| E shtune, 01.03.2025, 04:37 PM |
Flet ish-radisti Gazmor Bekteshi; Në atë sistem kushdo mund të mbetej pa drita disa orë, por radiondërlidhja kurrë!
-Radiondërlidhja
kishte tre linja furnizimi me energji: Hidrocentralin në Lanabregas, rrjetin
Tirana dhe motor-gjenerator.
-
Në 8 korrik 1982, fjetëm në Pogradec; më 9 korrik arritëm në Athinë dhe më 10
korrik arritëm në ambasadën tonë në Egjipt.
-
Komuniteti më i madh i shqiptarëve në Egjypt ishin nga Korça.
-Në
ambasadë kishim edhe një listë me shqiptarë që ishin armiq të sistemit.
-Ushtria
në monizëm ishte shkolla më e mirë për t'u edukuar dhe kalitur, apo përgatitur
për jetën.
-Në
ushtri kam kujtimet më të bukura pasi përkonte me periudhën më të bukur të
jetës sime.
-Radiondërlidhja
ishte e organizuar në dy drejtime: në atë brenda vendit, me degët e PB, dhe në atë
të jashtme, me ambasadat tona.
Intervistoi
Albert Z. ZHOLI
Gazmori është gazmor siç
ka dhe emrin. Njeri korrekt, i dashur, i respektueshëm. Skraparlli tipik.
Gazmor Qamil Bekteshi, ka lindur më 14 nëntor 1958 në fshatin Prishtë, Skrapar.
I martuar me znj. Shpresa Skënder Guri, e lindur në Tiranë më 17 prill
1959.Kanë një djalë të quajtur Elis Bekteshi, lindur më 16 prill 1983 në
Kajro, Egjipt.Elisi është i martuar me znj. Miranda Aziz-Haxhire Hoxha, nga
rrethi i Beratit. Gazmori ka kryer shkollën fillore, një mekanike për
axhustator në Shkozet, Durrës (1973-1975), dhe në vitin 1989 shkollën e mesme
të përgjithshme pa shkëputje nga puna, "K. Kristoforidhi" në Tiranë,
Shpresa ka mbaruar shkollën e mesme "Qemal
Stafa" në Tiranë.
-Ushtria në sistemin monist thuhet se ishte
shkollë më vete. Kur keni shkuar ushtar
dhe në çfarë vendi e keni kryer ushtrinë?
Ushtar jam mobilizuar në shtator 1977, në kufi, në Hanin e Hotit, Shkodër.
Pas një jave, për llogari të Degës së PB, kam shkuar për ndërlidhës në Tiranë
në Repartin 75 të ndërlidhjes të MPB. Komandant Rasim Mia, nga Kanina; Komisar
Skënder Guri nga Turbohova e Skraparit. Më pas u bëra edhe dhëndër në këtë
familje, u martova me vajzën e tij të dytë, Shpresën, në vitin 1981, me
ndërmjetësimin e një njeriu të të dy familjeve dhe një njeri të shkëlqyer nga
Erseka, oficer ndërlidhjeje, Vasil Peçi. Jam i bekuar që kam grua Shpresën,
familjare, e zgjuar, e urtë dhe e meriton shprehjen "Dardha bie nën
dardhë".
Jeta më e bukur me kujtime dhe mbresa aqsa dhe shkolla e mesme, është edhe
ushtria, apo aksionet. E them me bindje shumë të madhe, se ushtria është
shkolla më e mirë për t'u edukuar dhe kalitur, apo përgatitur për jetën. Kam
kujtimet më të bukura për këtë periudhë të jetës sime. Drejtuesit e këtij
reparti elitë të MPB, ishin si prindër për ne. Përveç titullarëve, nuk mund të
harroj të gjithë personelin e këtij reparti, si komandant Fejzi Buzi, komisar
kompanie Harallamb Gabia, komandant toge Mantho Dhrami, kujdestarin Zihni Bici,
apo personelin e sallave të radio-ndërlidhjes me degët e PB të vendit, apo me
ambasadat tona jashtë, që në çdo moment na trajtuan si kolegë dhe jo si
ushtarë. Iu jam mirënjohës dhe nuk do t'i zhgënjej kurrë!
-Si ishte organizuar radiondërlidhja në ushtrinë
shqiptare moniste?
Radiondërlidhja ishte e organizuar në dy drejtime: në atë brenda vendit, me
degët e PB, dhe në atë të jashtme, me ambasadat tona. Takimet ishin të
vendosura sipas një rrjeti të caktuar dhe me orare të ndryshme.
