| E enjte, 06.03.2025, 07:55 PM |
Lidhja e Shkrimtarëve të vdekur
Nga
Edison Ypi
I
leu dikujt në zemër, ngriti muzeun "Shtëpia Kadare".
Shif
rrushi-rrushin e piqu, pas tij, një tjetër, ndoshta po ai, hapi muzeun
"Shtëpia Dritëro".
Me
gjirokastritin që shkrau romane me perandorira, ëndërra, kalorës të vrërët,
luftra të përgjakshme, intriga, varre, të vdekur, dhe devolliun që thuri
poeziçka me katundarë të lumtur duke u llafosur rrotull vatrës, u duk se me
këto dy shtëpi muze, problemi i një vendi të shenjtë ku adhuruesi i fjalës së
bukur, sipas preferencës së vet, të mund të derdhi dy pika lot, kjo mesele mori
fund.
Por
u ngrit një ters e tha: Borgjezi Kadare e hidhte përpjetë. Armiku Kadare, ky
Kalë Troje i borgjezisë ndërkombëtare brenda Shqipërisë kooperativiste, ishte
mëndjemadh, s'të fliste me gojë. Ndërkohë, katundari, pijetari, proletari,
bolsheviku, Dritëro ishte modest, të kënaqte me muhabet. Letërsi dhe Tango
është qef i madh. Por Tango me 1 s'është e mundur. Për tango duhen, për fat, aq
sa korifej kemi, 2. Korifejtë mjaft vuajtën veç e veç. Tani duhen afruar, duhen
barazuar, mesatarizuar, kooperativizuar, komunistizuar. I fusim të dy në një
varr. Ku asnjërit të mos i prishet qefi. Ku të gjithë të mbeten buzagaz. Të
kënaqet mileti. Të lumturohet kallaballëku. Të ndizet festa. Të shtrohet
gostia. Të hidhet valleja. Të derdhet rakia. Nuk është e pamundur. Bëhet
kollaj. Ulim pak Kadare borgjezin. Ngremë pak Dritëro popullorin. Dhe u kry. Të
dy brenda në varr. Të dy në mes. Të dy njësoj. Të dy të barabartë. Të gjithë të
kënaqur. Të gjithë të lumtur. Pra
bashkojmë "Shtëpinë Kadare" me "Shtëpinë Agolli", në një
shtëpi të vetme me emër "Shtëpitë Agolli Kadare". Kështu e kanë
pagëzuar varrin e të dyve. Kështu quhet në Internet, ku, me të drejtë,
theksohet se këta dy varre janë thelbi i edukimit. U sa bukur. O pika na raftë
që s'e dinim.
Në
1 varr dy shkrimtarë. Duheshin aq fort sa as vdekja nuk i ndau dot. Ai i
romaneve dhe ai i vjershëzave, të dy njësoj të lavdishëm, njësoj të dashur, njësoj
të dobishëm. Dhe thonë se Parajsa letrare nuk ekziston.
Kadare
me varre, kufoma, fantazma, Agolli me bejte dhe poeziçka, janë bajagi larg.
Por, sa kohë mesatarizimi i të dyve brenda një varri u krye me sukses, për
shakaxhinjtë e Letërsisë, diferencat në fjalë, s'kanë asnjë rëndësi, s'përbëjnë
asnjë problem.
U
bë mirë që u bashkuan dhe u rrafshuan një herë e mirë të dy në një varr.
Por
sikur s'ka lezet që dy korifej të luajnë, sado bukur, tango në varr. Tepër
liberale. Tepër e shthurur. Tepër e lëvizëshme. Lypset diçka më serioze, më
viskoze, më e ngrirë, më e ngurtë. E gjeta. S'ka më të shtangët se trekëndëshi.
Atyre të dyve në varr, u shtojmë një tjetër shkrimtar. Për shembull zevzekun
Sabri Godo. Dhe, nga 2, bëhen 3 të vdekur në një varr.
Ore,
ja morët frymën Artit, Letërsisë me gjithë këtë ngrirje, këtë ngurtësi, u hodh
një tjetër nga salla, bëjeni paralelogram. Shtoni Maks Velon, mjeshtrin e
kuadrateve. U kry. Ja ku u bënë katër të vdekur në një varr.
Sakën
se e tradhëtoni yllin e kuq të komunizmit me pesë cepa, u hodh e tha një
karabush. U tha u ba. Varrit j'u shtua edhe një i vdekur, Kasem Trebeshina. U
bënë pesë. Oborri u bë një Pentagon.
Do
i mbetet qefi yllit me gjashtë cepa të hebrejve, u hodh e tha një surratpatate.
I gjashti i vdekur në varrin e Panteonit apo Pentagonit u aprovua njëzëri ai që
më së shumti e meriton; Legen Hajduti.
Mjaft
me lojra fjalësh. As Muze, as Panteon, as Pentagon. Ky varr shkrimtarësh sot e
mot e përgjithmonë do quhet:
Lidhja
e shkrimtarëve të vdekur.
Dhe
ashtu u bë.
Në
pak kohë stërvarri i "Lidhjes së shkrimtarëve të vdekur" u popullua
nga të tjerë të vdekur ttë famshëm që j'u bashkuan nismës për të mbedhur tek i
njëjti megavarr sa më tepër bejtexhinj, dhe sa më pak poetë. Kjo, me synimin
që, batalionet e bejtexhinjve, regjimentet e kalemxhinjve, plus repartet e
shkarrashkruesve, të mund të vazhdojnë të gjallojnë ndër shekuj sa më
afër-e-afër e bythë-më-bythë me njëritjetrin.
"Lidhja
e Shkrimtarëve të vdekur" nuk duhet ngatërruar kurrsesi me "Lidhja e
Shkrimtarëve" e kohës kur kryetarë të saj ishin shuteriqët dhe siliqët.
Varri i sotëm është me të vdekur të gjallë. Varri i asokohe ishte me të gjallë
të vdekur. I vetmi fill që i bashkon dy Lidhjet, është i ziu varri, dhe i
ndrituri Kolkozi.