| E premte, 21.03.2025, 04:58 PM |
Vjosa Osmani jep përqafimin e mirënjohjes historike të shqiptarëve ndaj Amerikës
Në
këtë foto, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përqafon,
Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit”
nga “World Forum”, Berlin 18 mars 2025.
Nga
Albert Vataj
Kjo
nuk është thjeshtë një foto, apo thjeshtë një përqafim atëror, është forca
shpirtërore e mirënjohjes së një kombi që ofrohet aq madhështore përmes një
gruaje të madhe, e cila e shndërron këtë moment historik në logo.
Nëse
ju po kërkoni për të gjetur një diçka që përfaqëson konsideratën e thellë të
gjithë shqiptarisë, të popullit të Kosovës në veçanti, për atë që bëri Bill
Clinton për të ardhmen e popullit martir, kjo është ikonikja, që do të qëndrojë
gjatë në memorien e shqiptarëve.
Dy
moment kyçe në hisatorinë e shqiptarëve na lidhin me Amerikën dhe presidentet e
saj, i pari me Woodroë Wilson dhe shpëtimin e Shqipërisë më 1919.
Siç
dihet, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria rrezikoi të
copëtohej mes fqinjëve në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Presidenti
amerikan, Woodroë Wilson, u bë mbrojtësi kryesor i sovranitetit shqiptar, duke
kundërshtuar planet e Fuqive të Mëdha, për ndarjen e territorit të saj. Ai
përdori të drejtën e vetos në Lidhjen e Kombeve, duke deklaruar: “Shqipëria
duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.”
Falë
ndërhyrjes së tij, Shqipëria mbeti një shtet më vete, duke siguruar mbijetesën
e saj si komb.
I
dyti moment përcaktues dhe i dyti president i SHBA-ve, Bill Clinton dhe çlirimi
i Kosovës. Gjatë viteve 1998-1999, Kosova përjetoi një nga periudhat më të
errëta të historisë së saj, nën shtypjen e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.
Presidenti amerikan Bill Clinton, me mbështetjen e NATO-s, ndërmori një fushatë
ajrore kundër Serbisë nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Ky ndërhyrje
detyroi Serbinë të tërhiqej nga Kosova dhe çoi në vendosjen e një administrate
ndërkombëtare, e cila hapi rrugën për shpalljen e pavarësisë më vonë, në vitin
2008.
Nëse
mirënjohja e shqiptarëve ndaj presidentit Woodrow Wilson mbeti e shkruar në
ndërmendjet e hymnizime krijuese, e skalitur në vepra arti, në emrat që ju vunë
rrugëve dhe institucioneve, Clinton u bë një figurë simbolike për shqiptarët e
Kosovës, duke u konsideruar shpëtimtari i tyre, e shprehur kjo me një statujë e
në shenjë mirënjohjeje, vendosur në Prishtinë.
Kur
e pash këtë foto, duke e përcjellë këtë përqafim si një diçka që e sfidon
zakonshmërinë e imazhit politik, më rrëmbeu e njëjta ndjesi që duhet të ketë
përjetuar çdo shqiptar, i cili e di fort mirë fatin tonë në duart e
padrejtësisë së historisë, dhe është i vetëdijshëm për rolin përcaktues që kanë
patur burrështetasit e një kombi të madh. Nuk e di se pse kjo foto më kthen pas
në kohë, në kohën e asaj tragjedie që po bëhej në kurriz të një populli, ndaj
të cilit bota e qytetëruar, po tregohej e verbër dhe e shurdhër, duke
legjitimuar masakrat serbe ndaj shqiptarëve.
Por
do të kishte sy që shihnin përmes, zjarrit që digjte Kosovën, gjakut që vadiste
arat e lëna djerr, tymin që nxinte plista e bardhë borë, lotët e nënave që u
vriteshin bijtë dhe kujës së bijave që dhunoheshin nga shkijet, dihamëve të
fëmijëve dhe rënkimit të burrave.
Po
do të kishte sy dhe vullnet, forcë dhe vendosmëri, që do të përmendeshin dhe
njëmendeshin në këtë mobilizim mosdakordësie, që shuante etjen me gjak e lot
dhe krekosej tryezave të bisedimeve për paqe, veshur me kostumin e vdekjes.
Do
të ishin vetë të dërguarit e Zotit që do njëzëheshin e njëzemërshin, për të
ndaluar këtë tragjedi, për t’i treguar vendin mizorisë së fundshekullit modern.
Përkundër
një bote që toleronte mizorinë ndaj një populli që kërkonte të drejtën për
vetvendosje, do të ngrohej një burrë i një shteti të madh, të bënte drejtësi me
mjetet e duhura, përmes së cilave vjen nënshtrimi i të keqes dhe kurorëzimi i
paqes, për ata që e kishin paguar shtrenjtë legjitimitetin për të qenë vetë
vëndosës së fatit të vet, në truallin e të parëve, në amanetin e etërve.
Bota
shqiptare ka qenë fatlume dhe do t’i jetë falënderues përjetësisht Amerikës dhe
bijve të saj, për rolin që ata patën në përcaktimin deciziv të fatit të kombit
në histori, për atë që gëzojmë sot dhe do t’ua lëmë trashëgim brezave.
Dhe
vjen një ditë, ndoshta si edhe shumë takime dhe përvjetorë të tjera, por “World
Forum”, erdhi ndryshe ne këtë tubim në Berlin, kampionët global të demokracisë,
pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment
përcaktues për demokracinë në mbarë botën.
“Demokracia
është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme,
ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite.
Në
Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga
opcionet- është opcioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj –
shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur
në përkushtimin ndaj vlerave demokratike.” do të shkruante Osmani.
“Teksa
qëndroja para tij, (Presidentit Bill Clinton), kujtova marsin e vitit 1999, kur
dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim
tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë
lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga
demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur.
Mbështetja
e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave
amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
Faleminderit,
President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha
për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të
tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm
paqe.”, do të shkruante në postimin e saj në Facebook, më 18 mars 2025, Vjosa
Osmani.
Kjo
foto, ky përqafim, ky moment, ishin dhe do të mbeten ikonikë, jo vetëm në jetën
politike të Presidentes, Vjosa Osmani, por në vetëdijen e shqiptarëve, në të
drejtën e tyre për t’i qenë mirënjohës presidentëve të SHBA-ve, Woodrow Wilson
dhe Bill Clinton, jo më pak edhe ndaj Xhorxh W. Bush, Barak Obama, dhe
Amerikës, këtij kombi të madh që frymëzoi dhe motivoi burrështetas të mëdhenj
për të vendosur për fatin e një kombi të vogël, me histori të madhe.
Vizitoni: www.albertvataj.com