpara,
bëjmë dy hapa pas dhe rezultati dihet!
1. Gallatë – sallata, Rama - Basha, një e
vërtetë që vjen me nota të sforcuara humori
Dy aktorë tashmë të
vjetër të politikës shqiptare, për shumë vite rivalët kryesor në ndeshjet, herë
me mjete politike, herë me mjete parapolitike, herë në konflikt të hapur e herë
në marrëveshje të shpallur apo të fshehtë, Rama dhe Basha, si kurrë më parë,
kanë nisur “dialogun politik” me një skenar të ngjashëm me atë të “babales”,
por tashmë me nota humori që të bëjnë të qash me lotë. Rama, kij inatin e foli
hakun, është më i natyrshëm në panatyrshmërinë e figurës së një pushtetari të
regjur që duhet të ishte. Ai herë me sopatën supit, herë me gjethe fiku mes këmbëve,
herë me çitjana, herë tjetër me lodër, herë me këngë e herë “He, ore gaxhie,
jam njëri prej jush”, herë me çorape dyngjyrëshe, e herë tjetër me atlete e
kollare të dizenjuara sipas mendjes së vet, gjithnjë ka përdorur simbolika që i
kanë rezultuar jo të pa suksesshme në jetën politike, ndonëse ato ishin dhe janë
të pa pranueshme për shijet e shumëkujt që është larg politikës bashkëkohore. Nga
ana tjetër Basha është gallatë e sallatë fund e maje e kështu ishte edhe më
parë. Njejtë më tingëllon si “7 x 7 = 42” e thënë seriozisht prej tij, si “7 x 7
= 313” e thënë si mtaforë e burgut plot me kolegët e Ramës, si kur këndon
himnin kombëtar e merr poza heroike, edhe kur qesh me zgërdhimbje e llakos flokët
deri në ngrirje, si kur ndez molotov kundër institucioneve shtetërore, edhe kur
mban tufa lulesh në dorë, gjithnjë i panatyrshëm. Por e reja është se dueti
Rama - Basha në versionin gallatë, tërësisht pa sens, apo sallatë lapsusesh,
është i ri e si i tillë meriton vëmendje. Rama, në mos e pastë këtë si shërbim
ndaj Berishës, me të cilin Basha e ka betejën e vërtetë e përjetësisht të
humbur, e ka si pasion artisti ose si manipulator i lindur për të çorinetuar
mendjet e mbështetësve nga ato që janë halle e problem themelore të zgjedhësve,
dhe dështime të tij e të qeverisjes që e drejton tash 12 vite, aq edhe për të marrë
qoftë edhe një votë nga kundërshtari pasi e di mirë, ndonëse arithmetikën e
njeh vetëm pak më mirë se Basha, se plus një në këto raste është diferenca dy.
Ndërsa votuesit e vet i quan “të vathit”, i barazon me zero dhe pak ia ndjenë
për ta, me këtë matematikën e tipit “0 +
1 = 2”, synon të kompensojë edhe matematikën bashjane “7 x 7 = 313”, për hir të
faktit, gjetje e bukur që shpreh realitetin. Ku dhe si do të shprehet kjo
sallatë - gallatë më 12 maj, nuk është zor për tu parashikuar, por jo edhe aq e
lehtë, kur kujtojmë historinë e marrëveshjeve në antagonizëm mes tyre. Rama do
të mbetet edhe në vijim shakaxhiu i pushtetit dhe i përparimit, ndërsa Basha me
buzëqeshjen e ngrirë duke pritur fatin e Berishës se mos i rikthehet vula e
humbur... Në se jo, Hollanda është afër!
2. Berisha - Rama, nje “de jav?” që t’a shpif!
Berisha është ndërkohë
si hija e ringjallur nga fundi i Ferrit të Dantes, që nuk e ka harruar gjuhën e
djallit, por i ka shtuar asaj elementë të rinj, ndonëse pa frymë e pa fantazi.
