| E premte, 14.03.2025, 08:00 PM |
FAIK KONICA NË 150-VJETORIN E LINDJES: AKTUALITETI I FJALËVE TË TIJA PËRBALLË REALITETIT TË SOTËM POLITIK NDËR SHQIPTARËT!!
Nga
Frank Shkreli
“Tek
prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”
‘I dërguar i jashtëzakonshëm
dhe ministër fuqiplotë’…është një titull i padëmshëm por nuk përputhet me
realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota, ata duhet të
kërkojnë udhëzime për çdo rast, shkurt, ata nuk janë fuqiplotë; megjithse
ndonjëherë, duke qenë njerëz, qëllon të jenë të jashtzakonshëm.’ (Marrë nga libri,“Faik
Konica-Jeta në Washington”, të autorit, Ilir Ikonomi.’
Faik Konica ishte vërtetë i jashtzakonshëm, jo vetëm si diplomat,
por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka
pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së
tij në përgjithsi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve.
Me revistën e tij, “Albania”, ai ndihmoi dukshëm, për periudhën kur jetoi, në
përhapjen e kulturës shqiptare edhe në Evropë, duke mbrojtur, njëherazi, të
drejtat dhe interesat e shqiptarëve, si popull i harruar i kontinentit të
vjetër. “I shkolluar në Kolegjin Saverjan të Etërve Jezuitë në Shkodër, më vonë
në Stambollë dhe në fund në Francë”, ka shkruar me një rast Ernest Koliqi për
Faik Konicën se, “ky grumbullim i jashtazakonshëm
prirjesh e studimesh e vênte Faikun në nji numër Shqiptarësh të ndritun e të
dijshëm që aso kohe mund të numroheshin në gishtat e nji dore.”
Faik Konica, ky “njeri me kulturë të
lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer,
stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare,
veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i
takonte, poliglot, sipas shumë vërejtsve, ka sjellur një model të ri në
mendësinë shqiptare. Është e vështirë të
gjendet edhe një i dytë sot, thëniet e të cilit pas kaq shumë vitesh vazhdojnë
të jenë kaq aktuale. Albanologu gjerman i
ndjeri Robert Elsie ka shkruar se Faik Konica ka kritikuar bashkatdhetarët e
vet duke i bërë thirrje për një qëndrim më real dhe kritik ndaj kombi të vet,
megjithë të metat dhe dështimet e tij gjatë historisë së shekullit të kaluar. I
zhytur, si të thuash, në kulturën perëndimore -- ka vlerësuar Robert Elsie --
Faik Konica ka luftuar për vendosjen e një kulture më të rafinuar perëndimore
në Shqipëri por, njëkohsisht, ai ka vlerësuar edhe traditat shqiptare.
Është e vërtetë se komentet sarkastike
dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca
e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore. Sepse, siç ka shkruar
edhe Ernest Koliqi, “Në polemikë, Faik Konica i prente drutë shkurt”. Cilatdo
qofshin vlerësimet ndaj Faik Konicës, fakti mbetet se thëniet e Konicës, më se
një shekull më parë, për realitetin e atëhehershëm shqiptar, janë aktuale edhe
sot për botën shqiptare. “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në
njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”, ka
paralajmëruar Faik Konica bashkatdhetarët e kohës së tij. Gjykoni vet se si kanë
vajtur Shqipëria dhe shqiptarët këto 100-vjet të kaluara dhe nëse Konica kishte
të drejtë. Klasës politike
aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica iu drejtohet me
këto fjalë: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne
shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk
këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet,
në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.
“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e
krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.
“Armiqtë e Shqipërisë janë vet shqiptarët, jo të tjerët. Shqiptarët kanë
shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.” (Faik
Konica)
Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim,
Faik Konica i këshillon, sidomos përball aktualitetit të sotëm të brendshëm
konfliktual politik dhe të gjendjes së pasigurt ndërkombëtare: “Të përpiqemi me
të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata
duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – e jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij
shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).
Për ata që thonë se 35-vjet
post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë
perëndimore, Faik Konica u thotë: “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën
dëshirat.” Duke shtuar se, “Politika e
vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në
përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).
Për ata që rininë e quajnë “huliganë”,
Faik Konica u thotë: “Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të
ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër,
ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’
5, 1905) -- “Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë
zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.
Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të
pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, përball sfidave me të cilat
përballen sot shqiptarët, Faik Konica u drejtohet atyre me këto fjalë: “Si mos
të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk
punojnë”?
Për opinionistët dhe analistët e
TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte: “Shumica e atyre që kanë
marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë
ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirë-informuar.
Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi
të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një
nxënës shkolle”. (‘Albania’ 6, 1905).
Edhe një tjetër thënje për opinionistët e shumtë debatues në
televizionet shqiptare -- në Shqipëri dhe në Kosovë -- por edhe për gazetarët e
sotëm të medias së shkruar, Konica u flet kështu:
“Frikacaku i ka tërë karakteristikat
dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I
pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).
Duke i shtuar karakterizmit të tij të
opinionistëve/gazetarve Konica është shprehur: “Ka njerëz që shitën ndër
guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë
për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).
Vazhdon kritikat ndaj gazetarëve dhe
opinionistët – që sipas Konicës, “kanë marrë mbi vete misionin modest të ndriçojnë opinionin
publik”, por ka shkruar ai: “Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë
individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk
ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë”. (‘Albania’ 6, 1905).
Drejtuar akademikëve dhe studiuesve,
Faik Konica u thotë: “E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të
yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).
Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të
shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë: “Urrejtja nuk
çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909). “Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e
tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).
Ndërsa, apologjetëve të komunizmit dhe
të regjimit të Enver Hoxhës, sidomos intelektualëve të sotëm, të cilëve 35-vjet
post-komunizëm, në shkrimet e mia modeste – shpesh u kam bërë thirrje të
reflektojnë mbi të kaluarën komuniste dhe krimet e regjimit -- Faik Konica do
t’u thonte: “Dallimi në kulturë shpjegon
dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e
lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur
institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’
5, 1907).
Duke shprehur pesimizmin e tij për
individë të tillë, Konica është shprehur: “Të verbrit do të mbeten të verbër in
sœcula sœculorum (për shekuj të shekujve), edhe sikur t’u shtini perona në sy,
ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).
Përfaqësuesit e partive politike
shqiptare, Faik Konica do i këshillonte sot të mënjanojnë urrejtjet ndaj njëri
tjetrit: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”.
(‘Albania’ 2, 1904).
Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e
natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u
thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve: “Shqipëria është
një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë
urrejtje ndaj bukurisë”.
Shqiptarëve në, përgjithsi, dhe kudo,
përfshir edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën shqiptare kudo në
2025, Faik Konica kërkon të reflektojnë dhe porosit që ‘të mësojmë duke parë e dëgjuar
për reth nesh’, për ndryshe, vaj medet: “Mbani mirë (mend) këtë që po
ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, (prap) do të jemi aq poshtë sa
edhe sot”.
Kur do i dëgjonë dhe kur do i marrin
seriozisht shqiptarët fjalët dhe porositë e lëna pas të Faik Konicës!?
Ju falemnderit për durimin. (Frank Shkreli)
Frank Shkreli
Boston, 14 Mars, 2025