| E diele, 16.03.2025, 07:56 PM |
LDK SHTETFORMUESE ME LVV FITUESE - VULLNET I SHQIPTARËVE PËR BASHKËQEVERISJE
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Fillimisht, shpreh keqardhje për
përfoljet, lidhur me tjetërsimit të votave nga njëri subjekt, tek tjetri apo
brenda të njëjtit subjekt. Kemi mirëpritur vendimin e KQZ se numërimi i votave
do të bëhet në Qendrat e Votimit, si për subjektet, ashtu edhe për deputetët,
me mbikëqyrjen e komisioneve partiake, me një transparencë që nuk lënë asnjë
dilemë për ndryshim të adresimit të votës të subjektit politik apo të
deputetit. Lansimi i dyshimit është shqetësues dhe uroj të mos kalojë përtej
dyshimit! Shtrohet pyetja: Kaq i kushtueshme është aparatura e numërimit
elektronik, në raport me pagesën e qindra komisionerëve, kuadrit teknik dhe
mbikëqyrës, për një muaj radhazi?!
Përtej një muaji vazhdon të dominojë
pyetje mbizotëruese, e shprehur edhe në mënyrën dëshirore: "A mund të kemi
një qeveri të re LVV-LDK? Pse, pikërisht, lakohet kjo pritje, si e vetmja
zgjidhje aktuale, e pranueshme nga shumësia e shqiptarëve, për rrethanat,
udhëkryqin që ndodhet Kosova? Sepse, realisht, nuk ka hapësirë për të bërë një
zgjidhje të dytë, të pranueshme për interesat e Kosovës.
Shqiptarët, në përgjithësi, populli i
Kosovës, në veçanti, ka pritur reflektimin e partive, dikur të koalicionuara në
PAN. Këto subjekte politike, të lindura nga një mitër e përgjakur e LPK-së, me
eksponentët kryesorë të saj, tashmë, të konfirmuar si agjentë të trefishtë:
Sigurimit sekret shqiptar - SHIK dhe SHISH; UDB-së dhe BIA serbe: DGSE
franceze, pa përjashtuar Shërbime të tjera Informative, zgjodhën metodën
fashizoide të partizanëve të Enver Hoxhës, vrasjen e kundërshtarëve politikë:
para, gjatë dhe pas luftës, për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, përdhunshëm e
përgjakshëm, madje pa zgjedhur mjetet!
Politikanët e shantazhuar, të
rrezikshëm për Kosovën
Krimet e eksponentëve të LPK-së së
djeshme, të PAN-it të sotëm, përkatësisht, të PDK-AAK-NISMA, janë faktuar nga
Gjykata vendore dhe ajo ndërkombëtare. Por, ndëshkimi, asnjëherë dhe në asnjë
rast, nuk ka qenë real, meritor, në raport me krimet numerike e sadiste. Janë
ekzekutuar djem dhe burra atdhetarë të dëshmuar, të cilët bënë paqen dhe
luftën, si parti, LDK, dhe forcë e organizuar veprimtare e luftarake. Qindra
shtatore dhe memoriale përkujtimore të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të
Ibrahim Rugovës; kuadro dhe veprimtarë të LDK-së; gazetarë e korrespondentë të
luftës; kuadro e veprimtarë të hershëm të LPK-së; aktivistë dhe ushtarë të
vijës rugoviane, janë dëshmi e krimeve makabre, të bëra nga disa
"komandantë" kundërshtarë, me bandat e tyre.
Edhe pas një çerek-shekulli, këta
"komandantë", eksponentë të partive të PAN-it, nuk kanë shprehur
asnjë pendesë, për krimet, tashmë, të konfirmuara. Përkundër, ata synojnë
rikthimin e dhunshëm në pushtet, edhe pse populli i Kosovës, me votën e tij
demokratike, sërishmi, i ndëshkoi, i refuzoi bindshëm. Burimet e klientelës së
tyre elektorale janë rrast të dyshimta: 80 mijë nëpunës shtetërorë; 30 mijë
anëtarë të SHIK-ut; 42.500 "veteranë" të rrejshëm, shto këtu edhe
votat e familjarëve, farefisnisë dhe të miqasisë së tyre, i mbajnë brenda
kuotës të pragut zgjedhor.
