Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Selamiu dhe Hasani

| E merkure, 26.02.2025, 07:50 PM |


Selamiu dhe Hasani

Nga Kastriot Dervishi

Në janar 1944 Selami Lutaj nga Hekali i Fierit, kish blerë një kullotë për bagëtitë e veta. Mirëpo atë ia prishi me delet e tij, Hasan Axhemi. Kur shkoi në Fier për t’u sqaruar me Hasanin, ky i hodhi një bombë. Pasi u mbrojt, Selamiu mundi ta vrasë Hasanin. Për këtë vrasje u arrestua më 15.6.1945. U akuzua për pjesëmarrje në Ballin Kombëtar si “armik i popullit dhe kriminel lufte” dhe se kishte luftuar kundër “luftës nacionalçlirimtare” sepse sipas akuzës, Hasani kish qenë partizan. Selamiu mohoi çdo akuzë se çështja kish qenë sipas sqarimit. Këshilli Gjyqësor Ushtarak Fier, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me privim lirie përjetë. Vuajti gati 18 vjet heqje lirie. Hasani u shpall dëshmor, ndërsa shteti shqiptar paguan ende burgimin e padrejtë të Selamiut. Kësi historish ka plot lufta "nacionalçlirimtare".

***

Për Hasanin e shpallur dëshmor për "luftë heroike" shokët e agjitpropit shkruanin kështu (teksti gjendet edhe në internet):

"Hasan Axhemi, 14 vjeç. I vuajtur, te partizanët gjente ngrohtësi. Miqësohej me ta. Hasanit të vogël iu plotësua dëshira. Janar 1944. Partizanët po iknin nga Mallakastra. Hasanin e lanë në fshat si ndërlidhës. U dërgua me një shërbim sekret në Klos, që andej në Hekal. Përmes errësirës kreu detyrën. I lodhur, e zuri gjumi në anë të një ledhi. Pushkën e mbante midis gjunjëve. Por një hije e zezë si gjarpër i vinte rrotull. Një krisje si degë lisi u dëgjua. Ishte pushka e armikut që e vrau".