| E premte, 21.03.2025, 05:00 PM |
INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN
SHQIPTARO-AMERIKAN
FRANK SHKRELI (III)
KOSOVA
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Kosova ka një rëndësi të jashtëzakonshme
historike në kuadër të historisë shqiptare, duke qenë një nga qendrat kryesore
të identitetit kombëtar shqiptar dhe zhvillimeve historike kryesore ndër
shekuj. Në pjesën e tretë të intervistës me gazetarin dhe publicistin e njohur,
Frank Shkreli, do të përqëndrohemi në mënyrë të veçantë te Kosova dhe historia
e saj, duke e zbërthyer atë pa dritë-hije, pasi gjatë çdo periudhe ka arritur
të mbijetojë dhe të ruajë trashëgiminë e saj, pavarësisht sfidave të shumta me
të cilat është përballur.
GM: Si e vlerësoni rolin dhe rëndësinë historike të Kosovës
në zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe në proceset historike që kanë
ndikuar në fatin e shqiptarëve? Cilat janë momentet kryesore që, sipas jush, e
bëjnë Kosovën një pikë të rëndësishme në historinë shqiptare?
FSH: “Pa Kosovë nuk
ka Shqipëri”, ishte një thirrje pothuaj në çdo takim me karakter politik të
komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos mërgatës së vjetër antikomuniste këtu
në Shtetet e Bashkuara. M’u kujtua kjo thënje se edhe për mua, megjithse, i
lindur jasht kufijve të Shqipërisë së cunguar, në veri dhe jug, të 1912-ës, Kosova,
ashtu siç është edhe Çamëria dhe trojet e tjera autoktone shqiptare në
Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e të tjera, janë Shqipëri. Megjithkëtë, ishte Kosova që më duket mua e pësoi
më rëndë gjatë historisë sepse ka qenë dhe deri diku edhe sot, vazhdon të jetë
në ball të luftës për mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve, kudo.
Natyrisht se një prej këtyre momenteve historike për të cilën flitni ju Z.
Marku, besoj se është dhe mbetet Lidhja e Prizrenit, që nga pjesëmarrja gjithëpërfshirse,
vërtetë, ishte një takim mbarë-kombëtar që i ka hije historisë së shqiptarëve.
Një ngjarje që i shpallte botës lajmin e mirë se Kombi shqiptar kishte vendosur
të jetonte i lirë, brenda kufijve ku flitej gjuha shqipe. Për të mos shkuar më thellë në histori, roli i
Kosovës dhe i trojeve të tjera ishte i madh në kryengritjet siç ishte edhe Kryengritja
e Malësisë së Madhe me 1911, me në krye Ded Gjo Lulin. Kjo kryengritje
historike u pasua me kryengritje të tjer anti-osmane edhe në Kosovë, të
udhëhequra nga viganët e Dardanisë, Bajram Curri, Hasan Prishtina e Isa
Boletini. Këto lëvizje anti-turko-osmane kishin rëndësinë e vet se ndoshta për
herë të parë tërhoqen vemendjen e Evropës së diçka po vlonte në trojet
shqiptare. Një ndërkombëtarizëm i çeshtjes shqiptare! Të gjitha këto përpjekje u
kurorëzuan më në fund në pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor, 1912. E njëjta luftë për identitet vazhdoi në Kosovë
dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi, më vonë nën komunizmin
sllav, gjatë shekullit të kaluar. Ishte një luftë e përgjakshme për ekzistencë
dhe për të drejtat bazë të njeriut në trojet shekullore shqiptare. Ishte një
luftë e rrept kundër një armiku më të fortë. Shqiptarët e Kosovës u vranë e u
prenë në mbrojtje të shqiptarizmit në përgjithsi. Janë të shumta momentet, por rezistenca
serioze ndaj pushtimit serb ka filluar me demonstratat e vitit 1968 dhe të
mars/prillit të vitit 1981, në Prishtinë e gjetkë – një kthesë historike këto
që shënuan fillimin e ndarjes, njëherë e mirë, të shqiptarëve të robëruar nga
ish-Jugosllavia sllavo-komuniste. Me shtypjen barbare të atyre demonstratave
patriotike, terrori i egër serb dhe kasaphanja kundër shqiptarëve të Kosovës
vazhdoi deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, kur në Kosovë u themelua, në
fillim të 1990-ave, në kulmin e shtypjeve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës -- e
popullit të Kosovës -- e cila me ndihmën e Aleancës ushtarake të NATO-s luftoi
për çlirimin e Kosovës, një luftë kjo që më në fund çoi në pavarsinë që sot
gëzon Kosova, si një vend i pavarur, i njohur ndërkombtarisht nga më shumë se
100-vende të botës. Sot, detyra e shenjët dhe fisnike e të gjithë shqiptarëve
kudo që janë, është që të mbrohet dhe të ndihmohet Republika e Kosovës duke
shprehur mirënjohje të thellë për të gjitha ato që Dardania e vjetër dhe Kosova
e re kanë bërë gjatë shekujve, por sidomos fund-shekullin e kaluar – me shumë
vuajtje e sakrifica – për mbrojtjen e identitetit të përbashkët shqiptar dhe të
drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo që janë në trojet e
veta autoktone. Duke shpresuar se një popull që ka vuajtur aq shumë e që ka
derdhur gjak gjatë gjithë historisë së vet në mbrojtje të atij trolli dhe identitetit
të vet iliro-arbëror – do të dalë më në fund ngadhnjyes duke realizuar, përfundimisht,
ëndrrën shekullore të të gjithë
shqiptarëve: për një Shqipëri me Kosovë e Çamëri, por jo vetëm.
GM: Si e përshkruani periudhën para dhe gjatë viteve ’90 në
Kosovë në aspektin politik, shoqëror dhe kulturor? Cili ishte roli i mediave
vendore dhe ndërkombëtare në dokumentimin dhe pasqyrimin e ngjarjeve të asaj
kohe? A mendoni se media ka ndikuar në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për
situatën në Kosovë?