Shikoni listat e kandidatëve për
deputetë të PAN-it, sidomos, brenda rreshtimit numërorë 20! Me krime nëpër
këmbë nuk ka ecje të shpenguar, drejtë progresit, Evropës. Njerëzit e
shantazhuar, me dosje aktive dhe obligime karshi Axhensive Informative të
huaja, armike të Kosovës, janë të rrezikshëm për vendin dhe, assesi, nuk duhet
të ngritën në poste vendimmarrëse. Kujtoni vizionarin urtak, Rugovë, refuzimin
e Hashimit për kryeministër apo ministër, sepse e konsideronte rrezik potencial
për Kosovën, ngaqë e dinte ku "kulloste" ai!
Larg qoftë, marrja në koalicion të
cilido subjekt të PAN-it: PDK-AKK-NISMA, nga LVV, do të ishte nonsens i madh
për Vetëvendosjen, si dhe një provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe
shqiptarët e përbotshëm. E trishtme do të ishte, sidomos, për shumë qindra
familje, viktima të "komandantëve" të PAN-it, me bandat e tyre
vrastare.
Kushtëzimet në demokraci, në shtetin me
pluralizëm partiak, realisht, nuk duhej të kishte. Por, ajo që i ka ndodhur
Kosovës, përgjakja ndërshqiptare, pa luftë civile, qytetare, është unike, edhe
përtej hapësirave Ballkanike. Andaj, duke pasur një partner të pakriminalizuar,
siç është LDK-ja, Albin Kurti dhe Vetëvendosje e tij, duhet t`i ofrojë
bashkëqeverisje, duke përmbushur dëshirën e shqiptarëve dhe sugjerimin e
ndërkombëtarëve, për ta kompozuar Qeverinë në pritje. LVV duhet t`i përmbahet
vendimit se Opozita e Bashkuar PAN, nuk duhet lejuar ta përvetësojë fitoren e
saj, për ta qeverisur Kosovën. Njëherësh, duhet të përcaktohet, prerazi, për
bashkëqeverisjen me LDK-në. Pa mëdyshje, kjo do të ishte qeverisja më e mirë
dhe me duar të pastra.
Propaganda e organizuar e Baton
Haxhiut, me lukuninë e tij lehaqene të argatëve të tij, po agjitojnë për ta
demoralizuar LDK-në, duke ia kuajtuar koalicionin e Qeverisë Kurti-1, nuk ka
funksionuar, gjoja, për fajin e LVV. Këtë çështje e kemi trajtuar dhe sqaruar,
deri në shterrim. Koalicionin e ka prishur Thaçi me Grenell, Vuçiq, Rama, Mustafa.
Dhe, këtë e konfirmon Arben Gashi, se "Grenell na dha një javë afat, për
ta prishur Koalicionin me LVV". Edhe Isa Mustafa thotë se "unë e
prisha koalicionin me LVV!". Por, Isa nuk ka qenë asnjëherë anëtar i
LDK-së. Ai ishte katapultuar në krye të partisë së Rugovës, nga Hashimi. Madje
edhe ministrat kryesorë, ia kishte ofruar ai. Pra, kjo nuk përbënë asnjë
pengesë, për ta bërë koalicionin aktual LVV-LDK.
Për shqiptarët, PAN mëkatar i
shekullit, nuk amnistohet!