Aparaturat me kohën e tyre, ishin normalisht moderne dhe kryenin
funksionalitetin e tyre. Radistët përgatiteshin mbi bazën e një kursi 9-mujor,
dhe në fund jepej testi dhe bëhej klasifikimi, Shërbimi kryhej sipas një
grafiku që bëhej nga përgjegjësi i turnit dhe kualifikimi i ushtarëve ishte në
një shkallë të kënaqshme, dhe sipas këtij rezultati, një pjesë e mirë e tyre
shërbeu në degët e PB në rrethe në jetën e tyre civile. Ia panë hairin këtij
zanati.
-Ku filluat punë pas përfundimit të
ushtrisë?
Mbas lirimit nga ushtria në vitin 1979, kam qenë rezervist në degën e PB
Skrapar; kam bërë 2 herë sëtrvitje dhe gjatë kësaj kohe bëheshin takime e
stërvitje me qendrën, që ishte Reparti 75 në Tiranë. Kemi dalë shumë mirë dhe
jemi vlerësuar. Në raste gadishmërie secili kryente detyrat që ishin të
përcaktuara sipas urdhrit të shërbimit të Komandës. Por unë, duke qenë se kisha
mbaruar një shkollë mekanike, më ishte besuar dhe detyra e mirëmbajtësit të
motorave që prodhonin energji, sepse, ky sektor ishte tepër i veçantë dhe
nuk mund të mungonte energjia. Ky sektor kishte tre linja furnizimi me energji:
Hidrocentralin në Lanabregas, Rrjetin Tirana, dhe motor-gjenerator.
-Ju për një kohë keni qenë radist në
ambasadën shqiptare në Egjypt. Ku dhe si shkuat në atë shtet? Çfarë
impresionesh ruani?
Në 8 korrik 1982, u nisa së bashku me gruan për në ambasadën shqiptare në
Egjipt, nëpërmjet rrugës tokësore. Në 8 korrik fjetëm në Pogradec; më 9 korrik
arritëm në Athinë dhe më 10 korrik arritëm në ambasadën tonë në Egjipt. Atë
ditë luhej finalja e futbollit Itali-Gjermani. Ishte e para ndeshje që shihja
në televizor me ngjyra. Në këtë emërim, për të qenë i sinqertë, rol kishte
luajtur edhe vjehrri im, pavarësisht se e them me shumë modesti, se isha i
përgatitur mjaft mirë në këtë profesion, saqë edhe sot transmetoj me mendje në
gjumë; e kam pasion të jashtëzakonshëm, saqë, kur shkoja për ndihmë në Repartin
75, shefi i atij sektori e shprehte hapur xhelozinë për aftësinë time.
Në ambasadë kam qëndruar nga korriku 1982 deri në maj 1986. Me shumë
çiltërsi mendoj se bashkë me gruan time, kemi lënë gjurmë të shkëlqyera në
marrëdhënie e në punën tonë. Këtë e tregon edhe fakti, që edhe pse kanë kaluar
rreth 40 vjet, ne kemi marrëdhënie shumë të mira, respekt për të dy titullarët,
ambasadorin Murat Angoni dhe Alkyz Cerga, si dhe për të gjithë ata me të
cilët punuam dhe jetuam për disa vjet.
-Si ishin marrëdhëniet Shqipëri -Egjypt dhe si bashkëpunonit me komunitetin
shqiptar aty?
Marrëdhëniet me shqiptarët në Kajro ishin shumë të mira dhe të ngushta.
Organizoheshin shumë darka të shpeshta, përveç darkës së 29 Nëntorit. Ata e
kishin ambasadën si një shtëpi të tyren, dhe çmalleshin si me Shqipërinë. Por
fatkeqësisht, fëmijët e tyre kishin filluar të martoheshin me egjiptianë, turq,
etj. Kështu mund të kenë shkuar drejt plakjes së shqiptarëve. Komuniteti më i
madh i shqiptarëve atje ishin nga Korça. Kishte edhe një listë me shqiptarë, që
ishin armiq të sistemit.
Në rrafshin familjar ishte koha kur unë dhe gruaja u bëmë prindër, në moshën
25 vjeç. Ardhja në jetë e djalit tonë Elis, lindur në spitalin Amerikan në
Kajro, ishte gëzim i papërshkruar! Në rrafshin kulturor, nuk e teproj të them
që ishte një rast, apo fat që nuk mund të përsëritet në jetë, se patëm rastin
të punojmë me njerëz të kulturuar, të edukuar, të parë dhe të dalë.Vetëm
ambasadori Murat Angoni kishte 37 vjet në shërbimin e jashtëm. Dhe mjaftonte që
ai të të shikonte, ti mund të mësoje. Ishte mundësia që mund të siguroje të
gjitha pajisjet e domosdoshme për familjen: Tv, sobë, lavatriçe,
frigorifer. Kemi kujtim edhe sot papiruse egjiptiane. Vizitat në Piramidat,
hipjet në deve, vizitat në Port-Said, e qytete të ndryshme, darkat në Nil me
anije, etj,. do të mbeten të
paharruara!