Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Pllana: Kosovë e dashur!

| E hene, 03.03.2025, 07:50 PM |


Gani S. PLLANA

KOSOVË E DASHUR!

Me decenie jam larguar

Nga Ti,

Kosova ime e dashur.

U detyrova të largohem,

Pas demonstratave të 68-ës;

Isha i plagosur, në zemër e në trup;

Nën vagonët e trenit,

Natën pa hënë e yje,

Ika nga barbarët,

Kalova kufirin,

Mëngjesi më çeli në Perëndim!

Këtu, ku jam,

Plot ka lule,

Ka fusha,

Male e liqene,

Por nuk më joshin;

Nuk mund të pushoj,

Si në baltën time,

Kosova ime e bekuar!

Nuk mund të gjej qetësi

Në Perëndim;

Eshtrat nuk dua

Të më prehen këndej.

Vetëm TY, të kam, Atdhe!

Këndej kalova,

Djalërinë e burrërinë.

Zemra me rënkon përherë,

Në dhe të huaj.

Për TY, Kosovë e dashur,

Në zemër të Dardanisë!

Në ballë të dhomës

E mbaj Flamurin,

Me Shqiponjën dykrenare

Edhe Lahutën e Malcisë,

Kosova ime e dashur.

PROTESTË!

Në dhe të huaj

Më hodhën valët e jetës;

E ruajta gjuhën e nënës,

Gjuhën e ëmbël shqipe.

Edhe fëmijët e kanë përvetësuar,

Por ka disa injorantë e të mjerë,

Që gjuhën shqipe,

Pothuaj, nuk e mësojnë fare!?

Shkronjat e Gjuhës Shqipe

Janë flori,

Gjersa u kanë mbijetuar shekujve,

Përplasjeve,

Luftërave dhe, mbi të gjitha,

Pabesisë së shpirtave të blerë,

Kur asimilohen!

TESTAMENT

Kurbeti është plagë,

E çanë gurin!

Testament, pasardhësve:

Buka e kripa, në Atdhe,

Është më e ëmbël,

Se mjalti e gjalpi,

Në dhe të huaj.