Dy subjektet politike, LVV-LDK, kanë
provuar bashkëqeverisjen, më 2019, edhe pse jetëshkurtër. LDK-ka përvojën e
mjaftueshme të koalicioneve dhe nuk e ka babëzitjen dhe pacipërinë për të marrë
me tre deputetë, 4 (katër) ministri, siç bënte kozmopoliti Pacolli. Dihet se LDK-ja
nuk është në pozitën e favorshme, për të kërkuar më shumë se sa i takon. Por,
kam bindjen se do të ishin partnerë serioz e fisnik.
Ndërkohë që subjektet tjera politike i
shantazhonin krerët e partive të tyre, për poste ministrore, madje pa qenë as
profesionistë përkatës, kryeministri Kurti vendosi standard të ri. "Kemi
fituar tej 400 mijë vota, ndërkohë që një qeverie i nevojitën vetëm një duzinë
ministrash. Prandaj do të përzgjedhim dhe emërojmë ministra profesionistë, për
fushat përkatëse, qoftë edhe jashtë anëtarësisë të partisë, LVV!" Dhe,
ashtu bëri. Kryeministri i mbrojti ministrat e tij, deri në përfundim të
mandatit, edhe pse, herë pas here, opozita ia kërkonin, vend e pa vend,
shkarkimin e tyre! Dhe, mirë bëri, sepse një opozitë destruktive dhe hiç
serioze, si ajo e PAN-it, nuk meritonte as respekt dhe as vëmendje. Ishte po
kjo opozitë që kërkonte, në vijimësi, edhe shkarkimin e Qeverisë Kurti-2, por
edhe spiunonte tek ndërkombëtarët, madje edhe në dëm të Kosovës. Opozita
PAN-iste shkoi edhe me larg, akuzoi publikisht Kurtin, se "nën maskën e
shtrirjes të sovranitetit, në veriun e Kosovës, po provokon serbët, njësoj si
Millosheviqi dikur shqiptarët!" Dhe, koordinonte akuzat me Serbinë, për
shkarkimin e tij!
Realisht, LDK-ja konsiderohet parti
akademike, me kuadro të bollshme dhe me një edukatë supreme. Rast i rrallë, në
mos unik, është ndikimi, gjithnjë, për të mirë, i -Neriut Rugovë- tek
anëtarësia, elektorati i LDK-së. Për ndryshim nga "yrishnikët"
kumandarë" kundërshtarë, të cilët, rrejshëm e falsifikueshëm, kanë mohuar
kontributin për paqe dhe luftë të partisë zëmadhe të arkitektit të pavarësisë
të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Është koha që LDK-ja, sërishmi, të dëshmohet me
angazhimin e saj edhe në kohën zezonë, për popullin dhe Kosovën tonë.
Kam bindjen se, nëse arrihet
pajtueshmëria për bashkëqeverisje: LVV, Alternativa, Guxo - me LDK-në, do të
mbizotërojë arsyeja e -ndarjes së tortës- mes tyre meritueshëm e fisnikërisht,
gjithnjë në interes të administrimit korrekt dhe të përgjegjshëm të Kosovës. Në
shkrimet tona mjaftohemi ta përmendim vetëm LVV, duke nënkuptuar edhe dy
partneret simpatike, Alternativa dhe Guxo, të cilat kanë qenë fituese bindëse,
respektivisht, me 7 dhe 6 deputetë cilësorë, me votim masiv. Shqiptarët njerëzorë
e kanë përjetuar rëndë sulmin e padrejtë, të poshtër dhe, skajshëm, kriminal,
të kryetares dinjitoze, të -Alternativa-, Mimozë Kusari-Lila, për një bisedë
aksidentale, disa sekondshe, të kurdisur nga BIA serbe dhe argatët e saj
gazetarë shqipfolës, zuzarë e mjeranë, në shërbim të politikës së Beogradit
zyrtar. Shumsia rekord e votave për qëndrestaren Mimozë, është përgjigja më e
mirë demantuese për horrakët, hafije të hershëm dhe të tashëm të Serbisë.
