| E diele, 16.03.2025, 07:53 PM |
Më 9 mars 2025 në Kumanovë u mbajt edicioni i 33-të me radhë i manifestimit tradicional kulturor - letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.
Kryetari
i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” Kumanovë, Sunaj Raimi, në fjalën
e tij përshëndeti pjesëmarrjen e dhjetëra poetëve e poeteshave nga të gjitha
trevat shqiptare, duke filluar nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Presheva, Gjilani,
Përmeti, Tirana, Shkodra e Rozhaja. Raimi tha se ky manifestim poetik përbën
një nga shtyllat kryesore të identitetit kulturor dhe kombëtar të anës së
Kumanovës dhe është një nga manifestimet e vetme në rajon e më gjerë që nuk
ndalet asnjëherë.
Fjalë
rasti pati kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit
Frashëri" nga Përmeti, Tomorr Kotorri, i cili solli frymë frashëllinjësh
në mesin e publikut kumanovar. Ndërsa, të pranishmit i përshëndeti edhe
përfaqësuesi i Komunës së Kumanovës, këshilltari Huzeir Mustafi.
Më
pas me poezitë e tyre u paraqitën poetët: Alfons Zeneli – Tiranë, Majlinda Toma
– Lezhë, Alketa Spahiu – Gjilan, Janaq Jano – Përmet, Ibadete Livoreka – Shkup,
Sermet Sulejmani – Kumanovë, Albinë Idrizi – Gjilan, Agron Çalliku – Durrës,
Ali Daci – Rozhajë, Safet Xhani – Përmet, Avni Spahiu – Preshevë, Adisa
Ibrahimi – Shkup, Ali Qerimi – Shkup, Era Qerimi – Shkup, Daim Iljazi – Tetovë,
Adem Abdullahu – Tetovë, Bajramali Selimi – Gostivar, Liber Emini – Kumanovë.
Juria
në përbërje: Lindita Ramushi, Selajdin Shabani dhe Bilall Maliqi, kishte
vendosur që t’i ndaj tre çmimet kryesore të manifestimit. Kështu, Çmimi “Jehona
poetike” iu nda poetit Alfons Zeneli nga Tirana, Çmimi “Doruntina” iu nda poetes Alketa Spahiu
nga Gjilani dhe Çmimi “Fadil Bekteshi” iu nda poetit kumanovar Sermet
Sulejmani.
Një
pjesë e rëndësishme e manifestimit ishin recitalet e aktorëve përmetarë Pandi
Duka dhe Lazar Taçi. Ndërsa, u përurua edhe edicioni i fundit i revistës
letrare kulturore-shkencore “Doruntina”, organ i klubit.
Manifestimi
“Takimet Poetike të Karadakut” përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës
dhe Turizmit, Komunat e Kumanovës e Likovës dhe afaristë vendorë. Organizatori
kishte paraparë që në shenjë falënderimi, plaketa mirënjohjeje të ndaj për
kompanitë “TopDrajver”, “Ibro Shell” dhe “Sofra”.
Ky
manifestim është një nga aktivitetet e para kulturore të shqiptarëve të kësaj
ane pas përmbysjes së sistemit komunist, dhe lindi nga gjiri i krijuesve letrar
kumanovarë në kujtim të 11 Marsit të demonstratave studentore të ’81-shit.