| E enjte, 20.03.2025, 07:57 PM |
BURGU NUK ËSHTË ZGJIDHJA
NGA
NDUE DEDAJ
Ka
do kohë që burgu është kthyer në kryefjalë e ditës, të gjithë i mbajnë sytë
andej, kush do të hyjë sot e kush nesër. Rrjedh informacion nga policia apo
“pallati i drejtësisë”, thurën legjenda urbane se kush e ka radhën tash e kush
më vonë, për inceneratorët, për abuzime të tjera me fondet publike, apo për
Gërdecin etj. Lajmet kanë dy rubrika kryesore, zgjedhjet e 11 majit dhe
veprimtarinë e përditshme të SPAK e GJKKO, as që flitet kund për të mbjella të
pranverës etj.
Jemi
në shekullin XXI, në vitin e 25-të tij dhe, për çudi, në Shqipëri burgu shihet
si mundësia e vetme për ta dëlirur shoqërinë nga vesi, krimi i organizuar dhe
korrupsioni. Fundi i pandëshkueshmërisë për shumëkënd është rrasja e shtetarëve
të lartë në burg dhe në batakun ku kemi rënë, që nga koha e piramidave e
këndej, kjo është një arritje e rëndësishme. Prangat kanë prekur majën e
piramidës së shtetit, me disa ministra dhe kryebashkiakë në burg të akuzuar për
korrupsion. “Peshqit e mëdhenj”, për të cilët na porosisnin ambasadorët
amerikanë vite më parë, më në fund kanë rënë në rrjetën e drejtësisë dhe po
marrin, njëri pas tjetrit, dënime. Doemos që kjo është pozitive,
shpresëdhënëse, pasi në shtresën e lartë qeverisëse ishte krijuar mendimi se ne
jemi të paprekshëm, burgu është për ata poshtë nesh, fukarenjtë, siç ka qenë
gjithmonë e jetës.
Por
a duhet të mbarojë këtu historia e shtetarëve të mbërthyer në pranga për
korrupsion? Pyetja kyçe është çfarë ndodh me pronat dhe paratë e fituara në
mënyrë të paligjshme nga ata? Keni dëgjuar t’i jenë marrë ndokujt prej tyre ato
dhe të jenë vënë në shërbim të publikut, të cilit i janë grabitur? Për mendimin
tonë ky do të ishte “burgu” i vërtetë për qeveritarët e korruptuar dhe bosët e
krimit. Lajmi nuk është se sa zyrtarë të lartë u dënuan, po çfarë u bë me
pronat dhe paratë e sekuestruara të tyre, a u ndërtuan me to shtëpi për të
moshuarit, çerdhe fëmijësh, kopshte parashkollore, biblioteka, qendra
kulturore, parqe për qytetarët. Kjo do të ishte drejtësia e vërtetë dhe kërë
presin qytetarët të ndodhë.
Nga
ana tjetër, nuk dimë sa e moralshme është të gjendësh në paraburgim, duke u
hetuar për korrupsion dhe ndërkohë të hysh në listat për deputetë? Votuesit nuk
kanë si të mos e dyshojnë politikën, kur ajo i fton ata të shkojnë e të votojnë
për dikë me proces penal të papërfunduar. Por nuk është synimi në këto pak
radhë me u marrë me profile dhe episode të veçanta burgu të VIP-ave, pasi të
tilla kemi pasur dhe më parë, që nuk na e zbardhin faqen. Presidentin e parë të
pluralizmit e kemi futur në burg për “kafe”, bashkë me të tjerë byroistë të
regjimit të kaluar, sa mos me i lënë pa gjë në sy të publikut. Kryeministri i
fillimeve të tranzicionit, pas 4 vitesh burg në Bençë, mori pafajësinë dhe u bë
prapë kryeministër, çka tregon se burgu është përdorur në funksion të pushtetit
politik të palës tjetër. Burg po, sigurisht, por për ngjarje tragjike si “21
janari”, që ndodhi në sytë e të gjithë shqiptarëve e mbarë botës. Protagonistët
e politikës së kohës, djathtas e majtas, e kanë hedhur pas krahëve dhe garojnë
për mandate të reja qeverisëse. Ngjarje të tilla vënë në provë jo vetëm
drejtësinë, por në radhë të parë vetë klasën politike, që duhej të ishte
dorëhequr si e paaftë për ta qeverisur vendin e jo duke e mbajtur atë peng.