Bëra këtë sqarim, sepse jeta ime ka
pasur një rrjedhë të dhimbshme, me burgje dhe vuajtje. me goditje të egër dhe
tërësisht të padrejtë. Është përcaktimi im parimor për ta thënë të vërtetën,
pavarësisht çmimit. Andaj, kam ndarë shqetësimin, deri në dhimbje, me Mimozën.
Edhe prekja e saj nga kanceri i gjirit, pikërisht, në këtë kohë të një sulmi
frontal, druaj që ka ndikuar edhe në nismën e sëmundjes. Sepse mjekësia ka
hedhur dyshimin, se stresi shkakton edhe goditje të kësaj natyre. Për ta
goditur Qeverinë Kurti, pse po shtrinte sovranitetin, tërësisht të munguar, në
veriun e Kosovës, Serbia me agjentet e saj në mediet e Kosovës, eksponentë të
PDK-së, në koordinim me BIA serbe, përgjonin dhe kurdisën "aferën"
kundër Mimozës.
Kuadri profesional në dikastere,
parathënie e suksesit qeverisës
Ndarja e posteve ministrore në mes të
partnerëve në koalicion, është një përgjegjësi e rëndësisë së parë. Sepse nga
përgaditja profesionale dhe aftësia menaxhuese, suksesi i dikasterit përkatës
është i garantuar. LDK-ja ka pasur një qeverisje të suksesshme në ministrinë e
Ekonomisë, në Financa, në Arsimin, Infrastrukturën, pa afera dhe skandale.
Posti i zëvendës-kryeminstrit, domosdoshmërisht, duhet t`i përkas LDK-së. Por,
ama, jo një emresë për numër, por të jetë i konsultuar dhe i dëgjuar në vendimmarrje
të përbashkët me kryeministrin. Nuk po vazhdoj me emërtesa, sepse edhe
Alternativa dhe Guxo meritojnë pjesën e trofesë së tyre. Ato duhet të marrin
nga një Ministri me peshë dhe një ministri tjetër të dorës së dytë.
Kryeministrin nuk po e fusim në
llogari. Organet, ministritë e -Diktaturës të Proletariatit-, siç i quanin
komunistët ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme, të Drejtësisë, janë domene të
Lëvizjes Vetëvendosjes. Hisen ministrale e kanë edhe minoritetet, si pjesë
përbërëse të Atdheut të përbashkët Kosovë.
Në Kosovë shpërfaqet një mendësi e
gabuar, por që përbënë faj, kur shqiptarët i quajnë minoritetet ardhacak,
sidomos serbët! Kjo është e dëmshme, deri në fajësi, sepse president ka të
drejtë të bëhet, nëse votohet, kushdo që ka lindur në SHBA. Shembull,
presidenti Obama, madje me ngjyrë. Emri i artisti të mirënjohur, Schwarzeneger,
është lakuar për postin e presidentit, por pengesë kushtetuese ishte se ai ka
lindur jashtë Amerikës. Megjithatë, ishte Guvernator i Kalifornisë. Mbretëria e
Bashkuar, (Anglia), shquhet për konservatorizëm kombëtar. Por kryetar i Londrës
u bë një arab!
Kishte të drejtë Kurti dhe LVV e tij,
kur kundërshtonte regjistrimin për zgjedhje të Listës Serbe, sepse e kishte
mbushur kupën, për të qenë e jashtëligjshme, por Opozita e Bashkuar nuk pranoi
ta bënte këtë. Përndryshe nuk do të duhej të lavdërohen subjektet politike
shqiptare, duke thënë se nuk bëjmë koalicion me serbët, sikur ata të jenë me
sëmundjen ngjitëse të leprozës. Në këtë mënyrë asnjëherë nuk do të arrihet
integrimi i komunitetit serb në shoqërinë e ashtuquajtur multi-etnike të
Kosovës! Edhe ndërkombëtarët, kur serbët, herë pas here, konsiderohen
ardhacakë, e vënë në dyshim thirrjet e sinqerta që bëhen për integrimin e tyre,
edhe pse gëzojnë të drejta e privilegje, më shumë se çdo minoritet në rajon dhe
më gjerë në Evropë.
