| E premte, 28.02.2025, 04:52 PM |
Ndue Ukaj:
Shkrimtar
i mirë është ai që i ndihmon lexuesit e vet, ta shohin realitetin me sytë e
artit, kurse shkrimtari i keq, lexuesit e vet i shtyn, ta shohin realitetin me
sytë e pushtetit.
Nëse
e përdorim metaforën e teleskopit, të cilën diku e ka përdorë edhe Marsel
Prusti, shkrimtari i mirë, sipas meje, iu jep lexuesve teleskopin në duar, që
ta shohin realitetin në largësi e thellësi, që të mos bëhen miop e të shohin aq
sa i lejon tejqyra e fuqisë së pushtetit.
Shkrimtar
i mirë, gjithmonë është në anën e njeriut, kujdeset për njerëzoren dhe nuk
beson se shoqëria bëhet më e mirë përmes forcës së ndëshkimeve. Përkundrazi,
shkrimtari i mirë i beson mirësisë e forcës së dashurisë njerëzore dhe jo
fuqisë së pushtetit, sidomos kur ai ka prirje autoritare.
Pra,
shkrimtar i mirë është ai që që del në anën e drejtësisë dhe jo të ideologjisë
epshmadhe, për t’iu mbivendosë drejtësisë.
Për
mua, shkrimtar i mirë është ai që i shërben së mirës e humanizmit dhe bindjet e
veta, politike e kulturore, nuk i hedh në kembimoret e ulëta të pushtetit të
ditës e nuk bëhet zgjatim i fuqisë së tij.
Shkrimtari
që i shërben së mirës univerale është ai që përherë është në anën e të dobëtëve
dhe bëhet gardian i lirive njerëzore, e mbron individin e jo turmën, më së paku
vihet në mbrojtje të udhëheqësit, sepse atë, e mbron pushteti i madh që
posedon.
Kurse
te ne, shkrimtari që e mban veten të madh,
dhe i ka përzemër epitetet e ‘babës së kombit’, përjargët disa herë brenda
pak kohe dhe del në mbrojtje të njeriut më të fuqishmit në vend, bëhet gardian
i tij, me afsh zemre, si të ishte kryeministri një fëmijë, të cilit po i sulen
të mëdhenjtë.
Për
mua, kjo flet shumë për shkretinën e madhe shpirtërore të atij që bëhet vegël e
fuqisë së pushtetit, por edhe një sinjal për krejt palaçot e sojit të tij.
Nejse,
oborri i pushtetit tonë, është mbushë me palaço e mendje të cekëta, që
urrejtjen e kanë më të madhe se dashurinë, mirëpo në krejt këtë zallahi,
përjargët e shkrimtarit janë më të pakuptimtat.
Sepse,
letërsia, historikisht, është zhvilluar si njëlloj jete paralele dhe
shkrimtarët më të mirë në histori, janë ata që kanë dalë kundër forcës së
pushtetit, kur pushteti ka tentuar t’i lidh njerëzit në litarin e tij;
shkrimtarët kanë anuar kah të dobëtit dhe janë bërë gardianë të lirive
njerëzore, madje edhe kur e kanë pësuar keq, me burg e me jetë.
Nejse,
siç thotë shkrimtari i madh Gabriel Garcia Marquez, ne “s'jemi më kalamaj që të
presim Mesian politik”, ama fatkeqësisht, në shoqërinë tonë, ka ende kalamaj që
presin Mesian politik, mbase, që të vjen e t’iu shërojë atyre komplekset.