| E merkure, 26.02.2025, 07:54 PM |
Imzot Nikë Prela, ish ipeshkëv Shkup-Prizren përkujtohet në librin me titull "Miqtë e mi në amshim" të dr. don Lush Gjergjit
(Në
29 vjetorin e kalimit në amshim të msgr. Nikë Prela, ish ipeshkëv i ipeshkvisë
Shkup-Prizren)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Libri
"Miqtë e mi në amshim" është një vepër monografike e autorit dr. don
Lush Gjergji, e botuar në vitin 2015 nga shtëpia prestigjioze botuese
"Drita" në Prishtinë. Ky libër monografik përfaqëson një nga veprat
më të veçanta të autorit, ku ai veq tjerash përshkruan me ndjenjë të thellë
shpirtërore dhe reflektime të pasura marrëdhëniet dhe përvojat e tij me figura
të shquara kombëtare dhe kishtare. Këta korifej të kishës e kombit shqiptarë ai
i konsideron jo vetëm si udhërrëfyes të jetës së tij, por edhe si miq të tij të
dashur që tashmë ndodhen në amshim.
Përmes
këtij libri, dr. don Lush Gjergji nuk ndalet thjesht në një rrëfim biografik,
por i sjell këto figura në një dimension shpirtëror dhe filozofik, duke treguar
se lidhja me ta nuk është ndërprerë me kalimin në amshim, por vazhdon përmes
kujtesës, lutjes dhe reflektimit të përhershëm.
Një
nga figurat madhore që autori përmend është Shenjtorja Nënë Tereza, të cilën ai
e ka njohur nga afër dhe ka shkruar shumë vepra për jetën dhe misionin e saj.
Për don Lushin, Nënë Tereza mbetet një shembull i përjetshëm i dashurisë
hyjnore dhe përkushtimit ndaj të varfërve dhe të braktisurve n? botë.
Një
tjetër figurë e shquar me të cilën autori ndan një lidhje të veçantë shpirtërore
është Imzot Nikë Prela. Përmes reflektimeve të tij në librin Miqtë e mi në
amshim, dr. don Lush Gjergji vazhdon të "komunikojë" me Imzot Nikë
Prelën në një mënyrë të pandashme, duke sjellë në vëmendje mësimet, këshillat
dhe trashëgiminë që ai la pas.
Në
këtë libër monografik, nga faqja 83 deri në faqen 94, Imzot Nikë Prela
trajtohet në këtë kapitull me titullin: "Për Zotin, për Kishën, për
popullin tim shqiptar" Në këtë pjesë, autori sjell një pasqyrë të jetës
dhe veprimtarisë së këtij ipeshkvi të përkushtuar, duke u ndalur në sfidat dhe
sakrificat që ai përjetoi gjatë shërbimit të tij.
Jeta
dhe veprimtaria kolosale e Ipeshkvit të Kosovës, imzot Nikë Prelës: Imzot Nikë
Prela lindi në Kotor më 3 qershor 1918, nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji
dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra. Që në rininë e tij, u përball me përndjekje
dhe vështirësi, për shkak të dy "fajëve" të mëdha që i atribuoheshin:
ai ishte shqiptar dhe meshtar. Për këtë arsye, kryqi i Jezu Krishtit, vuajtja,
pësimi, burgimi dhe sëmundja e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij. Me ironi
dhe dhimbje ai shprehej: "Kam lindur në një kohë mjaft të keqe, kur u
shkatërruan dy perandori dhe u krijua një Jugosllavi... Refreni që e kam
dëgjuar qysh në fëmijëri ishte ky: 'Arbanas, arbanas, jao ti sjutra i danas' –
që do të thotë: Shqiptar, shqiptar, i mjeri ti dje dhe sot."