Ai nuk ka asnjë ide të re në këtë fushatë zgjedhore, veç Amerikës e Tramp - it
që s’besoj të bëhen shqiptare. Ora e tij ka ngecur tek komunizmi, tek etërit që
duhen luftuar, jo për çfarë kanë sjellë për vendin si pasojë e qeverisjes së
tyre, por thjesht se synon t’i mbërrijë e t’i tejkaloje ata, megjithëse nuk
mundet dot “pa i rrëzuar” si fillim, pasi e di mirë se nuk rrinë dot dy statuja
në të njejtin piedestal. Edhe pas 35 viteve nga shfaqja e tij e hapur në skenën
politike (se aty ka qenë, por i heshtur, si miza nën bishtin e kalit) ai
vazhdon të luajë me njerëzit dhe tashmë me votuesit, me parullat e
antikomunizmit, por premton një pjellë - pushtet, njëlloj si ai komunist, në
mos më të egër, përmes të cilit vullneti i Saliut është vetë demokracia,
integrimi, kultura, drejtësia…, ëndërra këto që as Enveri nuk mundi t’i shihte
kaq të pastra edhe kur ishte në kulmin e moshës e në zenit të pushtetit. Atë e
kanë përfshirë dukshëm ethet model “Trump” me “Make Amerika Great Again”, të
njohur si MAGA e famshme e fushatës së tij presidenciale, por harron se as ai
s’është Trump - i, as Shqipëria s’bëhet dot Amerikë. Trump ka shpallur se do e bëjë
Amerikën të madhe përsëri, po ajo e madhe ka qenë, ndërsa politikat e dëshmuara
të Saliut dhe vizioni i tij politik e bëjnë Shqipërinë edhe më të vogël se sa ka
qenë dhe sa e kanë bërë atë padrejtësitë e dëshmuara historike. E nisi me “Ta bëjmë
Shqipërinë e Madhe”, por dikush ia kujtoi se kjo nuk i shkon përshtat aleatëve
të tij në prapaskenë, grekut dhe serbit, e mund t’ia sabotonin fushatën e tij,
ndaj e ndryshoi sloganin në “Shqipëria Madhështore”! Po kur ka qenë Shqipëria
Madhështore ndonjëherë, në kontekstin që thotë Berisha? Veç një cope të saj,
Shqipërisë zyrtare, që pas vitit 1944 mbeti e pa pushtuar nga të huajt dhe e
“shiti veten” shumë lart me ngjyrat e propogandës komuniste, kurrë Shqipëria
s’ka qenë madhështore, por e pushtuar, e tradhëtuar, e shpërfillur, e plaçkitur
dhe e varfër. A mos ndoshta modeli i Shqipërisë komuniste është modeli i
“Shqipërisë Madhështore” që synon Saliu? Gjasat që projektohen nga modeli i tij
politik, por edhe nga i vetmi model që ai njeh, janë për po. Në skenë ka thirr
“mjete të reja”, ndonëse vallja e tij hidhet njëlloj, me “muzikën e vjetër”,
apo gjuhën e dhunës e kërcënimeve. Riaktivizimi I skenarit “Babale”, ka marr
formën e incizimeve Rama – Veliaj, Veliaj – Dado, apo të zhvillimeve “Toyota
Yaris” e sa e sa të tjerëve, kryesisht shpikur nga mendja e tij, thjesht për të
bërë të pranueshëm nusërimin për here të tretë! Edhe këtu, ndonëse me diferenca
të dukshme ideore e në mhete, nuk mbetet pas as Rama, duke sjellë një duet
tjetër të njohur, por aktualisht disi të heshtur. Shqipëria nën mandatet
radhazi të Partisë Socialiste dhe për shkak edhe të vizionit shumë modern të
zotit Rama, ka njohur përparime sa i takon emrit e prestigjit të saj në botë.
Kryesimi i Këshillit të Evropës, kryesimi dy herë i Këshillit të Sigurimit të
OKB-s, qasja e saj ndaj ngjarjeve botërore e pozicionimi i duhur e i guximshëm
në konfliktet rajonale e botërore, ruajtja e palëkundur e orientimit euro - atlantik
dhe përparimet e dukshme në fushën e integrimit, rifitimi, në një farë shkalle,
i rolit dhe pozicionit rajonal (akoma jo aty ku duhet edhe me ndihmën e
politikës berishiste në dy anët e kufirit) dhe perspektiva e anëtarësimit në
Bashkimin Evropian në 2030 - tën, nuk mund të jenë sinonime me parulla të tilla
“ose me ne, ose bëhet kiameti”, që po i përdor tani Rama si boshtin e fushatës
së tij politike. Pa ia mohuar punën e meritat atij e partisë së tij, Shqipëria
dhe faktori shqiptar kanë luajtur e do të luajnë rol kyç në rajon e nuk ka për
të patur integrim të Ballkanit në Evropë pa ta. Edhe para Enverit e pas Hoxhës,
para Saliut e pas Berishës, para Edit e pas Ramës, ky rol nuk mund të zhduket.