FSH: Siç dihet, ajo
ishte një periudhë shumë e vështirë për shqiptarët e Kosovës. Mbizotëronte
politika fashiste dhe miti “historik” serb i propaganduar i Sllobodan
Millosheviçit dhe klikës së tij. Një politikë e egër anti-shqiptare që ishte
një vazhdim i politikës terroriste të kasapit të tërbuar anti-shqiptar Rankoviqit
e që kishte filluar, intensivisht, që nga përpjekjet e mbledhjes së armëve në
Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, dekada para 1990-ave. Si rrjedhim, gjëndja
politike, shoqërore dhe kulturore ishte tejet e rënduar në Kosovën e atyre
viteve. Nën atë regjim të dhunëshëm e keqtrajtues ndaj shqiptarëve në
përgjithsi, e sidomos kundër intelektualve shqiptarë të kohës. Në atë kohë jetohej
dhe veprohej në fushën intelektuale, përfshirë edhe gazetarinë, nën rregullat e
totalitarizmit bolshevik, që ishte shumë më i rëndë në Kosovë se sa në pjesën
tjetër sllave të ish-Jugosllavisë: Për shqiptarët ishte më e theksuar ajo
fraza: Me ne ose kundër nesh. Sa i
përket rolit të medias – vendore dhe asaj ndërkombëtare – media vendore ishte
nën të njëjtat shtypje si çdo aktivitet tjetër shoqëror. Natyrisht se mediat
ndërkombëtare, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, u angazhuan fuqimisht dhe në
mënyrë të bashkrenduar me media të aleatëve perendimorë, si BBC e tjera,
sidomos, gjatë dekadës së 1990-ave, për t’ju përgjigjur censurës shtetërore dhe
mungesës së lajmeve dhe informacioneve të sakta e të balancuara gjatë krizave
në Ballkan. Një prej këtyre nismave të Shteteve të Bashkuara (Administratës së
Presidentit Clinton) për të kundërshtuar propagandën serbe të Millosheviçit,
sidomos, në lidhje me gjendjen në Kosovë, Zëri i Amerikës së bashku me
radio-stacione tjera perëndimore krijuan atë që quhej “Ring around Serbia”, një
numër radio-stacionesh vendase jashtë kufijve të Serbisë që transmetonin
programet e radio-stacioneve perëndimore, si VOA shqip, drejtuar Serbisë. Ato
dëgjoheshin në Kosovë, por dhe anë e mbanë Ballkanit dhe më gjërë, duke
informuar botën mbi luftën në Kosovë, por edhe për reagimet anë e mbanë botës
dhe për zhvillimet diplomatike të asaj kohe në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
Bazuar, gjithmonë, në premtimin e transmetimit të parë të Zërit të Amerikës
(1942) se, “Lajmet mund të jenë të mira për ne, ose mund të jenë të këqia. Por
ne do t’u themi të vërtetën!” Reputacioni i Zërit të Amerikës si burim lajmesh
të vërteta e të balancuara ishte ndër më të lartët nga programet e VOA-s. Gjatë asaj periudhe Zëri i Amerikës në gjuhën
shqipe dëgjohej nga 80% e shqiptarëve të Kosovës, por jo vetëm.
GM: Mirësia, trimëria dhe mençuria u bashkuan dhe lindi
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK! Më e shtrenjtë Kosova se jeta!...
FSH: Siç thash edhe
më sipër, në lidhje me proceset dhe momentet kryesore historike përmendet ju më
lartë e që kanë ndikuar përjetësisht në historinë kombëtare është pa dyshim
themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krijimi i saj ishte një mishërim i
të gjithë vlerave që përmende: mirësisë, trimërisë, mençurisë dhe bashkimit,
përball rrezikut të një armiku shekullor, barbar e terrorist. UÇK-ja e vendosur
para gjithë botës se ata do të mbronin me armë e me gjak, lirinë, identitetin
kombëtar dhe të drejtat e njeriut. Ashtu si gjatë gjithë historisë (Besëlidhja
e Lezhës, Lidhja e Prizrenit dhe kryengritjet e vazdueshme të popullit shqiptar,
anti-osmane e anti-sllave), edhe UÇK-ja iu përgjigj thirrjes së Atdheut për
t’iu venë në shërbim, në një periudhë ndër më të vështirat në historinë
shqiptare. Si një organizatë jo vetëm
ushtarake por edhe politike, UÇK-ja me gjithë sakrificat që është a pamundur të
radhiten këtu, pa asnjë dyshim, domosdoshmërisht, që zë një vend ndër më të rëndësishmit
në historinë moderne të Kombit shqiptar. Jam dakort me shumë vërejtës shqiptarë dhe të
huaj që konsiderojnë se si një organizatë mbarë kombëtare, Ushtria Çlirimtare e
Kosovës zë një vend më se të merituar në përpjekjet historike të Kombit
shqiptar për liri e pavarsi, me kontribute të rendësishme, përfshirë, sidomos, rritjen e vetdijes kombëtare. në
mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë por anë e
mbanë trojeve autoktone të veta në Ballkanin Perëndimor, por edhe në diasporë.
GM: Historia e vuajtjeve të popullit shqiptar nga gjenocidi
serb është një kapitull i tmershëm, i cili ka arritur kulmin në vitin 1999, me
masakra, vrasje, përdhunime dhe dëbime, ku përfshiheshin edhe mijëra gra, fëmijë
dhe civilë të pafajshëm. Si e keni përjetuar këtë periudhë aq të errët dhe
traumatike për popullin shqiptar? Si mendoni se mund të shpjegohet një mizori e
tillë, që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe shkatërrim, dhe cilat janë pasojat
që ka lënë kjo periudhë në shoqërinë dhe kujtesën kolektive shqiptare?
FSH: Gjenocidi dhe
krimet e luftës nga ushtria dhe policia terroriste serbe që ti radhitë në
pyetjen tënde, ishin ndër krimet më barbare kundër njerzimit në Evropën e pas
Luftës së Dytë Botërore. Krimet e luftës nga forcat serbe kundër shqiptarëve autoktonë
në Kosovë, sidomos gjatë vitit 1999, por edhe më heret, dhe anë e mbanë
Kosovës, ishin rezultat i një fushate barbare terroriste sistematike të
bashkrenduar mirë nga Beogradi zyrtar, me qëllim për të terrorizuar, për të
zhdukur me vrasje dhe për t’i dëbuar shqiptarët me forcë -- me objektivin
djallëzor për pastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Natyrisht
se krime të tilla monstruoze kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, tërhoqën vemendjen
e botës së civilizuar dhe ndërhyrjen masive të aleancës më të fuqishme ushtarake
në botë, NATO-s, për të ndaluar atë brutalitet. Ishte e pamundur për ne si
shqiptaro-amerikanë që punonim për Zerin e Amerikës që të mos ndjenim dhimbje
dhe zemrim. Por ne kishim edhe një punë për të bërë. Zëri i Amerikës, gjatë
kësaj periudhe kishte një audience mbi 80% në Kosovë, por jo vetëm. Lajmet që
vinin nga Beogradi ishin të manipuluara, jo të sakta. Në kohë lufte, VOA ishte
i vetmi burim i besueshëm lajmesh për shqiptarët e Kosovës. Vendimi i Zërit të
Amerikës gjatë asaj periudhe ishte që të zgjëronim programet e mediave ndryshme
të informacionit në shqip dhe gjuhët e tjera të ish-Jugosllavisë. Kur me sulmet
e saj, NATO realizoi objektivat ushtarake duke dëbuar forcat dhe policinë serbe
nga territori i Kosovës, Kosova ishte, fillimisht, nën protektoratin e Kombeve
të Bashkuara. Edhe programet e Zërit të Amerikës -- përveç transmetimit të
lajmeve mbi luftën dhe zhvillimet pas luftës -- në atë kohë ishin pjesë e
përpjekjeve ndërkombëtare perendimore për të siguruar paqën në Kosovë. Përfshirë
rindërtimin, paqëruajtjen dhe mbështetjen e proceseve politike- demokratike në
Kosovë. Pyet se si shpjegohet kjo? Është e vështirë të shpjegohet kjo mizori –
përveç urrejtjeve historike që serbët kanë për shqiptarët. Pse Hitleri ndërmori
holokaustin duke vrarë mbi 6-milionë? Pse Stalini/komunizmi zhduku mbi
100-milionë kundërshtarë? Pse Enver Hoxha ndërmori krimet ndaj kundërshtarve të
tij anti-komunistë – shqiptari kundër shqiptarit? Sa i përket pasojave, pasojat e kësaj historie armiqësore janë të
shumta, por një ndër to është se nuk duket se, midis shqiptarëve dhe serbëve do
të ketë ndonjiherë paqe, për derisa serbët refuzojnë të kërkojnë falje për
krimet e tyre kundër shqiptarëve dhe të dakordsohen që shqiptarët ashtu edhe
serbët të jetojnë secili në shtëpinë e vet dhe në paqë me njëri tjetrin.
