| E hene, 03.03.2025, 07:57 PM |
Naxhi
Kasoruho, Albert Habazaj, 2025, Vlorë
NAXHI KASORUHO - NJË MISIONAR FISNIK I THESAREVE TË KULTURËS POPULLORE
Nga
Albert HABAZAJ
Një miku im i mrekullueshëm i kulturës
gjirokastrite, i palodhshmi Stefan Arseni ka vite e vite që më flet me aq
pasion dhe admirim për të vërtetin Mjeshtër të Madh, Naxhi Kasoruho - këtë misionar fisnik të thesareve të kulturës
popullore të Lunxhit, Dropullit e Gjirokastrës, Shqipërisë mbarë.
Artistin, muzikantin, etnomuzikologun
dhe organizatorin e zot e shpirtgjerë, udhëheqësin artistik që përgatiste
grupet popullore të rrethit të Gjirokastrës, për në festivalet e mëdha
folklorike kombëtare, që nga ai i pari i 1968-ës që tundnin e trondisnin madhërishëm
kalanë e rëndë të këngëve magjike dhe valleve hyjnore, profesor Naxhiun e kam
vlerësuar dhe e nderoj si një ndër studiuesit më seriozë, të kujdesshëm dhe më
të devotshëm të kulturës jomateriale dhe materiale të krahinave etnografike të
Gjirokastrës, patjetër dhe të mbarë folklorit dhe etnografisë shqiptare.
Pasi lexova me endje librin e tij “Në thesaret e kulturës lunxhote” më
erdhi ndërmend një shprehje e entomuzikologut gjerman Fritz Bose [Fric Boze: 26.06.1906-16.08.1975]: “Muzika nuk është vetëm relikt kulturoro -
historik i lashtësisë së ndritshme, por njëkohësisht edhe e tanishmja më e
gjallë. Ajo është tradita e trashëguar dhe njëkohësisht krijimtaria më e re.
Madje edhe aty ku me respekt të plotë jemi të vetëdijshëm për traditën e
lashtë, ajo, megjithatë, në mënyrë funksionale mbetet e lidhur me botën e
sotme. Ajo ka detyrën e saj në të tashmen dhe në raport me të ajo është
bashkëkohore dhe moderne”.
Sa i rëndësishëm dhe aktual tingëllon
gjykimi i tij dhe ndihesh mirë kur ti ke me se krenohesh si Shqipëri edhe në
fushën e folkloristikës, muzeologjisë apo etnografisë me personalitete si Naxhi
Kasoruho.
Në mëhallën e Gurrës Popullore, të këngës
polifonike labe, pra, parë rrafshin etnografik dhe folkloristik, Lunxhëria dhe
Labëria janë kushërira të para. Sipas studiuesve më të njohur të fushës, ndër
15 stilet kryesore të këngës polifonike labe, është edhe stili muzikor i Lunxhërisë
me 3-4 zëra, që krenohet me Dhoksatin, Labovën, Stegolupin, Karjanin, Erindin,
Selckën, Këllëzin, Nokovën, Krinën, Saraqinishten, të gjithë fshatrat e trevës,
[shih: Kënga Polifonike Labe, botim i nivelit akademik, 1986].
Naxhi Kasaruho ka shkruar disa libra për
Gjirokastën e Festivalit, “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, për
Gjirokastrën e këngës, për korifej të këngës gjirokastrite, si Selam Mamani,
etj., por kur shkruan për thesaret e kulturës lunxhote, pena sikur i ngjyhet në
mjaltin e këngës dhe valleve aq të bukura, si dhe në kostumografinë e burrave
lunxhotë e sidomos në veshjen aristokrate të zonjave të Lunxhit. Ore, po sikur i shkëlqejnë shkronjat
nga vërtetësia e sytë i ndrisin nga dashuria. Dhe ka të drejtë. Lunxhi zotëron
filigranet e arta të shpirtit aq të pastër popullor, të traditës aq pasur e të
virtytshme lokale me përmasa të larta kombëtare e më gjerë.
Libri “Në thesaret e kulturës lunxhiote” është
një manual folklorik i kujtesës shpirtërore, botuar nga miqtë e ditur të SHB
“Albin” Marie e Spiro Dede në vitin 2006 me 196 faqe, ku autori Kasoruho na
shpalos thjesht, rrjedhshëm dhe vërtetësisht visaret shpirtërore, trashëgiminë
folkorike me këngët dhe vallet lunxhote, këngët polifonike, vallet e kënduara,
Lunxherinë në kalanë e festivaleve, dasmat lunxhiote, instrumentet popullore,
kostumet pupullore, shtëpitë karaktreistike të Lunxherisë, monumentet e kultit,
kishat dhe manastiret në Lunxhëri, gatimin tradicional aq të shijshëm, glikotë, byrekët e lakrorët, ëmbëlsirat e gjellët e
lunxhoteve, saqë vetë Lord Bajroni e pëlqeu aq shumë, u magjeps e u dërgoi
mesazh londinezëve të mësonin nga kjo traditë e veçantë.
E veçantë është
Dita e Kulturës Lunxhote, së cilës autori i ka kushtuar një vëmendje të
merituar, si një ekspozim dinjitoz i vlerave të trashëgimisë kulturore, e cila
vijon dhe përditëson stafetën e bukur festive me Festivalin Folklorik “Divanin
lunxhot”. Po kështu vlerësimi që autori i bën gazetës “Lunxhëria”, si tribunë e
pasqyrimit të kulturës lunxhote është një shembull sesi një studiues duhet të
ndërmarrë një studim, që duhet ta njohë koha dhe brezat.