Vetëm Gjergj Kastrioti, të cilit edhe sot i ngrihen monumente krenarie kudo në
botë, do të kishte të drejtë të mburrej si këta, por ai pati thënë krejt gjë tjetër:
Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj! Gallatë - sallata politike
edhe këtu të bën për të vjellë. Ka edhe më keq: Non grata i SHBA - ve, pretendon
heqjen e vizave me Amerikën, kurse tjetri thotë se pa mua (pa atë!) “trenit
integrues i mbaron benzina…”.
3. Doni një deputet që nuk fle, por mendon veç
për Ju? Votoni….
Megjithëse një hap më
pak se gjysmak, këto zgjedhje kanë dy risi, të cilat shpresoj të shënojnë jo
kthesën vetë, pasi ajo nuk do të arrihet e nuk mund të arrihet me kaq, por të
paktën shenjën apo gurin e kthesës. Këto dy risi janë votimi i emigrantëve dhe
hapja e pjesëshme e listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Nuk dua t’i mohoj ato si arritje, as të them se nuk do të sjellin asnjë pasojë
për skenën politike shqiptare, por ato do të jenë më pak se minimaliste. Pse?
Kam argumentuar në një shkrim të mëparshëm dhe kanë shkruar këto ditë edhe plot
gazetarë e analistë politikë se roli i diasporës nuk do të mund të sjell efekte
të dukshme në rezultat për shkak se ajo nuk vepron si një trupë elektorale
nëvete dhe humbet forcën e saj e copëzuar nëpër qarqe, dhe se lista, ndonëse ka
dy pjesë, atë të rreshtuar me vullnetin e liderëve politikë (jo me vullnetin e
forcave politike përkatëse!) dhe atë ku rreshtohen kandidatët që presin të
marrin votat personale midis votuesve partiakë, për të bërë të mundur kalimin e
“kufirit” apo vijës së kuqe, praktikisht është e mbyllur për dy arësye kryesore:
së pari, sepse praktikisht vetëm PS -
ja dhe në ndonjë qark, edhe PD - ja del përtej listës së mbyllur, duke fituar
më shumë se 33% të mandateve përkatëse dhe së
dyti, ata që janë mbi vijën e kuqe, apo në listën e mbyllur, janë shumica
përzierje vullnetesh mes drejtuesve politikë të partive dhe krimit e korrupsionit,
aspak vullnet përfaqësues të anëtarësisë dhe votuesve. Tani, këta të listës së
hapur, janë të vetmit zëra të veçantë të fushatës, sepse nisen nga interesi i
tyre thjesht personal. Nuk mund të them se mes tyre nuk ka kandidatë që në se
nuk fitojnë, do t’i mungojnë me dëm kuvendit të ardhshëm, ku do të veçoja
Xhafajn e PS - së, Tabakun e PD – së, e po të gërmoja do të listoja edhe 4 - 5
të tjerë në të dy krahët, por të dalësh e të pretendosh, siç po dëgjojmë në
këtë fillim fushate zëra që do të shumëfishohen në vijim, se “në doni deputet
që s’fle e s’pushon duke menduar e punuar për Ju, votoni për mua!”, është e
tepërt. Është e tepërt sepse një deputet që “s’fle e s’pushon” nuk mund të jetë
kurrë i qartë, ndërkohë që një deputet që veç “fle” nuk është aspak i dobishëm,
por më pak i rrezikshëm. Nuk mund të pretendosh sa më sipër, se sistemi ynë
politik nuk i jep shumë kompetenca deputetit. Vetëm deputetët “e veshur” me
pushtete speciale nga drejtuesit e plotpushtetshëm, ose ata që e kanë
“grasatuar fort qerren e pushtetit”, mund të zotërojnë edhe fuqi specifike, siç
ndonjë kandidat pretendon në fushatë. Ndërkohë thuajse asnjë prej atyre që janë
rrjeshtuar në listat e hapura me shpresën për t’u kyçur poshtë vijës së kuqe,
nuk flet asgjë për ato detyra që bëjnë pjesë reale në mandatin e deputetit, se
ato zor se do t’i jepnin vota apo ndoshta, as vetë ai nuk e ka të qartë përse kërkon
