| E merkure, 26.02.2025, 07:05 PM |
PRAGMATIZMI EKSTREM, MINË NË THEMELET E SË ARDHMES
Nga
Llesh NDOJ
Tregojnë
për një burrë të mençur në Lezhë, dikur bujk, blegtor e tregëtar i njohur, i
cili i këshillonte njerëzit me urtësitë e tij të vazhdueshme. Mes të tjerave ai
u përsëriste herë pas here edhe këshillën si më poshtë: - Ngrihu në mëngjes,
bëj bismilah dhe hidhi sytë nga kalaja. Shih, kush e ka ngritur flamurin dhe
bëji temena! Një pragmatizëm ky i kulluar, i kuptueshëm për një tregtar e një
njeri të thjeshtë, që me punën e djersën e tij pretendonte të jetonte i qetë,
të shtonte pasurinë e të mos shihte se ç’ndodh më përtej tij. Por e praktikuar
në nivele politike, qoftë nga zgjedhësit, qoftë nga ata që zgjidhen, drejtojnë
apo pretendojnë të drejtojnë vendin, kjo mendësi, apo ky pragmatizëm i pastër,
shndërrohet në një minë me sahat në themelet e së nesërmes. Mua më duket, se ky
lloj pragmatizmi ka zënë vend në thelbin e punës, të qëndrimeve e pretendimeve
të politikanëve, partive politike, të zgjedhurve e të emëruarve dhe është
injektuar keqas edhe në trupën elektorale, duke i shndërruar fushatat
elektorale, qeverisjet e produktet e tyre, më shumë se zgjedhje e zgjidhje, në
pazare të ulëta që kanë dëmtuar vendin në ecurinë e tij në këto dekada të
pluralizmit politik.
Përveç
lëvizjes demokratike të vitit 1992, plotësisht e njejtësuar me një lëvizje
popullore antiregjim, që është e justifikuar në përbërjen e saj amalgamë,
bashkim në diversitet i kujtdo që ishte për ndryshimin e sistemit monist e
diktatorial, rastet e tjera në vijim, kanë rezultuar bashkangjitje pa bosht, e
të panatyrshme dhe produkti i tyre gjithashtu ka qenë i paqëndrueshëm. Le të
kujtojmë me radhë: Partia Socialdemokrate e Gjinushit, një parti që duhet të
ishte e profilit të majtë tipik, iu bashkëlidh Partisë Demokratike në zgjedhjet
vendore të vitit 1992, duke bërë që e majta të humbiste atëherë shumë organe të
pushtetit lokal, sidomos këshillat e rretheve që pëfaqësonin asokohe nivelin e
dytë të pushtetit vendor, Partia Komuniste e Hysni Milloshit, e ekstremit të
majtë, konkuroi si kandidat më vete dhe praktikisht iu bashkua Partisë
Demokratike në zgjedhjet vendore të Tiranës në vitin 2011 duke marrë 1395 vota
nga kontigjenti i votuesve të majtë, arësye kjo që Lulëzim Basha u shpall
fitues falë edhe shumë manovrave ekstra ligjore të KQZ – së, me vetem 81 vota
plus, Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, një parti që
pretendon të jetë e vendosur më majtas se vetë Partia Socialiste në spektrin
politik shqiptar, shumicën e kohës, përveç legjislaturës 2013 - 2017, iu
bashkëlidh Partisë Demokratike. Parti si ajo e të Drejtave të Njeriut apo
Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Shpëtim Idrizit, ndonëse në thelb
janë të spektrit të majtë, aleancën e natyrshme e gjejnë shumicën e kohës
djathtas etj. Nuk mbeten pas as veprimet e të majtës socialiste, ku spikat
parulla e shpallur dhe e pashpallur, por gjerësisht e praktikuar në zgjedhjet e
vitit 2013: Të bashkohemi me çdo lloj hori, mjafton të mundim Berishën, parullë
e filozofi që po mundohet t’a bëjë të veten Berisha në zgjedhjet politike të
vitit 2025. Deklarimet e disa prej partive të reja nuk kanë as bosht, as peshë
e ndoshta as nuk ia vlen për momentin të merremi me to, megjithëse fondet i
marrin nga taksat tona.
E
gjithë kjo situatë vijuese, na bën të shtrojmë natyrshëm disa pyetje: - Cili
është spektri real i organizimeve politike shqiptare dhe a kanë partitë tona
politike një filozofi politike e një pozicionim të vetin ideor e programor, që
u jep atyre identitet të spikatur politik? Pak më tej: - Pushtetet që rrjedhin prej tyre, a
kanë objektiva të qëndrueshme e të përputhshme me filozofinë e tyre politike? -
Po anëtarësia e të zgjedhurit, a janë aty si gjendje e natyrshme, apo si një
pragmatizëm i çastit, në mos një pazar i pisët? Unë mendoj se jo! Partitë tona
janë kthyer në turma servilësh të bashkuar rreth drejtuesit të vet, me nuhatje
për pushtetin e të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me paratë e pista e
krimin, më shumë se bashkime të ndërgjegjshme rreth kauzave të përbashkëta.
