| E diele, 16.03.2025, 07:59 PM |
ARBËRESHËT GJAKU YNË I MËRGUAR
Nga
Neki Lulaj
Pikërisht
më 1 mars 2025, Shoqata arbëreshe “Proloco Arbëria” e prefekturës së Ungëros, e
udhëhequr nga kryetarja dhe aktivistet e palodhura Savarina Bavasso dhe Rosa Carbone,
ishte e ftuar në organizimin e aktiviteteve të VIII-ta me radhë me moton
“Skënderbeu, Prindi i Arbërisë”.
Këtë
shkrim, pa asnjë dyshim, do ta filloj me thënien e teologut dhe filozofit të
shquar të krishterë, Shën Augustin Hippos, i cili, mes të tjerash, thotë: “Bota
është një libër dhe ata që nuk udhëtojnë, lexojnë vetëm një faqe.”
Kishin
kaluar shumë dekada që në shkollën fillore kisha mësuar se, përveç shqiptarëve
të një gjaku dhe të një gjuhe që jetojnë në Shqipëri – me të cilët na ndan
vetëm një gardh i hekurt ose një vijë kufitare – ka edhe diku më larg, përtej
një deti me dallgë në mes, në jug të Italisë dhe në vende të tjera, një etnitet
shqiptar të quajtur Arbëreshë, të vendosur aty midis shekujve XV dhe XVIII, pas
amëshimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Për
shkrimtarët e vjetër të letërsisë shqiptare kishim mësuar që në bankat e
shkollës fillore dhe të mesme, si për Jeronim De Radën dhe Këngët e Milosaos,
për Gavril Darën e Ri dhe Këngën e Sprasme të Balës, për Përmbledhjen me
vjersha të Zef Serembes, pastaj për poetin dhe shkrimtarin e madh arbëresh Zef
Skiroin etj.
Shpeshherë
kam ëndërruar: a thua ndonjëherë do të mund ta gjej kohën për të vizituar Maqin
e Kalabrisë, ku lindi, jetoi dhe vdiq Jeronim De Rada – mësues, filolog,
botues, poet, folklorist dhe shkrimtar italo-arbëresh?
Miqtë
e mirë janë si yjet. Nuk i ke gjithmonë pranë dhe nuk i sheh, por e di
gjithmonë se janë aty me ty. Kështu më ndodhi edhe mua me mikun tim të çmuar,
atdhetarin dhe aktivistin e çështjes kombëtare, z. Gjergj Prenkoçaj, i cili më
ftoi për një vizitë të përbashkët treditore në Kalabri, përkatësisht nëpër
fshatrat arbëreshe. Këtë ofertë e pranova me kënaqësi dhe rrugëtimi im nga
Speyeri i Gjermanisë ishte tejet i këndshëm.
U
takova me Gjergjin në Lozanë, pastaj me djalin e tij, Ilirin, me Leutrim Gashin
dhe me Lulzim Bozhdarajn, me të cilët fluturuam nga aeroporti i Gjenevës për në
Romë, e nga Roma për në jug të Italisë, në aeroportin Lamezia Terme. Prej andej
vazhduam drejt Ungëros, një fshat i banuar nga arbëreshë.
Kaluam
kodrat e buta dhe rreth orës 2 pas mesnate arritëm në Ungëro. Aty na priti
befasia e parë: diku mbi 50 arbëreshë – djem të rinj, vajza, burra, gra dhe
pleq të moshuar – të cilët na kishin pritur deri në orët e para të mëngjesit në
Klubin e Aktiviteteve të Lira. Pastaj u drejtuan nga ne duke na uruar
mirëseardhjen, duke na i shtrënguar supet dhe duke na përqafuar fort, por edhe
duke derdhur lotë gëzimi.
Bisedat
dhe njoftimet tona me arbëreshët e dashur vazhduan deri rreth orës pesë të mëngjesit.
Ora shtatë e mëngjesit më gjeti në tarracën e hotelit, ku vërejta se dielli
këtu kishte një shkëlqim të veçantë. Meqë bashkëudhëtarët e mi ishin të lodhur
dhe vazhduan gjumin, unë dola në qytet. Rrugët e ngushta me kalldrëm më çuan në
qendër, ku u ndala në një lokal për të shijuar një kafe.
Shërbyesi
që ma solli kafen fliste bukur arbërisht dhe e kuptonte shqipen tonë. Ai më
tha: “Unë jam arbëresh.” Pas rreth dhjetë minutash u ngrita për të paguar kafen
dhe për të vazhduar shtegtimin drejt qytetit. Ai m'u përgjigj: “Kafeja është e
paguar. Rri mirë.” Këtë, për momentin, nuk e kuptova.
Vazhdova
drejt qendrës, ku në murin e një shtëpie vërejta mbishkrimin "Corso
Skanderbech". Ca metra më larg ishte busti i Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut, pastaj "Udha Jeronimi, poeti arbëresh më i madhi". Këtu
mësova se në Lungro është mbajtur Kongresi i Dytë i Gjuhës Shqipe më 20 dhe 21
shkurt të vitit 1897.