GM: Si e vlerësoni rolin e diasporës shqiptare në
mbështetjen e çështjes së Kosovës, si para shpërthimit të luftës, ashtu edhe
gjatë saj? Cilat ishin format kryesore të angazhimit të diasporës dhe si e
ndikoi kjo mbështetje e tyre rrjedhën e ngjarjeve?
FSH: Roli i diasporës
mbarëshqiptare në Shtetet e Bashkuara është me të vërtetë një histori suksesi,
sa i përket pyetjes tuaj. Është e vërtetë se gjatë asaj kohe, gjithashtu, kauzat ishin të mëdha: shembja e komunizmit
dhe ajo që e kemi quajtur vazhdimisht, si “Çeshtja e Kosovës”: të drejtat bazë
të njeriut për shqiptarët, ndërkombatarizimi i çeshtjes së Kosovës, e deri tek
lufta për çlirim dhe pavarësia e Kosovës. Çështja e Kosovës: liria dhe
pavarësia e saj si shtet, shembja e Murit të Berlinit dhe tranzicioni
post-komunist në Shqipëri, ishin kauza historike kombëtare që kumbonin
vazhdimisht, natë e ditë, në veshët tonë gjatë periudhës së 1980-ave dhe
1990-ave, si komunitet shqiptaro-amerikan. Liria dhe demokracia e vërtetë për Shqipërinë
dhe për Kosovën ishin kauza dhe ide që në rininë tonë, na entuziazmonin të
gjithëve, sepse – ndoshta si asnjëherë më parë
në histori – kishin për të gjithë shqiptarët kudo, të njëjtin kuptim dhe
rëndësi për mbijetesën e Kombit shqiptar në pavarësi, liri e demokraci, të
pakën për një shumicë dërmuese të shqiptarëve, këtu në Shtetet e Bashkuara. Unë
besoj se duke marrë parsysh arritjet e diasporës sa i përket lobimit, sidomos këtu
në Amerikë, në mbrojtje të interesave kombëtare, komuniteti shqiptaro-amerikan ka
luajtur rolin dhe kreu misionin, që u kishte ngarkuar fati dhe historia
shqiptarëve të Amerikës – për të dytën herë në historinë e këtij komuniteti në
SHBA – në fillim dhe në mbarim të shekullit të kaluar. Angazhimet ishin në
nivel organizatash dhe individësh, por të gjithë të bashkuar për objektiva të
përbashkëta. Një ndër format kryesore të angazhimit të diasporës shqiptare në
Amerikë, ishin demonstratat në mbështetje të Kosovës, e që kishin filluar që
nga viti 1981 në Washington, Nju Jork para Kombeve të Bashkuara, pastaj në
Detroit dhe shumë qytete të tjera, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.
Fillimisht, për të tërhequr vëmendjen e publikut amerikan ndaj padrejtsive të
mëdha ndaj shqiptarëve atje dhe më vonë për të ndërkombtarizuar “çështjen e
Kosovës”. Por më e rëndësishmja, ishte ideja, sidomos për të informuar nivelet
më të larta të politikës amerikane, përfshirë publikun amerikan, mbi hallet e
shqiptarëve në trojet e veta, këtij populli të harruar në Evropë. Gjatë dekadës së 90-ave, lobi shqiptar në
Amerikë konsiderohej si i dyti më me influencë në Washington, pas atij
izraelit. Komuniteti këtu kishte gjatë asaj kohe ndërgjegje të thellë njerëzore
dhe kombëtare për fatin e bashkatdhetarve tanë, sidomos atyre në Kosovë.
Njëkohësisht ishim edhe mirënjohës të thellë për ndihmën e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe shqiptarët: mirënjohës ndaj këtij vendi
të bekuar për të gjithë ne, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë
historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave
kombëtare të shqiptarëve.
GM: Cilat janë, sipas jush, momentet kyçe historike që kanë
formësuar Shtetin e Kosovës që kemi sot? Cilat prej këtyre momenteve mendoni se
kanë lënë gjurmë më të thella në kujtesën kolektive të popullit dhe pse?
FSH: Mendoj se ndër
momentet kyçe që kanë ndihmuar në formësimin e shtetit të Kosovës që gëzojmë
sot janë shumë nga ngjarjet historike të shqiptarëve, që përmenda më lartë në
përgjigje të pyetjes së parë – duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri në në
luftën e viteve 1989-99. Por ishte
vërtetë angazhimi ndërkombëtar kur bota pa, për herë të parë, se çfarë krimesh
çnjerzore po bënte Serbia mu në zemër të Evropës – krime aq të tmershme sa që
nuk ishin parë që nga Lufta e II Botërore. Rreth 20 masakrave masive anë e
mbanë Kosovës, ku janë vrarë mijëra shqiptarë –por sidomos masakra e Reçakut --Frank Shkreli: “Reçak, historia
e një krimi lufte”. Ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës. Libër i
ish-Diplomatit Amerikan William G. Walker | Gazeta Telegraf – një krim lufte që ndryshoi përgjithmonë drejtimin politik
të Kosovës dhe që zgjoi mbarë botën nga letargjia e thellë dhe e gjatë, sa i
përkiste krimeve serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë shekullit të kaluar.
Ishte Ambasadori amerikan William Walker (në atë kohë Përfaqsues i OSBE-së në
Prishtinë) ai që me të vajtur në Reçak pa me sytë e tij masakrën e civilëve
shqiptarë nga forcat terroriste serbe dhe njoftoi botën për atë masakër. Një
ngjarje e luftës që konsiderohet se zgjoi nga gjumi mbarë botën dhe vuri në lëvizje
botën perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen e pashmngashme
ushtarake të NATO-s për të dëbuar një herë e mirë forcat terroriste serbe nga
Kosova. Gjithashtu, para luftës, gjatë dhe pas luftës ka pasur një mori mbledhjesh
ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës, që kontribuan në formësimin e shtetit
të Kosovës e që kulminuan me deklaratën e Presidentit George Bush në Tiranë se
mjaft është mjaft dhe se kishte ardhur koha që Kosova të shpallte pavarësinë e vet.
Më në fund ashtu edhe ndodhi.
GM: Çfarë ndikimi afatshkurtër dhe afatgjatë pati ndërhyrja
e NATO-s në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe rajon, si në aspektin politik,
ashtu edhe në atë ekonomik dhe shoqëror? Si e vlerësoni këtë ndërhyrje nga një
këndvështrim historik, gjeopolitik dhe humanitar?