Anëtarët, të zgjedhurit e të emëruarit e tyre, nuk janë njerëz që përfaqësojnë
ndonjë kauzë apo filozofike politike (edhe aty ku ajo ekziston, e në masën që
ekziston!), por pazargji të mirë, matrapazë politik e njerëz që i bashkëlidhen
çdo lloj “këpuce” (si ba…ga), mjafton që ajo t’i dërgoje në destinacionin e
tyre të preferuar. Keni parë në historinë tonë pluripartiake sa deputetë kanë
“tradhëtuar” partitë e tyre e votën e elektoratit, duke votuar fshehurazi
qeveritë kundërshtare, apo duke u bashkuar hapur me to, vetëm për një mandat
vendor ose qendror, për një tendër më tepër, apo për një mbrojtje prej partisë
fituese ndaj bëmave të tyre korruptive e kriminale, nga ndjekja e mundshme prej
organeve të drejtësisë etj. Kaq e turpshme është kjo situatë, sa të bën të
vjellësh e të mos besosh asgjë nga ato që thuhen nëpër tribunat politike e
mitingjet si rasti, kur sheh Kastriot Islamin, ish njeriu më i privilegjuar e i
respektuar i së majtës, të konvertuar në çast si antisocialist i sëmurë,
maskuar si demokrat i devotshëm, apo Metën konvertuar në demokrat ekstrem, apo
kur sheh plot kryetar të bashkive tona, deputetë apo të emëruar të të majtëve,
njerëz që dikur thyenin kutitë e votimit për t’i kthyer në rezultate pro PD –
së, apo torturonin nëpër komisariate komisionerët e majtë! I turpshëm dhe i
neveritshëm ishte spastrimi i administratës për arësye të pikpamjeve politike,
tipike kjo pë Partinë Demokratike e personifikuar në nenin e famshëm 24/1, por
më e turpshme dhe shkatërruese paraqitet situata e “blerjes” së kundërshtarëve
politikë me një rrogë në administratë, apo kur parti si ish - LSI, sot Partia e
Lirisë e familjes Meta, që gjithë organizimin e tyre e kishin dhe e kanë pazar
mbi numrin e karrigeve në çdo nivel të administratës publike.
Më
kujtohet një personazh i deformuar politik në zgjedhjet vendore të vitit 2019
në Lezhë, pjestar i rëndësishëm i administratës pararendëse demokratikase në
pozicione të rëndësishme, që rezultuan më së shumti “tregti” tokash, i cili në
atë fushatë shante me të madhe socialistët, që i quante komunistë, bile të
fëlliqur, por kur këta erdhën në pushtet ai u shpërblye me përmirësim të
pozicionit të punës e në këmbim, shihej të shoqërohej nëpër kafene me shumë nga
të vetëquajturit socialista të afërt me pushtetin e radhës. Kujt dreqin i duhen
njerëz të tillë? Po listat përfaqësuese të PS – së në 2013 - n kryesisht, më
pak në 2017 - n e 2021 - shin, e me gjasa do t’a përmbyllin ciklin me të
njejtin nivel në 2025 - ën, çfarë përfaqësonin? Të majtët e të majtën jo! As të
djathtët jo! Po kë do të përfaqësojnë atëherë? Pak opsione mbeten, e secili le
t’i marrë vetë me mend ato. Po ashtu listat e PD - s, cilësia e besnikëria,
identiteti politik i pëfaqësuesve të së cilës u vërtetua me rastin e “djegies
së dirigjuar të mandateve” në vitet 2017 - 2021 me synim shpërndarjen e
Kuvendit, e ku monstrat politike që ishin renditur në lista për një grusht vota
u futën në vendin e deputetëve të dorëhequr në bllok, duke pjell parlamentin,
ndoshta më qesharak në historinë tonë si shtet.