Ai
kreu shkollën fillore dhe të mesme në Kotor, ndërsa studimet
filozofiko-teologjike i vijoi në Split dhe për një kohë edhe në Strasburg. Edhe
atje, për shkak të dokumentacionit, ai përjetoi vështirësi, duke paguar tatime
si një i huaj, ndonëse ishte i lindur në Kotor. Motoja e tij meshtarake ishte:
"I dëbuar në shtëpinë e Atit", një parafrazim i vuajtjeve të
Krishtit, por edhe një reflektim i përvojës së tij personale dhe kombëtare.
U
shugurua meshtar më 13 qershor 1941, në mes të bombardimeve dhe rreziqeve të
shumta të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht, shërbeu si famullitar në
Sutomore (1941-1954) dhe më pas në Muo (1955-1969), deri kur u emërua ipeshkëv
i Kosovës më 2 tetor 1969. Në këtë detyrë të re, ai përballej me një periudhë
të vështirë historike, sidomos pas demonstratave të viteve 1968-1970, në një
kontekst politik të paqartë dhe të rrezikshëm.
Duke
kujtuar atë kohë, ai veq tjerash rrëfente:
"Vetëm
një gjë e dija, si Shën Pali: se vuajtja nuk do të ndahet kurrë prej meje... Në
popullin tim e gjeta vetveten plotësisht, sepse për së afërmi i ndamë të
gjitha. Zotit, Kishës, popullit tim, jo një herë, por edhe njëqind herë do t’ia
dhuroja jetën time."
Edhe
në Kosovë, si ipeshkëv, ai u përball me mungesën e klerit shqiptar, varfërinë,
mungesën e lirisë dhe të infrastrukturës kishtare, si dhe me rrethanat e
ndërlikuara shoqërore dhe politike. Ai shpeshherë thoshte: "Po zihet moti
si para shiut apo breshërit të rrezikshëm, do të ndodhin ngjarje shumë të
rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajt nga e keqja!"
Një
nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij ishte audienca private me Papën
Gjon Palin II më 21 janar 1981, pak para shpërthimit të demonstratave në
Kosovë. Atëherë, Imzot Nikë Prela i tha Papës:
"Shenjtëri,
gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar dhe s’di kur dhe si do të
shpërthejë... Bëni diçka për popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë
martire."
Papa
e përkrahu dhe e inkurajoi, duke i thënë:
"Komunizmi
dhe ateizmi shtetëror po përfundon, fitorja është e Drejtësisë dhe e
Dashurisë... Duhet të qëndrojmë deri në fund."
Dy
çështje jetësore ishin shtylla kryesore e jetës dhe veprimtarisë së Imzot Nikë
Prelës: vuajtja e popullit dhe Kishës shqiptare, si dhe përkujdesja për të
varfërit dhe të përbuzurit. Ai shpesh thoshte:
"Nuk
e di pse duhet të vuajmë kaq shumë dhe kaq gjatë, por e di se Zoti na do
nëpërmjet kryqit. Për popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë, nuk di çka nuk
do të bëja!"
Andaj
krejt në fund të këtij reflektimi e them se librin "Miqtë e mi në
amshim" nuk mund ta shohim vetëm si një kujtim për të ndjerët e amshuar,
përfshirë edhe Imzot Nikë Prelën, por edhe si një dëshmi e fortë e lidhjes së
përjetshme shpirtërore me ta. Përmes gjuhës së tij të pasur shpirtërore dhe
emocionale, dr. don Lush Gjergji na jep një deshmi monumentale të ndikimit për
figura secilen figurë njëkohësisht edhe
për figurën e Imzot Nikë Prelës i cili e ka pasur në jetën e tij dhe në historinë
e kombit shqiptar, duke dëshmuar se vlerat dhe veprat e mëdha nuk vdesin kurrë,
por vazhdojnë të frymëzojnë brezat që vijnë. Lavdi veprës së ipeshkvit msgr.
Nikë Prela dhe mirënjohje për reflektimin dhe vlerat e dr. Don Lush Gjergji.