FSH: Qartë se ndikimi
i parë pozitiv afatshkurtër i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte çlirimi i
vendit nga forcat ushtarake dhe policore serbe, kthimi i qindra mijëra
shqiptarëve në shtëpitë e veta dhe fillimi i një jete më normale, nëse mund të
quhej e tillë. Sa i përket ndikimit afatgjatë të ndërhyrjes së NATO-s, është
formësimi i shtetit, pavarësia, liria, demokracia. Uroj që Republika e Kosovës,
pa vonesë të madhe, të integrohet plotësisht në NATO dhe në Bashkimin Evropian
si dhe në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare, si anëtare e plotë me të
drejta dhe përgjegjësi të plota, si të gjitha vendet e tjera demokratike në
Evropë dhe në botë. Ma merr mendja se historianët do e konsiderojnë ndërhyrjen
e NATO-s që çoi në pavarësinë e Kosovës, si më e rëndësishmja ç’prej shpalljes
së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, sa i përket historisë kombëtare të
shqiptarëve. Aleanca e NATO-s e kishte deklaruar fushatën e sulmeve ajrore, “Operation
Allied Force”, në mars të vitit 1999 -- pas nji vit luftimesh brenda Kosovës --
si një vendim për të ndaluar një katastrofë humanitare pasi të gjitha
përpjekjet diplomatike ndërkombëtare kishin dështuar për të zgjidhur konfliktin.
Ishte pra një ndërhyrje që i dha fund dhunës dhe krimeve serbe kundër
shqiptarëve autoktonë. Kështu u pa dhe u miratua edhe nga bota mbarë. Sulmet
ajrore, të NATO-s, rezultuan në largimin e menjëhershëm të forcave ushtarake,
policore dhe para-militare terroriste serbe dhe në vendosjen eventuale të një
force ndërkombëtare paqësore, me një pjesëmarrje të rëndësishme të NATO-s në
Kosovë, që vazhdon të jetë e pranishme atje deri në ditët e sotme.
GM: A mendoni se Shqipëria mund të kishte bërë më shumë për
të mbështetur Kosovën gjatë periudhës së luftës? Si e vlerësoni rolin e
Shqipërisë në atë kohë, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në mbështetje
praktike për popullin e Kosovës?
FSH: Shqipëria kishte mundësi të kufizuara
ushtarake dhe ekonomike për të ndihmuar Kosovën, por e vërteta është se institucionet
dhe populli i përdorën ato mundësi në maksimum, për të ndihmuar Kosovën, Shqipëria
ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me trajnime dhe muncione, por edhe duke
lehtësuar operacionet e NATO-s drejt Kosovës, nga territori i saj. Shqipëria
dhe shqiptarët kudo përjetuan me dhimbje spastrimin etnik të shqiptarëve nga
trojet e tyre dardane duke i strehuar nepër shtëpitë e tyre derisa u bë e
mundur që me çlirimin e Kosovës të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ishte kjo një ndërmarrje me përgjegjësi morale
dhe kombëtare që ndërmorën shqiptarët në Shqipëri, por edhe anë e mbanë trojeve
të veta në Ballkanin Perendimor. Bashkvëllëzrit shqiptarë matanë kufirit
vepruan me humanizëm, dashuri vëllazërore dhe me dinjitet duke i treguar botës
jo vetëm anën humane të shqiptarëve si komb, duke strehuar dhe duke u përkujdesur
për vëllezërit e motrat e tyre në pikën, ndoshta, më të vështirë të
jetës së tyre kombëtare. Por edhe duke
pasqyruar, njëkohsisht, edhe vlerat kombëtare të shqiptarit, siç është mikpritja
shqiptare. E gjithë kjo ndihmë ishte në mbështetje, në koordinim dhe në
përputhje me veprimtaritë ndërkombëtare, përfshirë ndërhyrjen ushtarake të
NATO-s drejtë realizimit të lirisë dhe pavarësisë që Kosova gëzon sot – por me
sakrifica të mëdha për të arrijtur deri këtu ku është sot. Me sa mbajë mend
unë, ka pasur një bashkpunim shumë të ngusht – megjithë se në atë kohë nuk
publikohej -- midis ushtrisë shqiptare, UÇK-s dhe forcave të NATO-s që vepronin
nga territori i Shqipërisë. Ishte një moment i madhërishëm në historinë e
Kombit shqiptar – një mobilizim i plotë kombëtar, me ndihmën e enteve
ndërkombëtare, për çlirimin e Kosovës. Ndoshta mund të quhet edhe si një moment
i rradhë – kur shqiptarët pa dallim, kanë lënë mënjanë çfardo ndryshimesh
politike, ekonomike, fetare ose krahinore, për tu ardhë në ndihmë vëllëzërve
dhe motrave nga Dardania.
GM: Mbi 1.600 persona janë ende të zhdukur ose të ‘pagjetur’
në Kosovë. Pavarësisht se e keqja më e madhe duket se ka ndodhur, ajo mbetet një
dhimbje e madhe – veçanërisht kur bëhet fjalë për faktin se ata nuk kanë një
varr ku të prehen në tokën e tyre. Si e perceptoni këtë mungesë, si për ata që
humbën, ashtu edhe për të afërmit dhe çdo shqiptar që ndjen këtë dhimbje të
thellë?
FSH: Kanë kaluar 25
vjet që nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe çeshtja e të zhdukurve mbetet ende
një plagë e hapur për familjet, për shoqërinë për shtetin dhe për drejtësinë.
Kjo mbetet një tragjedi që për disa familje vazhdon edhe sot. Kjo është një
ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të ish-liderit serb,
Millosheviçit, që vazhdon edhe sot në fuqi, në përpjekjet e tija për të zhdukur
me forcë një popull të tërë nga faqja e dheut. Familjet kanë të drejtë të
mësojnë fatin e familjarëve të tyre të zhdukur. Deri më sot ata nuk kanë gjetur
ndonjë informacion që do të pakësonte ose të zbuste shqetsimet e tyre, për
fatin e të afërmëve të vet, megjithë përpjekjet e organizatave ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë
për të informuar të afërmit e të zhdukurve për fatin e familjarëve të tyre. Frank Shkreli: Janë të zhdukur
por nuk duhet të jenë të harruar! | Gazeta Telegraf -- Në të vërtetë entet
qeveritare në Kosovë po bëjnë më shumë për të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë
se sa qeveria shqiptare për të zhdukurit e kohës së regjimit komunist të Enver
Hoxhës, ku llogaritet se rreth 6.000 veta, viktima të komunizmit enverist, janë
zhdukur dhe nuk u dihet fati as varri. Autoritete shqiptare pothuaj s’kanë bërë
asgjë në këtë drejtim. Gjetja dhe identifikimi i personave të zhdukur është një
përgjegjsi civile, morale dhe politike e shtetit por edhe e shoqërisë ndaj
personave të zhdukur por edhe ndaj të gjallëve, familjarëve të cilët nuk dinë
se ku të vendosin madje as një tufë me lule për familjarët e tyre të zhdukur. Sipas ligjeve ndërkombëtare palët në konflikt
– Serbia pra në këtë rast, detyrohet të furnizojë informacion për gjetjen e të
zhdukurve shqiptarë në luftë, në territoret që ajo kontrollonte gjatë luftës. Vetëm atëherë familjet e të zhdukurve mund të
fillojnë procesin e gjatë të pranimit dhe të lehtësimit të dhimbjes për të afërmit
e tyre të zhdukur. Ata vetëm duan të
mësojnë të vërtetën mbi fatin e të afërmeve të tyre të zhdukur dhe të vendoset
drejtësia duke ndëshkuar kriminelët e luftës!