Intervistat me
Profesor Naxhi Kasoruho që bën me Leko Makon, kryeredaktorin e “Lunxhërisë”,
ish drejtor i shkollës së Dhoksatit, kur artistët poullorë shkëlqyen për Lunxhërinë
në kalanë e festivaleve, po ashtu bisedat me prof. Marenglen Spiron, prof. dr.
Ramazan H. Bogdanin, me këngëtaren e ëmbël Irini Qirjako, shkrimet për
kontribuesit e drejtuesve të kulturës në Lunxheri, portreti i mësuesit të
merituar Koço Mosko e malli për Lunxhërinë na rrëfejnë se ai është sa mirënjohës
aq dhe falenderues. Profesori, nuk është thjesht një klarinetist i dëgjuar,
kompozitor e muzikolog, por është bartës stoik, mbrojtës, luftëtar e udhëheqës
i vlerave autentike folklorike të trevës.
Kush nuk e dëshiron
fatin e Naxhiut që të shkruaj për Lunxhin-këtë krahinë traditë, që ka feksur në
lartësi kombëtare me historinë e lirisë, të arsimit e të kulturës, me emra të përveçëm,
si Kostandin Hoxhi (ose Koto Hoxhi Qestorati, siç e përjetëson kënga), [Qestorat
- 1824- Stamboll, 1895], Pandeli Sotirin e shkollës së parë shqipe, heroin e orëve
të para të çlirimit Misto Mamen, deri tek Arben Duka i pavdekshëm i lirikave
dhe poezisë së angazhuar apo madhështori i pashfaqshëm Koço Vasili, që e ka
flakur tej pleqërinë, sikurse vetë profesor Naxhiu sikur ta kishte një pelerinë
të grisur, duke e shpallur non grata
për profilin e tij njerëzor dhe kulturor.
Profesor Kasoruho
di të vlerësojë dhe të nderojë zonjën e rrallë Katerina Mirokosta, një grua e
emancipuar, shumë aktive dhe trashëguese e denjë e vlerave të trashëgimisë
kulturore të Lunxhërisë.
Përveç të tjerave,
përse e vlerësoj unë prof. Naxhi Kasoruhon?!
Nuk e dija që ai e
kishte shumë mik, si vëllain tim të madh, Apostol Pilo Duka, dashamirësinë e
shpirtit të tij të madh dhe mendimit të mprehtë e të thellë ia kam njohur që në
vitet 1975 në Tiranë. Colja na vështron nga yjet, o profesor Naxhiu dhe na buzëqesh
si ai.
Lunxhi është një
krahinë e emancipuar, me një kulturë qytetare shumë të dinjitetshme. Krahas
djemve, burrave e pleqve, atje janë vajzat, gratë e plakat, madje gratë shkëlqejnë.
Me bukurinë mahnitëse
të kostumit që kanë veshur ato, me melodinë aq të ëmbël e brilante të këngës,
me elegancën dhe fisnikërinë e të kërcyerit, vallja lunxhote është një nga
perlat e folklorit tonë kombëtar, një margaritar në gjerdanin e artë të kulturës
sonë” - shkruan autori (f.17).
Kostumi i vajzës
lunxhote, aq i bukur e aristokratik, harmonizuar me atë motiv të bukur
liriko-optimist të shndritshëm tek një epik çupash aq të bukura, të hijshme dhe
elegante, me atë zë të kthjellët, të ngrohtë e melodioz të rrëmbejnë dhe të bëjnë
për vete. Vallja e grave lunxhote,
kostumi, melodia, koreografia dhe valltarja, janë në unison perfekt midis tyre,
aty njihet vetëm nota 10 me yll.
Për mendimin tim,
këngët dhe vallet e grave të Lunxhit, kostumet e tyre popullore janë standardi
më i lartë dhe zënë një vend nderi në lëmin e folklorit dhe në studimet e folkloristikës shqiptare.
Sa herë sjellim ndërmend
Lunxhërinë, na vjen jehona flladitëse aq romantike deri në përsosmëri, vallja e
kënduar, ardhur po me atë magji si 47 vjet më parë, kur në FFK GJ (në të
tretin, 1978) si shtojzovallë shpirti i Dhoksatit mahniti skenën e kalasë: “Ç’ nur që ka vallja lunxhote/Lunxhëri, plot
lezete/ Ç’bukuri ke mbi vete! Mbushur me zërat e zogjve/ Lunxhëri, moj e mira/
Mbushur, o plot stolira/Kodrat e tua pa shoqe/ Lunxhëri.../ Ujërat, o këngë
mali/ derdhen, o si kristali/Djem, e
vajza si lastarë... me Katerina Çipin, thëllëzën që kërcente plot elegancë
dhe këndonte me një zë të mrekullueshëm e brilant, me kthyes veteranin
zëkumbues Vasil Çuçi dhe hedhës Koço Vasilin të përsosur.
FALEMINDERIT PROF. NAXHI KASORUHO PËR
THESARET E KULTURËS LUNXHIOTE!
Roland
Zisi, Naxhi Kasoruho, Albert Habazaj, Vlorë, 2025