Çfarë mund të bëjnë prangat në një vend ku politika bashkëvepron me krimin dhe
nuk ndodh rotacioni politik? Drejtësia nuk është shkop magjik. Ç’kuptim ka
reformini i drejtësisë e jo dhe ai i politikës? Reformimi i thellë, apo me
themel, i politikës mund të sjellë ndryshimet e shumëpritura. Shoqëria mund ta
projektojë ardhmen, nëse nuk i mungon shqisa e së resë. Ajo duhet ta bojkotojë
politikën e vjetër, që vë maskë të re dhe makiazh të ri sa herë vijnë
zgjedhjet. Politika është sipërmarrje serioze, ajo voton ligjet dhe vetë
institucionet e pavarura. Këto të fundit nuk bien nga qielli, si të jetë
politika dhe shoqëria do të jenë dhe ato. Kujtoni vettingun apo numrin
relativisht jo të paktë të njerëzve të ligjit (prokurorë, gjykatës, policë
madhorë) në burgje për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin.
Nuk
themi asgjë të re, kur përsërisim se jo burgu, por edukimi, qytetërimi dhe qytetaria
është zgjidhja. Se do të kalojë kjo fazë emërgjente burgosjesh të zyrtarëve të
lartë, ashtu siç nuk do të kemi gjithnjë privilegjin e një prokurorie dhe
gjykate të posaçme, ndaj duhet vendosur sot se si do të jetë e nesërmja pa
korrupsion. Një vendim që e merr shoqëria me të gjitha institucionet e saj. Por
partitë politike, që gjithmonë janë në fushatë për pushtet, nuk u thonë
militantëve të çdo rangu, harrojeni se duke iu bërë bisht politikës, mund të
vidhni pasurinë publike. Është rasti ideal që të ndodhë tani kjo gjë, por si
duket jo dhe kësaj here. Problemi është dhe vetë drejtësia, që vërtetë ndëshkon
kriminelët, por që për mosfunksionimin e saj normal, më shumë se gjysma e të
burgosurve të republikës, 55 përind e tyre, qëndron në qeli pa vendim gjykate
përfundimtar, duke bërë që burgu, veç të tjerash, të jetë dhe një barrë për
taksapaguesit shqiptarë. Vite më parë, preja e burgut ishin vjedhësit e
energjisë elektrike në shtyllat e katundeve dhe rrethinat e qyteteve dhe
“fakirë” të tjerë kundravajtës, që kishin ndërtuar pa leje ballkonin e shtëpisë
së tyre, apo një kapanon makine, ndokush dhe i harruar në burg nga drejtësia
pasi kishte kryer dënimin (!). Sot është në burg dhe njëri nga ish-presidentët
e republikës, por dhe ndonjë kryeplak fshati. Nëse i pari i del për zot vetes
në mbrojtjen ligjore, ka dhe garancitë e nevojshme pasurore (nëse do të duhej),
si do t’ia bëjë hallit ky i fundit, që është vënë në pranga për shkak se në
juridiksionin që mbulon janë gjetur ngastra hashashi dhe ai nuk ka njoftuar!?
Kësaj i thonë të gjesh patjetër një verigë ku ta varësh fajësinë, kur dihet se
pushteti i kryeplakut është krejtësisht i papërfillshëm përballë lazaratizimit
të vendit, bërë me dorën e atyre që janë të gjithë më të mëdhenj se i pari i
fshatit. Është e habitshme se ndaj popullimit të burgjeve, ku, siç u përmend,
ka më shumë të paraburgosur se të dënuar me vendim të formës së prerë, kanë
reaguar dhe institucione të larta të drejtësisë dhe forume që mbrojnë të
drejtat e njeriut, por pa sukeses për ta frenuar këtë dukuri, në pritje të
ndonjë aminstie për Vit të Ri dhe aq. Pa folur për raste kur Strasburgu është
shprehur për mbajtje me pa të drejtë në paraburgim të ndonjë zyrtari të lartë,
që i bie që ai “dyshimi i arsyeshëm”, të ketë qenë i paarsyeshëm. Burgjet i
kemi plot se në mendësinë tonë burgu është parë si zgjidhje finale, por dhe se
nuk kemi një legjislacion të përkryer. Ne ende duam të edukojmë shoqërinë me
burgun, duke i frikësuar njerëzit. Për mendimin tonë kjo është një “politikë
penale” e tejkaluar. Burgu nuk është shkollë për të tjerët, por vuajtje për ata
që gjenden brenda dhe një rëndim për familjet e tyre.