GM: Para se të mundohemi të bëjmë Shqipërinë si Europa, a
duhet të mendojmë më parë ta bëjmë si Kosova? Pyetje kjo e bazuar tek mungesa e
zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe niveli i lartë i korrupsionit në
Shqipëri. Cilat janë arsyet që konsideroni se Kosova ka pasur sukses më të madh
në këtë drejtim?
FSH: Pyetje
interesante kjo. Për fat të keq, shqiptarët, historikisht, nuk kanë pasur një
klasë politike me tradita demokratike. Mbi 500-vjet otomanizëm dhe gjysëm
shekulli komunizëm kanë lenë mungesa në zhvillimin e një klase politike me
përvojë, gjë që do marrë kohë të tejkalohet. Prandaj, shqiptarët kudo që janë –
sidomos ata në dy shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor -- nuk besoj të kenë
ndryshime të mëdha nga pikëpamja e qeverisjes ose në përgjithësi në jetën dhe veprimtaritë politike. Kanë një gjuhë e një
kulturë, një Flamur e festa kombëtare të përbashkëta. Të njëjtat figura
kombëtare historike që njihen dhe adhurohen nga të gjithë shqiptarët ose të pakën
shumica e tyre. Megjithkëtë, nga këndveshtrimi im, regjimi komunist i Enver
Hoxhës në Shqipëri ka lënë një trashëgimi politiko-historike në shoqërinë
shqiptare, që ka ndryshuar, deri diku, edhe karakterin e shqiptarit. Një trashëgimi
që ka inkurajuar luftën kundër vlerave tradicionale kombëtare iliro-arbërore,
në përpjekjet e tij gjysëm shekullore për të krijuar “njeriun e ri”, në përputhje
me doktrinën stalinisto-marksiste-leniniste. Mund të kesh të drejtë, i nderuar
Gëzim, kur thua se Kosova ka mbajtur zgjedhje më të rregulta se Shqipëria gjatë
viteve. E vërtetë se në Kosovë, zakonisht, dallojmë një egërsi politike pak më
të butë se në Shqipëri gjatë dhe pas zgjedhjeve. Në fushën ekonomike duket se Kosova shënon një
klimë më të favorshme biznesi, siç vuri në dukje kohët e fundit edhe organizata
OECD. Por në përgjithsi kam drojë se në
çdo nivel tjetër -- veçanërisht në atë politik -- kemi të bëjmë me një popull
me dy shtete që kanë shumë të përbashkëta, të mira, po se po, por edhe të këqia,
sidomos, si trajtojmë njëri tjetrin. Konfliktualiteti politik duket se është
një veti karakteristike mjafta e theksuar ndër shqiptarët. Por edhe në ekonomi, si është e mundur që
marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Kosovën janë shumë të ulëta në krahasim
me vendet e tjera. Janë arritur rreth 200-marrëveshje midis dy shteteve
shqiptare, por vetëm një numër i vogël i tyre janë zbatuar. Normalisht, nuk do
duhej të ekzistonte asnjë pengesë në marrëdhëniet midis dy vendeve, në asnjë
fushë. Nuk besoj se as Prishtina zyrtare as Tirana zyrtare mund të ndjehen
krenare për status-quonë në marrëdhëniet midis tyre. Edhe në sytë e të huajve, siç pasqyrohen në
raportet e qeverive si, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe organizata jo
qeveritare si Freedom House, por jo vetëm, lexojmë për të njëjtat probleme,
pothuaj identike, që ekzistojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Të dy këto shtete
karakterizohen ende -- 35-vite pas shembjes së Murit të Berlinit -- si vende “pjesërisht
të lira”. Kush i pengon – përveç vetë klasës politike shqiptare që të gëzojnë
liri të plotë. Me lloj-lloj problemesh, por pothuaj të njëjta, midis dy
shteteve shqiptare, që kanë të bëjnë me pavarsinë e gjykatave, me problemet në
drejtësi, në përgjithsi, prona private e pa zgjidhur, kufizimet serioze të
fjalës së lirë, sfida me lirinë e shtypit, shpesh përfshirë dhunën dhe kërcënimet
kundër gazetarëve. Pastaj niveli i lartë i korrupcionit, dhuna në familje e
tjera e tjera probleme që identifikohen sot në shoqëritë shqiptare. Të gjitha
këto kontribojnë dhe pengojnë të dy shtetet shqiptare që të antarësohen së
shpejti në Bashkimin Evropian. Unë jam i mendimit se patjetër që duhet t'i
bëjmë të dy shtetet shqiptare si Evropa, sepse edhe në këtë kuptim, nuk ka
Shqipëri pa Kosovë – por më s’pari duhet të ndryshojnë, jo vetëm qimen por edhe
veset. Kam drojë se majtizmi politik shqiptar, si trashëgimi e komunizmit
sllavo-aziatik po merr në qafë demokracinë ndër shqiptarët, si në Kosovë ashtu
edhe në Shqipëri. Demokracia nuk pret!
GM: Cilët nga Kryeministrat dhe Presidentët e Kosovës pas
luftës dhe shpalljes së pavarësisë, përveç Ibrahim Rugovës për të cilin do të
diskutojmë më vonë, do t’i vlerësonit për kontributin e tyre në proceset e
konsolidimit të shtetit, zhvillimin e institucioneve dhe stabilitetin politik?
FSH: I nderuar Gëzim
e vlerësoj pyetjen tënde, por nuk më pëlqen të flas ose të komentoj politikanët
si individë, qoftë ata në Kosovë qoftë kolegët e tyre në Shqipëri. Unë jam
munduar që kryesisht të merrem me çeshtjet dhe sfidat kryesore me të cilat
përballen shqiptarët kudo dhe jo me politikanët, si individë. Përgjegjësitë për
gjëndjen e krijuar në Kosovë dhe Shqipëri, natyrisht, janë të tyre – si
individë dhe parti politike, të zgjedhur nga votuesit –por edhe votuesit që i
kanë zgjedhur dhe që u kanë besuar të ardhmen e tyre dhe të familjeve të veta
këtyre politikanëve kanë përgjegjsitë e veta. Jo se jam i kënaqur me
performancën e politikanëve shqiptarë, gjatë këtyre viteve, përkundrazi, – por
sepse për të metat dhe dështimet e tyre, kam preferuat t’i kritikoj si grup –
si klasë politike me dështimet e tyre, në përgjithësi – të cilët më shumë kanë
dështuar se sa kanë patur sukses në realizimin e pritshmërive të votuesve
shqiptarë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Barometri i veprimtarisë së tyre në të gjitha fushat: politike,
ekonomike, shoqërore por edhe në fushën e diplomacisë ndërkombëtare, le shumë
për tu dëshiruar. Sot, ndër të fundit në Evropë, në shumë fusha, dy shtetet
shqiptare, si Kosova ashtu edhe Shqipëria, konsiderohen siç thashë më lartë, si
dy shtete gjithnjë, “pjesërisht të lira”, nga organizata ndërkombëtare të të
drejtave të njeriut, por edhe nga Departamenti i Amerikan i Shtetit, miqtë e
shqiptarëve, që do i donin shqiptarët të ishin në krye të listës për demokraci
dhe çdo gjë tjetër. Kjo madje pas 35-viteve post-komunizëm. Kur do mësojnë
politikanët shqiptarë se politika është arti i mundësive, siç ka thënë Bismarku.
