| E hene, 10.03.2025, 07:52 PM |
Reagim ndaj marshit të 8 Marsit të organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”
Organizata
Shqiptaria shpreh shqetësimin e saj të thellë për marshin e organizuar më 8
Mars nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, i cili, në vend që të
përqendrohej në të drejtat dhe sigurinë e grave, u shndërrua në një platformë
për agjenda politike të huaja, të cilat bien ndesh me interesat e Kosovës dhe
popullit shqiptar.
Ne
dënojmë përpjekjet për të keqpërdorur këtë ditë të rëndësishme për qëllime që
nuk kanë lidhje me të drejtat e grave, por që synojnë të përçojnë mesazhe
politike anti-Kosovë dhe anti-shtet. Sidomos është e papranueshme që në një
marsh të mbajtur në kryeqytetin e Kosovës të propagandohet në mbështetje të
Palestinës – një entitet politik që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe që mban qëndrime
armiqësore ndaj kombit tonë.
Duhet
të jetë e qartë për të gjithë: Kosova dhe shqiptarët nuk mund të jenë në krah
të atyre që mohojnë shtetësinë tonë dhe që mbështesin organizata terroriste si
Hamasi, i cili në vitin 2023 kreu sulme barbare kundër Izraelit, duke shkaktuar
një konflikt tragjik me mijëra viktima. Nuk duhet harruar se Izraeli ka qenë
dhe mbetet një mik i Kosovës, një ndër vendet që e njohu pavarësinë tonë dhe që
vazhdon të mbështesë vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Ne shprehim keqardhje
për viktimat civile nga cilado palë, por kjo nuk mund të justifikojë
mbështetjen për ata që nuk njohin Kosovën dhe që qëndrojnë kundër interesave
tona kombëtare.
Për
këtë arsye, ne nuk mund të pranojmë që organizata të dyshimta dhe të
manipuluara, ndoshta edhe të financuara nga qarqe të islamit politik, të
përpiqen të imponojnë narrativa të dëmshme për vendin tonë. Shqiptarët janë një
komb pro-perëndimor, i orientuar drejt vlerave demokratike dhe aleancave
strategjike me miqtë tanë të vërtetë, jo me ata që punojnë kundër nesh.
Organizata
Shqiptaria bën thirrje që institucionet shtetërore të ndalojnë manipulime të
tilla dhe të sigurojnë që 8 Marsi të mbetet një ditë për gratë, për të drejtat
dhe mirëqenien e tyre, e jo një platformë për agjenda të huaja që dëmtojnë
interesin kombëtar.
Me respekt,
shkruar nga Organizata Shqiptaria
Për publikun e shpërndan Luan Asllan Dibrani