| E diele, 23.03.2025, 06:55 PM |
Përkujtesë historike: 23 mars 1989
RRËNIMI
I AUTONOMISË SË KOSOVËS DHE FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË SË AVNOJ-it
Nga
Jusuf Buxhovi
Rrënimi
i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e
gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për
riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet
unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981,
me ç'rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e
vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për
hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe
me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve
në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe
përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej
të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua
përcaktoi formatin dhe kornizat me kërkesën " për barazinë e pozitës
kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë". Kjo nuk do të
thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në
përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së
barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.
Rrënimi
me dhunë i autonomisë së Kosovës nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e
njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i
platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur
demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, vlerësim ky që
hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi,
kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e
vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me
këtë gjendje.
Në
këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e
Kosovës, nuk ishte në gjendje që t'i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur
kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me
viktimizimin e Kosovës, gjë që ndoqi rrugën e
mbijetimit në përputhje me logjikën që të humbet sa më pak, deri te
limiti i mbrojtjes me anën e nenit
49, që nënkuptonte mos dhënien e
pelqimit për ndryshime, po qe se prekej
subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa
realitet politik.
Në
këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit
1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t'i
kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre
ndryshimeve, me ç'rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme,
që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së
jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e
autonomisë.
Këtë
e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur
delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve dhanë "pelqimin" për
këto ndryshime, pos 11 prej tyre, të cilët
votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e
kërcënmit me jetë.
Rrënimi
i autonomisë së Kosovës me anën e puçit kushtetues u përcoll me demonstrata të përgjakshme në
gjithë vendin, meqë u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia nga pushtimi
i pari në vitin 1912, që do të vazhdojë në vitin 1918 dhe
1944.
Krahas
demonstratave të përgjakshme që vazhduan për shumë kohë, ripushtimi serb i
Kosovës nxori në skenën politike
lëvizjen kombëtare, e cila filloi
me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga
intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të
cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç'rast u mor përispër
jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës i manifestuar me Deklarata Kushtetuese e 2
korrikut 1990, shpalljen e Republikës së
Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumin për
pavarësi, në shtator të vitit 1991.
Me
to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe
asaj të armatosur si pjesë e saj integrale, që me ndihmën e vendeve të NATO-s
të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor
1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe vendosjen e saj nën protekteratin
ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999. Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17
shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.