Si një shenjë moskënaqësie mbarë popullore ndaj qeverive të ndryshme shqiptare
gjatë këtyre dekadave, për fat të keq, shqiptarët anë e mbanë trojeve autoktone
iliro-arbërore, po largohen masivisht nga trojet e veta, si në asnjë vend
tjetër të Evropës, sikur shqiptarët të ishin në luftë me njëri tjetrin ose me
të tjerët. Për këtë fenomen tragjik
kombëtar aktual, nuk besoj se asnjë prej politikanëve aktualë shqiptarë, por
edhe atyre të mëparshëm, nuk mund ta ndjejnë veten krenar. Përkundrazi, mërgimi masiv i shqiptarëve, i
këtyre viteve në “demokraci”, do të mbetet një njollë e zezë për ‘ta në
historinë shqiptare të periudhës së pas shembjes së Murit të Berlinit. Çka na
duhet toka pa shqiptarë? Por më në fund,
unë jam dakort me filozofin frances Joseph de Maistre, i cili është shprehur
se, “Secili komb ka qeverinë që meriton!”
GM: Si e
vlerësoni rolin dhe ndikimin e Albin Kurtit në politikën e Kosovës, duke marrë
parasysh se ai shpesh perceptohet si një figurë kontradiktore dhe autoritare,
ndërkohë që është kritikuar për stilin e tij të qeverisjes dhe mungesën e
aftësive diplomatike? Gjithashtu, si e shihni ndikimin e veprimeve të tij në
marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe mundësinë që këto tensione të kenë
pasoja për të ardhmen e Kosovës?
FSH: Me Albin Kurtin
jemi bashkvendas me origjinë, nga rrethi i Ulqinit. Më pëlqen guximi i tij si
individ dhe si udhëheqës. Por si thashë edhe më lartë, bota shqiptare për arsye
të traditës dhe trashëgimisë politike të komunizmit nuk ka pasur mundësi të
zhvillonte kuadro të vërtetë politikë e diplomatikë të edukuar në
universistetet e njohura të perendimit. Por, Kryeministri Kurti po sfidon
presionet drejtuar politikave të tija, qoftë nga brenda, qoftë nga rajoni e
sidomos nga Evropa dhe deri diku edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më
pëlqejnë qendrimet e tija në bisedimet me Serbinë. Duket se Vuçiqi, më në fund,
ka hasur në një “hund-lesh”, që në gjuhën popullore interpretohet si një trim
shqiptar që nuk i “shkrep syri” para një lideri serb. Gjithashtu më duket se,
në krahasim me të tjerët, Kurti i ka më serioze dhe më të qarta qëndrimet e
tija sa u përket interesave mbarëkombëtare -- afat shkurtëra dhe afatgjata –
dhe të ardhmes së shqiptarëve në Ballkan. Por për fat jo të mirë të shqiptarëve, rendi
aktual politik botëror duket se po ndryshon, po shkundet, më mirë të them, me
pasoja të pa-parashikueshme për botën shqiptare por edhe për botën në përgjithsi.
Kjo situatë nevojitë bashkpunimin maksimum midis dy shteteve shqiptare dhe
qeverive të tyre që duke marrë parasysh marrëdhëniet aktuale midis dy kryeministrave
të tanishëm nuk ka të ngjarë të realizohet, jo për faj të Albin Kurtit. Në krye
të listës janë marrëdhëniet amerikano-evropiane që në të kaluarën ishin të
pazëvendsueshme për fatin e shqiptarëve e sidomos në rastin e Kosovës. Është
një periudhë shumë delikate në marrëdhëniet ndërkombëtare që kërkon dhe
nevojitë, mençuri, guxim dhe diplomaci të durueshme, ndoshta edhe kompromis por
pa komprometuar interesat madhore të kombëtare. Fjala jonë popullore, burri i
mirë me shokë shumë, qendron gjithmonë, por në këtë rast përballë kësaj
gjendjeje botërore, duhet të themi se burri i mirë me miqë shumë. Ibrahim
Rugova e dinte mirë këtë fakt. E kishte zakon të thoshte se shtëpia nuk mbahet
pa miq. Sidomos pa miq të mëdhej si Shtetet e Bashkuara që Kombit shqiptar i
kanë ardhur në ndihmë në kohët më të vështira të ekzistencës së tij. Ibrahim
Rugova gjithashtu kishte shpallur miqësinë e Kombit shqiptar si “të përhershme
me Shtetet e Bashkuara”. Por e dijmë se
në këtë botë asgjë nuk është e përhershme, prandaj duhet kujdes i madh, sidomos
sa u përket lidhjeve trans-atlantike të Kosovës por edhe të Shqipërisë. Bazuar
në historinë e shekullit të kaluar, por edhe në historinë moderne të fund
shekullit të kaluar, e deri në ditët e sotme, ishin Shtetet e Bashkuara që iu
gjënden afër Kombit shqiptar, si askush tjetër. Do të ishte mëkat vdekjeprurës
nëse marrëdhëniet miqësore midis dy popujve tanë të prisheshin nga vet shqiptarët,
si në kohën e Enver Hoxhës.
GM: Nga përvoja juaj dhe informacioni që keni, si e shihni
progresin e Kosovës pas luftës? A ka arritur vendi pritshmëritë që qytetarët
kishin pas pavarësisë?
FSH: Kësaj pyetjeje
ndoshta iu përgjigja, pjesërisht, pak më lartë, por dua të shtoj se në Kosovë
janë bërë bërë përparime të dukshme, por nuk ma merr mendja që pritshmëritë e
votuesve, të jenë realizuar, sidomos në radhët e të rinjve. Për ndryshe, nuk do
kishim këtë exodus, pothuaj të përmasave biblike nga Kosova por sidomos nga
Shqipëria, por dhe nga mbarë trojet shqiptare. Vet-kënaqësisht, me shembjen e
komunizmit zyrtar dhe me çlirimin e Kosovës, si shqiptarë e kishim shpallur
shekullin XXI, si shekulli i shqiptarëve. Për, mos realizimin e pritshmërive të
qytetarëve në Kosovë nuk është i gjithë faji i shqiptarëve dhe i liderve të
tyre gjatë këtyre viteve: Shqipëria me
shumë probleme të veta, trashigimi e një sistemi komunist të pa parë në botë
për egërsinë dhe shkeljen e të drejtave bazë të shqiptarëve dhe shkatërrimit të
ekonomisë dhe Kosova nën thundrën e egër sllavo-komuniste për një shekull. Por,
sot fati i shqiptarëve është në duar të tyre, kështuqë nuk mund të ngarkojmë, përgjithmonë,
me faj të kaluarën sado tragjike që ka qenë, të huajt, ose ndërkombëtarët. E
ardhmja e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve në Ballkan, me dy shtete dhe me të
drejtat dhe liritë që gëzojnë sot shqiptarët, si kurrë më parë – varet nga ata
vetë dhe do duhej të ishte shkëlqyer: me një Kosovë të pavarur, të lirë e
demokratike, me një Shqipëri gjithashtu të lirë e demokratike – megjithse të
karakterizuara si “pjesërisht të lira”; për shqiptarët në Maqedoni dhe anë e
mbanë trojeve shqiptare, jo krejtsisht ideale, por përgjithsisht, në liri dhe
me të drejtat bazë të njeriut, si kurrë më parë. Shqiptarët, si komb, përbëjnë
zonën më homogjene në Evropë. Pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës por edhe të
gjithë shqiptarët janë që shqiptarët të bëhen pjesë e denjë e Evropës së lirë e
demokratike dhe instucioneve euro-atlantike, në atë Evropë ku shqiptarët do
duhej ta kishin pasur vendin me shekuj – atje ku i kishte vendosur Perëndia,
gjeografia dhe historia.