Në
qendër ishte një shatërvan i madh, i rrethuar me katedrale, muze, shtëpinë e
Darjave dhe bustin e Francesco Crispi. Afër gjendej edhe Katedralja "Shën
Nikollit", të cilën e vizitova dhe mësova se në këtë kishë mesha mbahej në
dy gjuhë: arbërisht dhe greqisht.
Në
qendër të qytetit ishte edhe mbishkrimi i një biblioteke private, pastaj busti
i Jeronim De Radës. Në pjesën tjetër, krejt në hyrje të qytetit, ishte një
mbishkrim ku shkruhej "Udha e Këngëtarëve Popullorë Arbëreshë". Ca
metra në të djathtë ishin pikturuar pesë njerëz që mbi supe mbanin thasë me
kripë – një peshë goxha e rëndë. Mësova se këtu afër gjendej një xeherore kripe
dhe se, kur ajo u zbulua, kripa barthej me thasë mbi supe nga thellësia e tokës
në mënyrë primitive.
Në
qendër ishte e parkuar një makinë, ku në pjesën anësore ishte e gdhendur një
shqiponjë dhe shkruhej: "Bashkia e Ungrës – Provinca e Kosencës – Policia
e Vendit".
Në
xhamat e vitrinave të çdo dyqani të dytë ishte vendosur një pllakatë e madhe me
portretin e Skënderbeut, ku shkruhej: "SKANDERBEKU – Prindi i
Arbërisë". Lungro, 1 Mars 2025, ora 15:00.
Pas
ngrënies së mëngjesit, kishim dëshirë të vizitonim një qytezë tjetër arbëreshe
mjaft karakteristike. Kështu, në qytezën Acquaformosa gjendej Kisha San
Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, e cila ishte një nga kishat më të
rralla në rajonin e Kalabrisë. Në derën e hyrjes së saj ishte gdhendur në dru
një shqiponjë dykrenare, ndërsa përballë saj ndodhej busti i Gjergj Kastriotit
Skënderbeut.
Edhe
kjo qendër kishte karakteristikat e saj të bukura dhe shtëpi me një arkitekturë
të vjetër, të ngjashme me atë të Krujës dhe qyteteve të tjera të vjetra
shqiptare, me rrugë tepër të ngushta.
Në
vendin e caktuar ku duhej të drekonim u
gjendem diku pakë mjesditës,ku u takuam
me mikpritësit arbëresh por edhe me bashkëatdhetar të tjerë qe kishin
ardhur enkas pë këtë festë pra për 581 vjetorin e“ Kuvendit të Beslidhjës së
Lezhës“ si nga Peja, Mirdita, Tirana,
Suedija kurse pesëshja e jonë kishte
ardhur nga Zvicra, Gjermania,dhe Franca !
Manifestimi
solemn filloj pikërisht në Ora
15:00 duke u nisur defilimi nga një pjesë e qytetit para një
kishe të vjetër për të vazhduar po thuaj në të gjitha rrugicat e qytetit,se
pari nisi rrugëtimi improvizust i Skënderbeut me rrobat dhe kapelën si e
Gjergjit hipur mbi një kalë.Bashkëluftëtaret e tij bartnin shtiza hekuri dhe
flamurin e shqipes dy krenare të armatosur me shpata dhe me veshje kombëtare
shoqeruar edhe me vajza me kostume
tradicionale me fije ari, të cilat ruajnë identitetin kulturor si
trashëgimi gjashtë-shekullore të traditës tipike të kohës së Skënderbeut, janë
ruajtur me xhelozi. Marshi filloi me këngë, daulle dhe tupana, duke brohoritur:
„Rroftë Skënderbeu!“. Në çdo shesh këndoheshin këngë arbëreshe dhe shqiptare,
ndërsa herë pas here dëgjoheshin brohoritjet: „Rroftë Skënderbeu!“.
Në
sheshin e dytë të qytetit, kur Skënderbeu takon Donikën, ata befas sulmohen nga
hordhitë turke dhe zhvillohet një dyluftim i improvizuar. Sulmuesit, të
armatosur me shpata dhe të veshur me rroba turke, zihen peng nga
bashkëluftëtarët e Skënderbeut dhe lidhen me litar. Muzika vazhdonte me tupana,
daulle dhe vallëzime nga valltarë burra dhe vajza arbëreshe.
Në
sheshin e tretë, Skënderbeu u kurorëzua me Donikën në prani të priftit. Pas
kurorëzimit, festa vazhdoi me muzikë, valle dhe këngë. Në sheshin e radhës,
Skënderbeu bëri një betim para bashkëluftëtarëve të tij, duke marrë shtatë
thupra dhe duke ua ofruar atyre që t'i thyenin, por askush nuk ia doli. Më pas,
ia dha të njëjtat thupra një fëmije, i cili i theu lehtësisht, një nga një. Me
këtë, Skënderbeu tha: „Vëllezër, forca dhe bashkimi bëjnë fuqinë! Andaj, të
bashkuar, askush nuk mund të na thyejë, as ushtria turke!“.
