Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neshat Mehmedi: Lazim Destani - Filantropi i diturisë dhe rrënjëve kombëtare

| E diele, 09.03.2025, 07:54 PM |


LAZIM DESTANI - FILANTROPI I DITURISË DHE RRËNJËVE KOMBËTARE

Nga Neshat Mehmedi

Në një akt solemn, me simbolikë të thellë kombëtare dhe arsimore, Universiteti i Tetovës, në nder të Ditës së Mësuesit, 7 Marsit, i ndau filantropit të shquar Lazim Destani çmimin kombëtar "Fadil Sulejmani". Ky çmim, me motivacionin "Përkrahës dhe mbështetës financiar i Universitetit të Tetovës, nga themelimi e deri më sot, që ishte në krahë të Profesor doktor Fadil Sulejmanit themeluesit dhe rektorit të parë të Universitetit të Tetovës", është një vlerësim i denjë për një personalitet që e ka kuptuar dhe përqafuar rëndësinë e arsimit si shtyllë fundamentale e zhvillimit kombëtar.

Në rrugëtimin historik të kombit tonë, arsimi ka qenë dhe mbetet drita që ndriçon rrugën e së ardhmes, ajri që ushqen mendjet dhe shpirtrat tanë, dhe uji që i jep jetë çdo brezi të ri. Në këtë frymë, kontributi i z. Destani nuk është thjesht një ndihmë financiare, por një investim në fuqinë intelektuale dhe shpirtërore të shqiptarëve, një gur themeli në përparimin e shoqërisë sonë.

Në një kohë kur sfidat dhe vështirësitë ishin të shumta, mbështetja e tij e palëkundur ishte dhe mbetet një burim frymëzimi për studentët, akademikët dhe të gjithë ata që besojnë në arsim si forcë transformuese. Universiteti i Tetovës, si një fortesë e diturisë dhe identitetit kombëtar, e gjen në Lazim Destanin një aleat të përhershëm, një vizionar që nuk kursen asgjë për të parë rininë shqiptare të arsimuar, të gatshme për sfidat e së ardhmes.

Ky çmim nuk është vetëm një mirënjohje për të kaluarën, por edhe një mesazh i fortë për të ardhmen – se dijetari dhe bamirësi shkojnë krah për krah, se zhvillimi i një kombi varet nga përkushtimi ndaj arsimit dhe se ndriçimi i mendjeve të reja është detyrë e secilit prej nesh.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë, urime z. Lazim Destani për këtë vlerësim të merituar!

FOTO: