| E marte, 04.03.2025, 06:25 PM |
Kur avokati Spartak Ngjela flet qesim
Nga
Eshref Ymeri
Në emisionin “Breaking” të kanalit televiziv “Top
Channel” të datës 28 shkurt, moderatorja, zonja Fiori Dardha, kishte ftuar
për intervistë avokatin e njohur Spartak Ngjela. Intervistën moderatorja e hapi
me konfliktin Rusi-Ukrainë, duke shtruar pyetjen se si mund të zgjidhej. Për
habinë e atyre teleshikuesve që e njohin historinë e marrëdhënieve mes këtyre
dy vendeve, avokati deklaroi:
“Duhet të kemi parasysh një gjë që Rusia nuk shkëputet
nga pushtimi i Ukrainës. E ka ëndrrën e vet shekullore. Kanë një lidhje të
veçantë me njëra-tjetrën, historike. Janë pothuajse një popull. Mund të
ndryshojnë pak dialektet…”.
Pra, sipas avokatit Ngjela, rusët dhe ukrainasit na
qenkan pothuajse një popull! Por për ta vërtetuar një gjë të tillë me fakte
historike, ai nuk vazhdoi më tej. Edhe moderatorja duhej ta
kishte pyetur se si e argumentonte ai një pohim të tillë. Në dialekte
ndryshojnë me rusishten edhe serbishtja, edhe bullgarishtja, si gjuhë të
familjes sllaviane, por as serbët, as bullgarët nuk janë pothuajse një popull
me rusët.
Në respekt të teleshikuesve, duhet bërë një “shtegtim”
drejt historisë së marrëdhënieve ruso-ukrainase, në mënyrë që të dalë në dritë
e vërteta dhe që avokati Spartak Ngjela të ketë kujdes herë tjetër për të mos
folur qesim, se nuk është hera e parë që ka folur kësisoj.
[Rastet, kur avokati Spartak Ngjela ka folur qesim nëpër
studiot televizive, janë të shumta, por këtu do të mjaftohemi vetëm me tre prej
tyre:
“Kur, pas pesëdhjetë vjetësh, mësuesi do të
pyesë nxënësit në klasë se kush ka qenë Donald Lu, nxënësit do t’i përgjigjen
se ai ka qenë ambasadori amerikan i vitit 2016 që na ka shpëtuar nga abuzimi i
gjatë çnjerëzor i pushtetarëve të korruptuar” (Citohet sipas: “Ngjela: Ja si do të
përgjigjen nxënësit se kush është Donald Lu”. Gazeta
“Mapo”. 04 maj 2016).
“Ngjela zbërthen mesazhin e Kim: Berisha do ekstradohet
në SHBA, vendimin e ka marrë FBI”. Intervistë në News 24. 02 gusht 2021.
I ftuar në TV “Të pashoq” më 10 prill 2024, Spartak Ngjela ka thënë: Blinkeni ka
deklaruar: “Ne do t’jua heqim korrupsionin shqiptarëve”.
Do të ishte mirë që moderatoret dhe
moderatorët e kanaleve televizive, që e ftojnë në studio këtë avokat të
lajthitur nga trutë, të mos e lejojnë të flasë mbroçkulla, të cilat ksehasin
edhe fëmijët e kopshteve, ose të mos e ftojnë më për intervista se është bërë
si gjellë e thartuar].
Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës janë shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Ne kemi një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshirojmë të shfletojmë informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lëmë shteg vetes të bëjmë vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive, aq më tepër që ushqejmë shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londrës (1913), Traktati i fshehtë i Londrës (1915), ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj Republikës së Dardanisë në veçanti, deri edhe në ditët tona.
Prandaj
e quajtëm me vend t’i drejtohemi një materiali mjaft interesant të një analisti
ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi
arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët. Analisti i nderuar
quhet Vadim Gontarenko, i cili u është drejtuar rusëve me një letër të hapur që
në vitin 2014. Ja përmbajtja e letrës:
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta
fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, - E.Y.) ynë lavdimadh
Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli
datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që
asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme:
moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës
Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.),
kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën
trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej
mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët
do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me
polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve.
Prandaj nuk pijnë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë
shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pasë ekzistuar
kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë
qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e
vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të
liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni
sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një
shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit
dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të
këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat
tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë
(identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë
krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e
Vogël” - E.Y.) dhe
“ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus
i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit
tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në
shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që
i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në
qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pasë ekzistuar kurrë, ja se çfarë
duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të
kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo
me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo
sheshi në tërësi - E.Y.), të bjerë në
gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit
ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër,
le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato
të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e
Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për
çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe
do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh
ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim
pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e
kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me
ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko.
“Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Janë duke ju tallë.
Pra, zanafilla e konflikteve politike mes këtyre dy
shteteve është shumë e hershme. Shovinizmin
rusomadh, gjatë shekujve? e ka pasë brejtur gjithmonë një smirë dhe një xhelozi e tmerrshme ndaj
Ukrainës, e cila ka qenë dhe mbetet kryevtra e kulturës sllavianolindore. Kjo
për arye se Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska është themeluar 665
vjetë më vonë, në vitin 1147. Madje edhe Moskën e pati themeluar princi
ukrainas, Juri Dollgoruki (1090-1157). Heroi kombëtar i popullit ukrainas,
Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18
janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta
në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit,
shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte
barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në
koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e
detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i
shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit
rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më
e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në
fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e
fuqishme me prirje nacionaliste, që kishte si qëllim kryesor arritjen e
pavarësisë me çdo mjet. Kriminelët bolshevikë u hakmorën egërisht kundër
popullit ukrainas nëpërmjet kolektivizimit të detyrueshëm dhe grumbullimit të
dridhit po në mënyrë të detyrueshme gjatë viteve 1929-1932, çka solli si pasojë
vdekjen nga uria të 3,2 milionë njerëzve.
Kaliforni, 03 mars 2025
-----------------------------
*Fjala moskal është nofkë
përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.