| E premte, 07.03.2025, 07:55 PM |
Këngët autoktone përmajekrahut , një himn i harruar i malësorëve shqiptarë
Nga
Gjekë Gjonaj
Kjo formë e këndimit të shqiptarëve në trevat shqiptare në Mal të
Zi është
përdorur ( interpretuar) në disa vise
që janë më shumë kodrinore -malore: në
Hot, Grudë, Triesh, Plavë e Guci, por edhe në zonat që janë më pak rrafshinore ,
siç janë: Kraja, Ana e Malit, Rrethi i Tivarit dhe
Shtoji i Ulqinit.
Emërtimet e këtyre
këngëve na paraqiten të ndryshme por të
përafërta. Në Hot dhe Grudë përdoret
emërtimi “ Këngë përmajekrahu”, në Triesh “ Këngë përkryekrahi”, në Krajë “ Këngë të g’jata, në Anë të
Malit “ Me kënue zonisht “, por më të parapëlqyera ( preferuara) janë dy
emërtimet e para.
Studiuesit e fushës së
muzikës vlerësojnë se të gjitha këto këngë kanë elemente të përbashkëta edhe në
fushën e kulturës materiale dhe shpirtërore , e njëkohësisht kanë edhe
dallime midis tyre në rite, doke, zakone dhe
përgjithësisht në jetën muzikore.
Sipas muzikologëve, kjo mënyrë e
të kënduarit është traditë e
stërgjyshërve të përbashkët, përkundër
paraqitjeve diku më të hershme e diku më
vonë.
Këngëtarët e vjetër malësorë (shqiptarë) pohojnë
se këngët përkryekrahi janë kënduar në rast thirrjesh, kushtrimit dhe përgjigjesh nga zona në zonë qysh në kohën e luftërave,
për t’u marrë vesh me njeri-tjetrin, pa u kuptuar nga armiku. Përveç kësaj
ato, siç theksuam më lart, përcjellin lajme të ndryshme, të gëzimit,
hidhërimit... Këngët e tilla kanë shërbyer
si mjet komunikimi e sinjalizimi
në largësi për të dhënë lajmin e rrezikut.
Këngët përkryekrahi, si formë unike e komunikimit ndër shqiptarë, janë këngë
që këndohen solo, pa shoqërim
instrumental nga një këngëtar ose edhe dy sish . Këngëtari këndon
dy ose disa vargje në këmbë ose i ulur
në dy gjunjë, çon dorën mbi krah,
e v gishtin në vesh ose e mbulon veshin
me shuplakë, si një ritual për ta përhapur më fort jehonën e një
kumti apo informate. Informata kishte të
bënte me një njoftim a kushtrim për luftë, për ndonjë rrezik nga armiqtë, me të
cilët banorët e këtyre zonave ishin ballë për ballë me shekuj.
Edhe pse bëjnë pjesë në grupin e këngëve njëzëshe
në interpretimin e këtyre këngëve
mund të marrin pjesë edhe dy e
më shumë këngëtarë. Si të tilla muzikologët
mendojnë se janë këngët më të
vjetra të fondit folklorik shqiptar që
na kanë mbetur, të cilat me shekuj janë
bërë himni i vetëm i i malësorëve.
Dallohen nga këngët e tjera shqiptare për cilësinë e
zërit ( tingullit) muzikor. Këngëtari që
i këndon këto këngë duhet t’i plotësojë
të gjitha kërkesat estetike të
zërit me cilësitë më të larta, domethënë të ketë
zërin brilant si pushka , të lartë
dhe të ëmbël që e nis thirrjen
dhe menjëherë përcillet nga këngëtari tjetër, duke unifikuar ( bashkuar) zërat
në një të vetëm për të fuqizuar informatën, por edhe të pëlqehet nga të gjithë që e dëgjojnë. Përmbajtja
e këtyre këngëve, pohojnë specialistët , është një përmbledhje e shkurtër në tre ose
katër rreshta nga tetë rrokje e një historie apo trimërie të përmendur.
Dr. Rexhep Munishi në
librin e tij “ Këngë malësorçe shqiptare” ndër të tjera shkruan:
“Krahas tematikës së
transformuar dhe të ndryshuar në
traditën e të kënduarit të këtyre këngëve mbeti edhe një numër këngësh të cilat
gjatë interpretimit nuk kanë kuptim të qartë të tekstit,
prandaj edhe është e vështirë të thuhet ( kuptohet) me siguri se çfarë ishte tematika e këtyre
këngëve në të kaluarën e largët. Kjo vlen për të gjitha këngët malësorçe.”
Nga literatura e
shfrytëzuar dhe gjurmimet në terren kam arritur
të shënoj disa
këngëtarë shqiptarë nga Mali i Zi,
të cilët janë dalluar me interpretimin e këtyre këngëve në periudha të
ndryshme kohore, kryesisht në shekullin e kaluar.
Interpretuesit më të
njohur trieshianë të shekullit njëzetë për këngën përkryekrahi janë: Nosh Grishi Nikprelaj, Nikollë Noshi Nikprëlaj
(babë e djalë) , Nosh Prëla
Nikprëlaj, Dodë Prëka Micakaj , Rrok Zefi Prënkoçaj etj.
Ja disa variante këngësh malësorçe shqiptare që i
kanë kënduar në Triesh:
A: Nosh Grishi Nikprelaj nga fshati Bëkaj i Trieshit e ka
kënduar fuqishëm këtë këngë, të cilën e ka transkriptuar R. Munishi:
“ (0) O, po fja a – le
ka çu u -ve
(e) ve se thu-je Gja-ko-ve es o o po u
(e) se ke je e ga-buo u
(u) ve se , tha ,
thu-je Gja-ko o u
(u) ve se o po ke je e
ga-bu u e ja u.
.... Fjal’ ka çue:
Thuj Gjakovës : Ke
gabue”,
Thuj Gjakovës: “Ke gabue”
(Burimi: Anton Kolë Berishaj ” Në një cep të Ilirisë”,
f.252)
B. Në vazhdim po japim
edhe tri këngë përkryekrahi që i mblodhëm në Cem të Trieshit.
1.O po burrë i vogël o
O po i hipka o atit o
O del o ën Shkodër o “
-------------------
2.O po fjalë o për tel o
O thuoj o Gjakovës o
O çou e del o “
-----------------------
3. “O po djal i ri o
O veshe jelekun o”
( Tregoi: Lekë Zef
Nikprelaj- Cem i Trieshit)
Këngët përmajekrahu u kanë shërbyer brezave për
komunikim dhe transmetim të informacionit, pra ato kanë pasur brenda vetes
edhe dimensionin estetik mjaft të fuqishëm. Interpretimi i këtyre këngëve realizohej me anën e theksimeve të rrokjeve,
që informata të transmetohej sa më e fortë dhe sa më e qartë, me theksimin e
emrave të figurave që ishin subjekt i informacionit. Ato tashmë, në raport me
proceset e sotme dinamike, sociale e
kulturore, janë shndërruar në shenjë të memories kolektive historike.