| E enjte, 20.03.2025, 07:53 PM |
26 vjet nga konferenca e Rambujesë
NJË
CASUS BELLI PËR ULTIMA RATION
Nga
Jusuf Buxhovi
Konferenca
e Rambujesë (6 shkurt - 18 mars 1999) u inicua nga Grupi i Kontaktit, ndërsa
ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Majorski, Rusi dhe
Wolfgang Petrick nga BE. Konferenca ndërkombëtare kishte për qëllim ndërprerjen
e luftës si dhe një zgjidhje të përkohshme politike për Kosovën.
Delegacioni
i shqiptarëve përbëhej prej gjashtëmbëdhjetë vetash nga tri grupime: i Lidhjës
Demokratike të Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, i Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës (UÇK) , me pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi, katër pjesëtarë të
Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të drejtuar nga Rexhep Qosja dhe dy "të
pavarur": (V. Surroin dhe B. Shalën).
Ndonëse
bisedimet përfunduan pa sukses, delegacioni kosovar kishte nënshkruar
marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që
delegacioni serb kishte pranuar në parim projekt marrëveshjen politike për
vetëqeverisjen në Kosovë.
Nga
aspekti diplomatik, edhe pse u quajtën marrëveshje, ato nuk ishin të tilla,
meqë u mungonte nënshkrimi i përbashkët i palëve, i domosdoshëm për ratifikime
të ndërsjella parlamentare, që u jep validitet shtetëror dhe ndërkombëtar. Si
të tilla, ato paraqesin letra zotuese (diktate të panegocueshne) me nënshkrime
të njëanshme, pa kredibilitet diplomatik, por me fuqi politike.
Nga
këndvështrimi historik, nënshkrimet e palës shqiptare në marrëveshjen ( Ibrahim
Rugovës, Hashim Thaçit, Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit) e ofruar nga
bashkëbiseduesit ndërkombëtar (pa atë rus), si dhe refuzimi nga ana e
Millosheviqit, krijuan atë që quhet Casus Belli, ngaqë NATO-s ia plotësuan kushtin
kryesor për fushatën ajrore ultima ratio ndaj forcave policore dhe ushtarake
jugosllave në Kosovë dhe caqeve të tjera ushtarake në Serbi nga 24 marsi deri
më 10 qershor 1999.
Fushata
përfundoi me marrëveshjen ushtarake të Kumanovës, më 10 qershor midis NATO-s
dhe Armatës Jugosllave, që ia hapi rrugën rezolutës 1244 të Këshillit të
Sigurimit të OKB-së për vënien e Kosovës nën administrim ndërkombëtar. Kështu,
rezoluta 1244 i ktheu në maklaturë gjithë ato letra që prodhoi konferenca e
Rambujesë. Ndërsa në Kosovë krijoi realitete politike që më 17 shkurt 2008
përfunduan me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.