Është
një problematikë e mrehtë, sa sociale, aq dhe juridike, që kërkon një debat
publik, juridik e mediatik, që burgu të shihet si zgjidhje për aq sa është e
tillë dhe jo për çdo gjë, pasi atëherë ai do të ishte problemi. Aq më tepër që
burgimi nuk mund të bëhet me fushatë dhe masivisht. Kjo ka qenë dikur, për të
çuar në vend politikën e partisë. Personalisht nuk arrij të kuptoj dënimin
njëherësh të 14 mësuesve të një shkolle 9-vjeçare në bashkinë e Kavajës për
shpërdorim detyre (falsifikim dokumentesh), ashtu siç lë shije të hidhur
lëshimi i 24 urdhër arresteve në një ditë për punonjës të Universitetit
Bujqësor të Tiranës, të akuzuar për korrupsion. SPAK nuk është “gogoli” që
tremb, nga i pari tek i fundit, që hyn për të shërbyer në zyrat e shtetit, se
kështu pastaj zyrat do të mbeteshin bosh. Njerëzit e tij dhe të BKH-së kanë një
mandat të deleguar nga shqiptarët dhe askush në demokraci nuk mund të bëjë të
fortin në emër të detyrës. Aq më pak ne shqiptarët, për shkak të së kaluarës
tonë, nuk duhet të kemi një marrëdhënie të “mirë” me burgun, qoftë dhe për
faktin se në regjimin e kaluar nëpër burg kaloi elita disidente e kombit
shqiptar, klerikë, nacionalistë, shkrimtarë, artistë, përkthyes, profesorë,
ushtarakë etj. Na duket se ka një keqkuptim të madh në këtë mes. Burgun e kemi
pasur në diktaturë si të askushit dhe s’ka se si ai të jetë i pari dhe sot,
ndonëse atëherë ishte më së shumti burg politik.
Formimin
qytetar e kulturor të njerëzve nuk e bën asnjë “institut” shtrëngese e
detyrimi, por vetëm arsimi, i cili krijon ndërgjegjën e duhur ligjore, zhduk
psikologjinë e vjedhjes në një shoqëri të babëzitur, krijon tek të rinjtë një
tjetër qasje dhe psikologji, që nuk është e panjohur për shqiptarët, pasi e
kanë kultivuar në breza rrojtjen me punë të ndershme. Në “gjyqin” e popullit
askush nuk ka qenë më i përçmuar se hajduti, braci, grabitësi, kurse në kohën e
sotme hajnat me pushtet bëjnë të ndershmin e “heroin” dhe nga qelitë dhe
rrjetet sociale. Kemi një traditë e edukatë që mund të na vijë në ndihmë edhe
në kohë moderne, pasi disa norma dhe parime njerëzore nuk vjetërohen kurrë.
Arritja e parë do të jetë kur vjedhësi i pasurisë publike të mos quhet i zoti e
të tjerët fatzes, që nuk janë dot si ai. Arritja tjetër do të jetë kur politika
të mos bëjë njërin vesh shurdh e njërin sy qorr, por t’i flakë jashtë vetes të
korruptuarit. Atëherë ata do të mbetën si peshku pa ujë dhe nuk do të arrijnë
kurrë të bëhen “peshq të mëdhenj”.
Vetëm
atëbotë do të fillojë një histori e re, ajo i qytetarit shqiptar me ndërgjegje
dhe kulturë juridike të admirueshme, që di ta administrojë dhe nuk e shpërdoron
lirinë, ku burgu sigurisht ekziston, por jo si diçka “shpëtimtare”.