GM: Prishtina (prejardhje), Shota, Azemi, Polluzha dhe Jashari janë vetëm
disa nga heronjtë tanë, të cilët janë lindur, rritur dhe edukuar në Drenicë,
një vend që përfaqëson djepin e qëndresës dhe trimërisë kombëtare. Me
historinë, sakrificat dhe heroizmin e saj, Drenica mbetet një burim i
pakufishëm frymëzimi për çdo shqiptar. Çfarë ndikimi ka kjo trashëgimi
historike dhe ky frymëzim në formimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare të
shqiptarëve sot?
FSH: Këta burra (e
gra) të Drenicës i përkisnin një brezi atdhetarësh dhe shumë të tjerë nga të
gjitha viset e krahinat e trojeve shqiptare, të cilët kur flisnin e luftonin
për shqiptarë e për Shqipëri, nuk kishin ndër mend kufij shqiptaro-shqiptar, por
një komb të vetëm e të bashkuar, Ata ishin burra e burrnesha të cilët mbi
interesat e Atdheut nuk kishin asgjë tjetër, as interesa personale, as politike
për karriga, as ekonomike, as krahinore, por kishin një vizion të qartë për një
Komb shqiptar të lirë, të bashkuar e të pavarur. Nuk është se shqiptarët nuk
kanë heronjë e heroina – atdhetarë/e që frymëzojnë brezat, duke filluar nga Gjergj
Kastrioti-Skenderbe e këndej. Fatkqesia është se Kombit tonë gjatë shekullit të
kaluar i janë imponuar heronjë e figura të huaja me ideologji krejt të armiqësore ndaj kulturës dhe vlerave të Kombit shqiptar, duke
konfuzuar shqiptarët se kush vërtetë ishin heronjtë e tyre. Për fat të keq, në veshët tanë ende kumbojnë
emrat Tito-Enver, Stalin, Marks e Engels dhe figura të tjera të internacionales
komuniste. Ndërgjegja jonë si komb, qoftë edhe ajo kombëtare, e ka pësuar rëndë
-- është plagosur gjatë komunizmit, pasojat e të cilit shihen edhe sot. Jo
krejt për fajin tem ose tëndin, të shqiptarëve të thjeshtë, pra në përgjithsi.
Neve për një kohë shumë të gjatë na është luftuar identiteti ynë kombëtar deri
në zhdukje. Si rrjedhim kam drojë se edhe krenaria kombëtare do marrë kohë për
tu rivendosur aty ku e ka vendin – por me frymëzimin nga heronjtë shqiptarë të
Drenicës në krye të vendit, kemi shpresë për ditë më të mira. Ata meritojnë më
shumë respekt nga brezi i sotëm i shqiptarëve.
GM: Gjykata Speciale e Kosovës(?!) u krijua me mbështetjen e
Hashim Thaçit, ish-drejtues politik i UÇK-së dhe ish-kryeministër e president i
Kosovës. Sot, Thaçi, së bashku me disa figura të tjera të rëndësishme të
UÇK-së, ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020(!), i akuzuar
për krime lufte. Cili është mendimi juaj mbi këtë çështje?
FSH: Është vështirë
për mua të përgjigjem në këtë pyetje se nuk e kam ndjekur dhe nuk jam në dijeni
të akuzave ose të dëshmive ose provave të ndryshme ndaj udhëheqësve të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, përveç lajmeve jo të plota. Udhëheqsit në fjalë të UÇK-ës
dhe protagonistët kryesorë të politikës së pas luftës në Kosovë kanë deklaruar
pafajësinë e tyre – pafajësi në të cilën besojnë edhe shumë prej mbështetsve të
tyre në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Përveç akuzave origjinale për të cilat këta
ish-udhëheqës të UÇK-ës janë dërguar në Hagë, kohët e fundit, duket se u janë
shtuar akuza të tjera për ndërhyrje në procesin gjyqësor, në përpjekje për të
ndikuar tek dëshmitarët, sipas akuzës. Ndonëse ata e kanë mohuar këtë, natyrisht,
se një ndërhyrje e tillë është serioze dhe shumë shqetësuese për administrimin e
drejtësisë – gjë që mund të ketë pasoja të rënda për të akuzuarit, përfshirë
edhe ish-drejtuesin politik të UÇK-së dhe ish-kryeministër e president i
Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë, e
ardhmja e Gjykatës Speciale, si e tillë, nuk është e sigurt. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar
ngrirjen e fondeve amerikane për Gjykatën Speciale, si pjesë e ngrirjes së
financimeve për pothuajse të gjitha programet e ndihmës së huaj, deri në
përfundimin e një rishikimi të plotë të efikasitetit dhe përputhshmërisë së
këtyre programeve me ingteresin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës. A është fati i këtyre figurave të politikës shqiptare dhe të UÇK-ës
i lidhur me interesat e politikës së jashtme amerikane? Kjo mbetet për tu parë.
GM: Të frymëzuar apo të indinjuar nga individë apo grupe që
njihen si përfaqësues të "islamit radikal" në Kosovë, kanë lindur
disa shoqata, ku mund të veçohet ‘Lëvizja e Deçanit’, të cilat ftojnë
shqiptarët të largohen nga ky besim. Si e shikoni problemin e devijimit nga
"islami tradicional shqiptar" dhe çfarë mendimi keni për shoqatat në
fjalë? Po për faktin e dhimbshëm që Kosova, duke marrë parasysh numrin e
popullsisë, është shteti që ka dërguar më së shumti ushtarë në Shtetin Islamik?
FSH: Me të thënë të
drejtën, i dashur Gëzim, unë jam besimtar në fenë time, besoj në Zotin. Por nuk
preferoj të komentoj çeshtjet fetare të besimtarëve ose çeshtje ndërfetare –
midis feve të ndryshme. Unë e konsideroj fenë si një çeshtje absolutisht dhe
krejtsisht private, si një marrëdhënie private midis indidividit dhe Perendisë.