të zgjidhet! Shqipërisë i duhen deputetë pak, por njerëz me mendje të ndritur e
me qiriun e shpirtit shqiptar të pa fikur, që të bëjnë punën e tyre, pa
pretenduar “Skënderbeun”. Të ardhur si vullnet i drejtuesve fuqiplotë dhe
krimit, ose do t’u shërbejnë atyre, ose do të dalin ashtu siç hynë, pa emër, nga
loja politike e të përfundojnë, në mos në burg, në koshin e harresës, siç kanë
përfunduar shumë prej tyre. Kakofonia këtu, për shkak të numrit të madh të
pjesmarrësve, është sa qesharake aq edhe e trishtë, sa gallatë e komedi, aq
edhe serioze e tragjike. Njerëz që në jetën e tyre nuk e kanë lexuar fund e
krye një libër, veç atyre të arsimit të detyrueshëm (edhe ato në se i kanë
lexuar!), pretendojnë t’u japin mend shqiptarëve nga tribuna e Kuvendit, njerëz
që në jetën e tyre nuk u ka thënë kurrë kush “puna e mbarë”, as në familjet e
tyre jo më në shoqëri, pretendojnë të ndryshojnë ekonominë, arsimin, kulturën e
mirëqënien në vend, njerëz që as një esse nuk kanë shkruar në vitet e jetës së
tyre, pretendojnë të ngrenë peshë zemrat e shqiptarëve nga tribuna e Kuvendit.
Një pjesë e tyre fatkeqësisht, e mendojnë mandatin e deputetit si çertifikatë
që zëvendëson çdo aftësi profesionale e ua mbulon budallëkun, të tjerë edhe më
keq akoma, si çertifikatë që u mbulon vjedhjet, korrupsionin e krimin.
4. Partitë “e vogla” sillen si “të mëdha” e “të
mëdhatë” si parti - shtet!
Nuk është se më pëlqen
fort përdorimi i termave parti të vogla e parti të mëdha, as parti të reja e
parti të vjetra, por në mjedisin tonë politik këta janë termat që gëzojnë më së
shumti popullaritet. Një parti e bëjnë të vogël apo të madhe, të re apo të
vjetër, idetë, programet, objektivat e rrugët që parashtron në shërbim të
shoqërisë. Edhe me një numër të vogël anëtarësh, një parti që mbron një kauzë
të madhe e të drejtë dhe përfaqëson interesat e shumicës, që krijon besueshmëri
e lidership, është e madhe e mund të sjellë ndryshimin. Shembuj ka plot.
Ndërkohë që edhe një parti që “ka lindur” dje, mund të jetë me “mustaqe
politike”, pasi nuk ka ide, mbron ide të vjetra që koha i ka lën pas dhe zgjedh
të njejtën retorikë, si partitë shekullore. Fatkeqësisht asnjëra prej atyre
partive që kanë dalë rishtaz në skenën politike shqiptare nuk dallon shumë nga
partitë tradicionale, 35 - 85 vjeçare në vendin tonë. As këto s’kanë ide,
s’kanë programe të besueshme e nuk ngjallin besim, që vota ndaj tyre përbën votë
ndryshimi. Ato, në rastin më të mirë, nuk kanë ide, e në rastin më të keq janë
“këlyshë” të formacioneve politike të vjetra. Ndërkohë që dy partitë e mëdha, e
oborrtarët e tyre të përhershëm si Partia e Lirisë, Partia Republikane, Partia
Agrare, Partia e të Drejtave të Njeriut, apo më e fundit Partia e Pensionistëve
e ndonjë tjetër, duke i atribuar vetes gjithshka e pa asnjë kufizim, të kujtojnë
ish - Partinë e Punës së Shqipërisë, partinë - shtet që kontrollonte gjithshka.
A nuk të çojnë në këtë konkluzion prentimet e tyre se “do shkrijmë” e “do
ngrijmë” SPAK - un (as më pak e as më shumë se do zhbëjmë Kushtetutën!), se për
3 muaj do të zhdukim varfërinë, se do japim paga 1500 euro menjëherë e pensione
400 euro, se … Edhe sikur t’i marrim këto si premtime vullnetmira, ato nuk mund
të realizohen pa kompromis demokratik tej një partie, as nuk mund të arrihen
këta parametra mirëqënie me një të rënë të lapsit.