Por, Kurti, me shokë, më parë duhej të
kushtëzonte PAN-istët, pra, PDK-AAK-NISMA, për të bërë reforma brenda partisë,
kur dihet se këto subjekte politike kanë shumë eksponentë të krimit vrastar e
hajnor, madje, disa syresh edhe në kupolë të tyre. Nëse këtë nuk mund ose nuk
duan ta bëjnë, atëherë nuk duhet lejuar vazhdimi i jetës politike e publike të
tyre, sepse mbrojtja e krimit, natyrshëm të bënë pjesë të krimit.
Shansin e humbur, nuk e kompenson
pendesa e vonuar
Ekstremet dypalëshe janë të baraz të dëmshme,
të papranueshme. Opozita e Bashkuar, duke përdorur refuzimin e koalicionit me
LVV, me "armën" e bojkotit të organizuar. Dhe, LVV duke kërcënuar me
zgjedhje të sërishme, ose të pritshme, deri në zgjedhjet presidenciale, në
prillin e ardhshëm. Nëse ajo bënë bllokim të përkohshëm të jetës politike, nën
ethet e rizgjedhjeve, të cilat nuk pritet të jenë zgjidhje afatgjatë e stabile.
Edhe zgjedhja e Presidentit/es, janë të kushtueshme dhe me pazare, të cilat nuk
prodhojnë vlerë të mirëfilltë. Ndërsa një koalicion i tanishëm, do të shmangte
çfarëdo lloj zgjedhje aktuale apo të pranverës së ardhshme.
Pra, një qeveri solide e pa arnime të
dyshimta, do ta shmangte rikthimin në pushtet të një qeverie kalkuluese,
deshtake dhe moralisht të cenueshme. Pretendimi i PDK-së, për të qeverisur apo
për të qenë pjesë e qeverisjes, nuk ka asnjë bazë reale, sepse renditja e saj
fituese e dytë e zgjedhjeve, është fiktive, rezultat i klientelës elektorale:
nëpunësia e stazhionuar duke qenë gjatë në pushtet; anëtarësia numerike e
SHIK-ut; "veteranët" e rrejshëm. Përndryshe, është paradoksale që
PDK, me një barrë krimesh, hajnishë, haraçit masiv, uzurpime e zhvatje të
pasurisë shtetërore, ta këtë epërsinë e LDK-së, e cila, assesi, nuk vuan nga
këto mëkate.
Populli i Kosovës dhe shqiptarët e
kudondodhur, janë në pritje të krijimit të një qeverie të përgjegjshme
politikisht dhe të përgaditur profesionalisht. Mbesim me urimin e madh, të
mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur.
Të paktën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka hyrë në pazaret e
Opozitës së Bashkuar, për krijimin e një qeverie nga humbësit. Dhe, nëse do ta
bënte këtë, ndëshkimi i tij nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së, do të ishte
i pritshëm. Pra, nisma e mbarë e Lumirit, për ngritjen e partisë, fituesja e
parë në ish-zgjedhjet komunale, si dhe dyfishimi i elektoratit të saj në këto 4
vite, në rast të refuzimit të koalicionit aktual, me LVV, do ta humbiste
shansin, për ta bërë LDK-në kryezonjë, sepse opozitarizmi i zgjatur,
"hallakatë", pasivizon dhe demoralizon anëtarësinë, elektoratin.
Mendoj se shtrimi i çështjes të
koalicionit në Këshillin e Përgjithshëm, votimi i fshehtë, dhe kurrë aklamativ,
do ta jipte zgjidhjen e duhur. Shansin e humbur, nuk e kompenson pendesa e
vonuar. Andaj, koha është për vendim të mençur, të shëndetshëm për LDK-në e,
mbi të gjitha, për Kosovën. Bërja pjesë e bojkotit, është sikur t`i hipish
mizës!