Unë besoj, fuqimisht, në lirinë e fesë për të gjithë pa dallim, përderisa ajo
nuk pengon ose shkelë lirinë e dikujt tjetër që mendon ndryshe. Unë gjithë jetën e kam konsideruar lirinë e
fesë si një liri absolute të drejtave të njeriut, për të mos thenë si bazë e të
gjithave të drejtave të tjera të njeriut. Shqiptarët janë me fat që janë
shembull i botës në kuptimin e bashkjetesës fetare. Po
rikujtoj fjalët e Papa Françesku në
fjalimin e parë gjatë vizitës së tij Shqipëri, Shtator, 2014, se “Askush –
ka thënë Papa Françesku – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë,
ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst
për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. Dhe në takimin me krerët fetarë shqiptarë në
Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i
madh!”. Shqipëria, përsëriti ai disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa fetare është
e mundur”. Prandaj, si rrjedhim i kësaj historie bashkjetese fetare ndër
shqiqptarët, nuk besoj se duhet të ketë vend për shqetsim, sa i përket pyetjes
që bëre më lartë.
GM: Teknologjia dhe interneti kanë ndryshuar mënyrën e
konsumimit të informacionit, duke bërë që në Kosovë të mos ekzistojë më asnjë
gazetë e shtypur në format fizik. Si e komentoni këtë fenomen?
FSH: Është një prirje që për fat të
keq, po ndodhë anë e mbanë botës, por kjo nuk e justifikon as nuk e bën më të
pranueshëm këtë fakt, sa i përket Kosovës, as shqiptarëve në përgjithsi. Nuk
isha në dijeni se Kosova si shtet nuk ka madje as një gazetë të shtypur që
lexuesi ta mbajë në dorë si dikur për ta lexuar. Ky nuk është një lajm i mirë. Por, Kosova, nuk është një përjashtim sa i
përket këtij fenomeni, që tani ka marrë përmasa botërore. Sipas të dhënave edhe
këtu në Shtetet e Bashkuara nga viti 2005, më shumë se 3,200 gazeta ditore të
shtypura nuk janë më. Vetëm vitin e
kaluar i kanë mbyllur dyertë 130 gazeta të shtypura në Amerikë. Ti ke të drejtë
që thua se teknologjia dhe interneti janë “fajtorët” kryesorë të zhdukjes së
gazetave të shtypura nga qarkullimi, por ka edhe arsye të tjera që i imponon
tregu i lirë, ndër faktorë të tjerë. Besoj se rënia e lexuesshmërisë dhe
faktori ekonomik janë dy arsyet kryesore të zhdukjes së gazetave të shtypura
kudo në botë, e kjo nuk përjashton as Kosovën. Kompanitë komerciale të ndryshme
preferojnë televizionin dhe internetin për reklamat e tyre. Televizioni dhe
interneti preferohen më shumë nga publiku se janë shumë më të shpejta në
përhapjen e lajmeve për shikuesin dhe për lexuesin, në krahasim me gazetat e
shtypura, që dikur ishin burimi kryesor i lajmeve. Në fund të fundit, të gjithë
kemi telefonin në xhep, edhe për lajme. Në rastin e Kosovës ishte edhe pandemia e para
disa viteve që e goditi njëherë e mirë industrinë e gazetave të shtypura, duke
e bërë Kosovën të vetmin vend në rajon dhe në Evropë pa gazeta të shtypura. Vërejtsit
e medias në Kosovë kanë konstatuar gjithashtu se në zhdukjen e gazetave të
shtypura ka influencuar edhe politika, ndërsa gazetat mund të jenë bërë
zedhënse të një partie politike ose një tjetre, duke humbur kështu në sytë e
lexuesve -- me njëanëshmërinë e tyre -- reputacionin si burime të besueshme
lajmesh. Kam lexuar kohët e fundit se disa zëra në Kosovë kanë bërë thirrje për
botimin e një gazete ose më shumë në formën publiko-private, megjithse nuk jam i
sigurt se çfarë do të thotë kjo: një afërsi e re e një gazete të tillë me
partitë politike? Natyrisht, se jam në favor të një ose më shumë gazetave të
shtypura në Kosovë, si bartëse dhe dokumentuese të trashëgimisë historike e
kulturore të shqiptarëve në Kosovë, por jo të lidhura me politikën. Uroj që të
bëhet diçka për të sjellur në Kosovë gazetarinë e printuar, shtypin ditor pra,
qoftë edhe me një nga gazetat në zë nga e kaluara, në përputhje me vendet e
rajonit dhe më gjërë, por edhe për të plotësuar nevojat e lexuesve që janë
mësuar me gazeta të përditshme, sidomos brezi më i vjetër i lexuesve.
GM: Po sot, pas sakrificave të pafundme, në kohët moderne,
me Kosovën si Republikë, cili do të ishte mesazhi i Shkrelit për shqiptarët e
Kosovës?
FSH: Hamit Kokalari, intelektuali i njohur nga
Gjirokastra, ka botuar në vitin 1943 librin “Kosova, djep i shqiptarizmit”, një libër
që nuk qe lejuar të ribotohej nga komunistët, në të cilin shkruhet se, “Kosova
nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori
kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar
dhe të lirisë s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përhershme ku
shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë
kundër Turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht, ngjarjet historike më
me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881) dhe
ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913) që patën si pasojë krijimin e
shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. ‘’Vetëm
Shqipëria e mbyllur në kufijtë e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë
shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në
vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë
serbo-malazeze”, ka shkruar intelektuali gjirokastrit Hamit Kokalari në librin
e tij: Kosova, Djep i Shqiptarizmit, të vitit 1943. Por më në fund, pas një
robërie të gjatë serbo-malaleze, Kosova siguroi lirinë dhe pavarësinë e vet me
luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndihmën e aleancës ushtarake perëndimore,
NATO – me mbështetje të pa kursyer nga popuj miq në krye me Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. Kosova, gjatë historisë ka marrë pjesë në luftëra epike në
mbrojtje të ientitetit kombëtar. Edhe lufta e fundit ishte epike në mbrojtje të
identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Në një fjalim të
Presidentit Bill Clinton drejtuar popullit të Kosovës para disa vitesh, ai
është shprehur se, “NATO-ja fitoi luftën, ju fitoni paqën”. Kosova e pavaraur e në paqe, sot ka një
detyrim tjetër. Kombi shqiptar ka nevojë për një përtrimje rrënjësore. “Ideali i
vëllaznimit kombtar, këndue nga poetët dhe predikue nga patriotët duhet sëndërtue
në nji bashkjetesë kombëtare ku ndryshimet fetare e krahinore, ku pikëpamje e
prirje të nduernduerta, të harmonizohen për të krijue mundësinë e nji
mbarshtrimi shtetnuer, përkitazi me frymën moderne të kohës.” (Ernest Koliqi). Është e qartë se pushtimet e huaja ushtarake dhe
ideologjike si komunizmi e të tjera, kanë lënë plage të rënda që duken të
pashërueshme në trupin e Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithsi. Por i
takon këtij brezi tani të ndërtojë shtetin, me objektivin e vëllazërimit e të bashkimit
kombëtar midis shqiptarëve në trojet e tyre iliro-arbërore dhe kudo që janë
nepër botë -- në paqe dhe miqësi me popujt e rajonit secili në shtëpinë e vet, së
bashku në Evropën e lirë e demokratike.