| E diele, 02.03.2025, 07:53 PM |
PËR
VENDLINDJEN TIME
Nga
Neshat Sh. Mehmedi
Dashuria,
mallëngjimi, ëndrrat për vendlindjen gjithmonë na e prishin rahatinë kudo që të
ndodhemi në mërgim, punë, gjumë,... na trazojnë ndjenjat e pa përshkruara aq
mbresëlënëse e të bukura për të afërmit, fqinjët, farefisin, bashkëkatundarët,
shokët e fëmijërisë, lojërat, punët e ndryshme dhe ndihma zinxhirore për njëri
tjetrin, shpeshherë ndodh që të përlotemi nga përmallimi. Çfarë ndryshime të
mëdha kanë ndodhur dhe ndodhin është e pabesueshme, por është shumë e vërtet.
Shtëpitë e mbuluara me rasa janë shumë të rralla, mullarët nëpër lëmë mungojnë
tërësisht, mashnat me gardh e të
mbuluara me kashtë, pojatat, puset, i kanë kaluar historisë. Krojet e mëhallëve
kanë humbur plotësisht edhe gjurmët më s’ju dihen me fajin tim e me fajin tënd;
kroit të Memishit, Salihit, Mehazit, Alis, Xhamisë, dikur ishin burim freskie
dhe jete, e sot ju ka humbur nami e nishani, kohë o kohë sa e pamëshirshme që
je!
As
sokakët, ai i Feratit dhe i Dakes, se kanë atë kënaqësinë, e as at gjallërinë e
dikurshme, nuk dëgjon të qeshurat, as të qarat e as të sharat e fëmijëve, as
nuk sheh më fëmijë “cullë” me bukë në
dorë e lëngun e specit duke i rrjedhur mjekrës teposhtë.
As
kodra e Hallës Xhane si grumbullon të rinjtë si dikur, nuk këndohen më këngët e dashurisë e këngët
patriotike, as nëpër çardakë të shtëpive nuk sheh më vajza “cauca” e as s’këndohen më këngët e
beqarisë, të kurbetit, ushtrisë e fejesave e martesave.
Kodrës
së Madhe i mungojnë vajzat “cucat” fodulle e të pashme si selvi, me strukat e
bardha e dimi të kaltra. I mungojnë beqarët, ato djem të pashëm, trima e
sypatrembur si luanët : me kësula në kokë përreth ballit, me tirq e xhamadan me
shtatë gajtan, brezin shtatë kutë belit shtrënguar, me opinga të lëkurta,
ndortat “nortat” me tufa rreth e rrotull rrogzinave në këmbë i shtrëngonin.
Arat
dikur gjallëronin nga këngët e vajzave bashkë me këngët e grave, pas çdo
pushimi, britmat e bujqve, korrjet dhe shirja e elbit, tërshërës nëpër lamat e shumta në natyrë, ... dhe
britmat e njerëzve ; punë e mbarë, a gjëfteve, tungjatjeta,...
Sheremeticës,
Gjurit të Kuç, Skakallës, Gjurit Lodrës, ... ju mungojnë stanet, blegërima e
dhëne, e qengjave, kambanat e dhëne e të lehurat e qenve të Sharrit, pëllitja e
lope e buluriteja e mëzetërve, e kodrinave e bjeshkëve ju mungon fyelli dhe
fishkëllima e çobanit,...Në vatrën e stanit s’dëgjohet më melodia e tundjes së
qumështit në dybekë as kënga e nënave që e këndonin ftajnin - dybekun; “Taunu
ftoj ore shoç, rrajte kokën sa nij kollomoç!” Sa keq, as egërsirave të malit
s’ju prish kush më qetësinë, sepse vetë vendi ka mbetur bosh, i zbrazët nga
jeta.
As
shtëpitë e katundit më se kanë atë gjallëri të dikurshme, janë të heshtura e ta
djegën zemrën, as të qeshurat e të qarat e fëmijëve më s’dëgjohen si dikur, as
këngët e ninullave loket si këndojnë më, as lojërat e fëmijëve nuk luhen më;
“kalaja jeme”, “Çuke me brez”, “Çelik”, “Mçefas”, “Vorba” loja “Teze”, ... Të
gjitha këto ninulla, këto lojëra ishin frymëzim, ishin kalitje për tu përballë
me kohën dhe stuhitë!
Dikur
çdo shtëpi numëronte më pak 10 -13 fëmijë, varësisht nga numri i burrave që
kishte shtëpia. E sot sheh dyert e mbyllura me dry, në pullazet e shtëpive ka
mbirë bari, lamat e shtëpive janë mbushur
me hithra, rrugët e katundit të boshatisura, as festat e motmotit s’festohen
më, e as luhen më lojërat e vajzave nëpër udhët e mëhallës; “Shale male”, “or
kala për kala”. As petat e djemve më 6 janar, flijat e lamve më 06 shkurt,
vendosjen e penjve në duar e qafë më 7 mars dhe shkuarjen për dash e dele për
Ditë Vere më 14 mars, Ditën e luleve më 5 maj dhe Ditën e Sshnxhexhit më 6 maj.
Për këtë katandisje të dhembshme që pasojat i shohim sot, është bërë një
propagandë dhe luftë e egër ndër vite e ndër dekada për shpërlarje të trurit!
Kemi
harruar për fejesa e martesa,... Kemi harruar edhe zakonet e vjetra të derdhjes
(ndarjes) së kokrrave të kollomoçit – misrit dhe sheqernave për lindjen e
djalit apo vajzës për daljen e dhëmbëve.
Koha
është e pamëshirshme, por më të pamëshirshëm jemi ne që e kemi harruar atë që
na dha jetë, që na rriti e na ushqeu me kujtime të bukura. E kur malli më
rëndon, e kuptoj se vendlindja ime nuk është thjesht një vend, por një ndjenjë,
një rrënjë e thellë në shpirtin tim e zemrën time, që kurrë nuk do të shkulet,
një ëndërr që do të jetojë përgjithmonë brenda meje.
Katundi
Bozovcë
Stani
me blegtori dhe qethja e deleve
Punët
në Fushë: Korrja e elbit, tërshërës dhe fshirja në lamë me ndihmë e kuajve.
Dita
e Luleve më 5 Maj- festë e motmotit. Dikur gjallëronte nga të rinjtë e të rejat
e katundit Bozovcë dhe Veshallë. Sot ky vend – ta quaj pelegrinazhi, është
pyllëzuar, i ka humbur nami dhe nishani!
Lojëra
të fëmijëve, dikur i jepnin gjallëri jetës
Loja
“Çuke me brez”