Pyetja
shtrohet: - A pasqyrojnë partitë politike përbërjen e elektoratit shqiptarë,
apo këta janë pasqyrë e deformimeve të imponuara nga krimi e pushteti, krimi me
pushtet e pushteti i kriminalizuar? Përveç Partisë Socialiste që vjen si
vazhdim i transformimit të të majtës ekstreme, ish PPSH - s dhe partive Lëvizja
e Legalitetit e asaj të Ballit Kombëtar, vazhduese në distancë kohore e partive
të djathta tradicionale, partitë e tjera janë parti të reja, më saktë, krijesa
të lindura në pluralizëm të cilat, nisur nga nevoja për pushtet apo mbijetesa
politike, nuk kanë ndjekur një bosht të tyrin e nuk kanë adaptuar një filozofi
të tyren politike, që të jetë identifikuese për to, veç dogmës së
antikomunizmit, që më së shumti ka rezultuar një “komunizëm” i kamufluar. Kjo e
ka bërë spektrin e politikës tonë të ngjashëm me flamurin e komunitetit të
LGBTI - së, (asgjë personale kundër tyre!), dhe elektoratin një trupë mobile që
voton herë majtas e herë djathtas, shpesh me vullnet të deformuar e yshtur nga
paraja, nga krimi, nga pushteti ose nga të gjitha bashkë, duke e bërë
parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve një ekuacion vështirë të deshifrueshëm.
Krahas
shprehjes standarte “shih kush ka ngrit flamurin n’kala, e bëji temena”, apo
grupimit që dukshëm e bazon mbijetesën tek servilizmi ndaj pushtetit dhe
partisë që e mban atë, hapur dhe si reaksion ndaj tyre, është krijuar edhe
grupimi tjetër që mund të quhet grupimi “për inat të sime vjehërr, shkoj e fle
me mullixhinë”, ku e gjejnë veten ata që s’i përmbushin pritshmëritë personale
nga pushteti i partisë që kanë votuar, për më tepër kur shohin kundërshtarët e
tyre ulur këmbëkryq mbi ëndërrimet e veta, votojnë kundërshtarin në zgjedhjet e
radhës. Në një përcaktim normal të identitet të spikatur politik të partive që
janë apo konkurojnë për pushtet, elektorati është i qartë se çfarë mbetet e
çfarë ndryshon në se vota e tyre sjell në pushtet forcën politike të preferuar,
ku jo çdo gjë do të duhet të përmbyset për të rifilluar nga e para. Parë në
këtë prizëm, në kushtet tona shpresa, ose më saktë ëndërrimet tona elektorale,
shohin përmbysje e fatkeqësisht edhe rezultojnë të tilla dhe vendi, nga njëra
pale zgjedhje tek tjetra, bën një hap përpara e dy hapa mbrapa. Shihni
qëndrimin aktual ndaj asaj që shqiptarët e përceptojnë në shumicë si shpresën e
daljes nga tuneli i errët i tranzicionit, SPAK - un e Drejtësinë e Re. Të dyja
palët e kërcënojnë ardhmërinë e saj. Njëra, socialistët, nën parullën e “nevojës
për standartizim”, e tjetra duke premtuar hapur zhbërjen totale. Pse? Hapur e
dukshëm për të mobilizuar të kërcënuarit prej drejtësisë, botën e errët të
krimit e korrupsionit shtetëror, për fitoren e pretenduar të radhës. Shih më
tej qëndrimin ndaj pensioneve e pensionistëve. Socialistët bëjnë premtime për
rritje të vogla e të mundshme, kryesisht bazuar mbi skema që e bëjnë sistemin e
sigurimeve shoqërore të qëndrueshëm, veprime që ndonjëherë ngjajnë se anojnë
djathtas, ndërsa e djathta, PD - ja, bëhet më e majtë se e majta ekstreme dhe
premton shifra rritjeje, dukshëm të pamundura. Shih ekonominë e perspektivën e
saj, asnjë pikë ku synohet të arrihet për një zhvillim të qëndrueshëm, veç
lajthitjeve të qëllimshme elektorale. Të njëjta janë premtimet për pagat e
tatimet mbi të ardhurat. Dukshëm, e majta në pushtet tregon qëndrueshmëri,
ndonëse treni i saj ecën në disa drejtime në “shina të djathta”, ndërsa e
djathta bën premtime tipike të majta, si ulje taksash, rritje pagash, taksa
zero për biznesin e vogël (e realizuar prej kohësh nga e majta në pushtet),
ulje të kontributeve për sigurimet shoqërore e njëkohësisht rritje pensionesh
apo përcaktim e plotësim të minimumit jetik, që janë qendrime tipike majtiste.
Një
mishmash politik, që nuk të çon askund, ky qendrim i politikës shqiptare,
thjesht për të trullosur trurin e lodhur të shqiptarëve. Ndërsa elektorati
lëviz sa andej - këndej, majtas e djathtas (si bo..t e dashit, pati thënë dikur
një kandidat për deputet i Partisë Demokristianë), fatin e vërtetë të
ardhmërisë së vendit e përcakton jo vota jonë, por paraja dhe krimi i
organizuar në partitë politike ose organizatat kriminale dhe ne, më kot
mundohemi të projektojmë një vizion të largët mbi ardhmërinë, e cila edhe po
lindi, lind e vrarë por e pa kallur nga pragmatizmi ynë vrastarë.