Ahengu
i kësaj feste vazhdoi deri në orën 19:00 nëpër rrugët e qytetit të Ungros, për
të vijuar më pas në shtëpinë e kulturës me muzikë, valle dhe këngë arbëreshe
deri në orët e vona të mëngjesit.
Ditën
e radhës, më 2 mars 2025, kishim pak kohë të lirë dhe isha i interesuar ta
vizitoja Muzeun Historik të Kripës në Ungër, ku edhe realizova vizitën. Aty
hasa në një poezi të poetit arbëresh, Vincenzo Borrescio, poezi të cilën ia
kishte kushtuar babait të tij, që punonte në kripore.
Më
pas vazhduan takimet tona me arbëreshët e tjerë. Pata fatin të takoja poetin
arbëresh Franko Vasko, nga fshati arbëresh Otoseta, i cili, ndër të tjera, më
tha: "Gjuha e arbërit është kryevepra e qytetërimit tonë, ky është miti i
mbijetesës sonë, është shpirti i mbijetesës sonë. Në zemër të Italisë, gjuha e
arbërit nuk është gjuha e bukës, por është gjuha e ekzistencës dhe shpirtit
tonë."
Me
këtë rast, ia dhurova tri përmbledhjet e mia poetike, ndërsa edhe miku Franko
më dhuroi disa poezi arbëreshe.
Vizita
jonë qendrore ishte nën udhëheqjen e zonjave Savarina Bavassos dhe Rosa
Cabrone, të cilat flisnin një arbërishte të kulluar. Një tjetër befasi e ditës
ishte vizita jonë në shtëpinë-muze "Risorxhimento – Rilindja
Italiane", një ndërtesë rreth 482-vjeçare. Bëhet fjalë për shtëpinë e
zonjës Anna Stratigo, e ndërtuar në vitin 1533, në rrugën “Casa Museo Risorgimento”
nr. 20.
Zonja Anna na priti me një mikpritje tipike arbëreshe, tepër tradicionale. Drekuam në shtëpinë e saj-muze, shijuam kafenë dhe shkëmbyem dhurata e mirënjohje të ndryshme për të gjithë mysafirët. Për nikoqirët e shtëpisë dhurova disa nga librat e mi. Më pas, nga zëri i çiltër arbëresh i zonjës Anna Stratigo, prej një artisteje të vërtetë, buruan interpretime të mrekullueshme me këngë të bukura, të shoqëruara me tingujt e një kitare, të cilën ajo e luante për mrekulli.
Znj.
Rosa Carbone, e cila kishte mbaruar Fakultetin e Albanologjisë, më falënderoi
duke u zotuar se do t’i lexonte me një kujdes të madh dhe do të bënte një
kritikë letrare në një gazetë në gjuhën italiane.
Në
orët e pasdites u ndamë për t’u nisur në një vizitë të planifikuar në Kalabri,
pikërisht për të vizituar shtëpinë ku ka lindur rilindasi arbëresh, Jeronim De
Rada. Në Maki (Maqi) të Kalabrisë, pa vështirësi gjetëm shtëpinë e De Radës,
frymuam atë pak ajër malli që ai e kishte lënë si testament për vizitorët e
ndryshëm, gjetëm portën e oborrit të hapur, u ngjitëm shkallëve të betonit të
vjetër, ku ai ishte ngjitur dikur, dhe prekëm me tamthat e gishtërinjve derën e
hyrjes në katin e dytë, ku ai kishte jetuar. Regjistruam me mall çdo imtësi dhe
bëmë edhe foto në oborrin e kësaj shtëpie, të mbetur në mëshirën e kohës.
Kaluam
në rrugën “Jeronim De Rada” për t’u ndalur te busti i tij, pastaj vizituam
Kishën ku është i varrosur dhe prehet trupi i tij i pajetë. Bëmë homazhe nderi,
me ç’rast zhvilluam një bisedë vëllazërore me priftin arbëresh, Engjëll
Prestigjoko, dhe shkrepëm disa foto të bukura.
Orët
e mbrëmjes i kaluam në Maki të Kalabrisë, për t’u kthyer vonë për darkë në
Ungër, ku na pritën djem e vajza arbëreshe, në krye me znj. Rosa Carbone. Me
këtë rast, natën vonë u ndamë me lot në sy dhe me porosinë e dëshirën e zemrës
që të takoheshim sërish në Ungër, Shqipëri apo Dardani, të cilat ata i kishin
ëndërruar prej kohësh për t’i vizituar, përtej Detit të trazuar.
I
gjithë ky pelegrinazh shpirtëror u zhvillua falë atdhetarit të palodhur dhe
mikut tim të shtrenjtë, z. Gjergj Prenkoçaj.
Ungër,
mars 2025