5. Shpresat tek gabimet e tjetrit, jo tek aftësitë tuaja
Po t’a ndjekësh me
kujdes diskursin politik të aktorëve kryesorë, kjo fushatë elektorale nuk ka
programe, bile disa deklarojnë se nuk u duhen gjë ato, nuk ka frymë dhe nuk
është një lojë ekipi, për këtë arësye liderët e tyre janë të sforcuar të mbeten
në zhargonin e termave politike, jo rrallë edhe parapolitike dhe nuk mund të
premtojnë me bazueshmëri se çfarë e kur do të realizojnë në pushtet, por venë
në shenjestër të bërat e të pabërat e kundërshtarit. Kandidatët për deputet,
sidomos në disa partiçka rishtare, bëjnë sallatë me propozime që tejkalojnë
edhe mendjet më të ndritura të drejtuesve partiakë. Partitë përgjithësisht, por
jo të gjitha, pavarësisht formës, nuk kanë një skuadër, as nuk kanë ç’të thonë
mbi vlerat e tyre, por përqëndrohen në sulmin ndaj kundërshtarëve, shpesh duke
harruar edhe etikën minimaliste qytetare. Të krijojnë pa sforco përshtypjen se
mes dy të këqininjëve ne, edhe kësaj here, do të na duhet të zgjedhim më pak të
keqin, dhe se do zgjedhim mes atyre që gabojnë, ata që gabojnë më pak! E mira
dhe të mirët mbeten akoma ëndërra, jo mundësi!
Së fundmi, zoti Rama
por edhe të tjerët, po luajnë lojën politike me shpopullimin dhe emigrantët. Shpopullimi,
kjo plagë reale e shoqërisë, mbetet pa fajtorë, ndonëse opozita ia faturon
Ramës, e Rama hapjes dhe integrimit, ndërkohë që të dyja paler premtojnë
rikthimin, pa hyrë tek Meta e partia e tij që pretendojnë Shqipërinë katër
milionëshe Brenda një mandate. Premtimet janë nga më qesharaket deri tek më absurdet.
Të bësh thirrje për rikthimin e tyre në atdhe, duke u thënë se këtu ka diçka që
s’e gjen në asnjë vend tjetër, është një gjë kryesisht në nivelin e
propogandës, e t’u krijosh atyre shpresën reale, është krejt tjetër gjë. Punët
e mira flasim vetë. Burokracitë t’a marrin frymën në këtë vend edhe kur qëllimi
është i mirë. Është lançuar prej shumë kohësh projekti “Shqipëria 1 euro”, por
asgjë s’është realizuar konkretisht, sepse 1 euro bën malli, e 1 milion euro të
bën halli. Burokracite të marrin frymën e paratë shkojnë lumë, e në fund, nuk është
çudi të të shkojë edhe koka. Kohët e fundit ka edhe një përpjekje të zotit Rama
që t’i ftojë emigrantët të kthehen e investojnë në tokat e tyre të trashëguara,
sidomos në zonat e Veriut, por mali me pengesa burokratike i kalon edhe malet
më të larta të Alpeve tona. Shteti akoma s’ka përfunduar ndarjen e tokës
bujqësore për familjet bujqësore që jetojnë me to e në to, pa folë për kullotat
e pyjet, dhe pretendon rikthimin e emigrantëve në tokat e stërgjyshërve. Toka
në gjysmën e vendit është djerrë e as pronarët nuk e punojnë dot sepse nuk e
kanë me dokumente pronësie, e as të tjerët jo se nuk është e tyre. Deri kur
kështu kjo zullumahi në ndarjen e pronave? Në këtë vend ka humb shpresa,
prandaj vetëm rikthimi i saj i rikthen shqiptarët, qoftë edhe përkohësht, por
mbi të gjitha frenon hemoragjinë e ikjeve të vazhdueshme, ndryshe… do të vije
dita që, kurdo të shkojmë tek shtëpitë e tokat tona të trashëguara brez pas
brezi, aty dikush (jo shteti) do të na presë serbes e të na thotë:
- Ndal! Ku po shkon? Kjo
është tokë e xanun!
Ndërsa argumenteve tona,
se është toka jonë e trashëguar prej gjyshit dhe stërgjyshit, do na pergjigjen:
- “Noc Rrokun” ke për
të marrë!
Sa
t’na mbetet “Noc Rroku” ne në derë, më mirë t’ua japim atë dhuratë partive,
kryetarëve e kandidatëve të pa fe e pa atdhe, në këto votime që nuk po sjellin
asgjë të re.
Lezhë, më 22 mars 2025
Dita e Sulltan Novruzit