| E hene, 24.02.2025, 07:57 PM |
AKULL DHE LIBRA DHE STATUJA,
POR
DHE DISHEPUJ
TË
(PA)RREZIKSHËM…
Nga
Visar Zhiti
Ditë
e ftohtë, akull shkurti… që thyhet si kujtesa… E nisa me “Kalendarin e
Poezisë”, atë që bën miku im i burgut dhe i pasburgut, Maks Rakipaj, në murin e
fb të tij sot kishte vënë poetin japonez Isikava Takuboku, ka datëlindjen dhe
unë u kujtova që kam një histori me poezinë e tij, që ndikoi në dënimin tim,
ndërsa në burg kam shtyrë vagona si skllav dhe me Havzi Nelajn, poet që e
pushkatuan, por sot është dhe datëlindja e tij, ndërkaq dhe në këtë ditë kanë
pushkatur dhe At’ Anton Arapin, kur sapo ishte vendosur regjimi barbar i Enver
Hoxhës, por do të rrëzonin dhe shtatoren e përbindshme të tij, teksa binte
perandoria komuniste, etj, etj.
Binte
Enveri statujë, por ai mbetej në partinë që la, në letrat e socrealizmit, në
mendësinë prej letre të pistë të atyre që u përkëdhelën nga regjimi dhe kanë në
shpirt po atë ngricë…
Ashtu
si çdo kujtesë që mbart ngarkesat e veta, ajo e ditës time sot ka dhimbje kohe
të pamasë, libra dhe gropa dhe hapësirën - nga bibliotekat gëzimtrishta të
studentit në minierat infernale të burgut e deri larg në Japoninë misterioze,
miq që ikin dhe statuja, tragjizëm, liri dhe çasti i poezisë si përjetësi e
vogël…
I.
POETI JAPONEZ.
Po
e nis me 20 shkurtin e parë, kur ishim studentë në Shkodër, ëndrra dhe
diktaturë, kur kërkonim poezinë e ndaluar, ja, gjetëm dhe një poet japonez,
libri ishte rusisht, Isikava Takuboku, na i dha në mirëbesim pedagogu Hasan
Lekaj, iu futëm përkthimit me ngulm me shokun tim të ngushtë, lirikun Skënder
Rusi, lexo një tankë, gjej në fjalor fjalët që s’i dinim, shkruaj secili në
fletore përkthimin e vet poetik, unë e nisa kështu:
????Atje ku bien
lotët,
??? U bë moçali,
??? ?I
piklave vogëlane, të vrerosura.
??? Sa i madh je,
????Lot!
Isikava
Takuboku kishte jetuar aq sa Migjeni ynë dhe tuberkuzi e kishte ngrënë dhe atë.
Librin guxuam ta japnim dhe si “lexim jashtë klase” siç quheshin atëhere ca
lloj provimesh, ku zakonisht merreshin tekste të Enver Hoxhes rusisht, ishte
mjaft bezdisëse, ato s’duroheshin shqip, ndërkaq kur do të vinte dita që do të
më arrestonin, gjatë hetuesisë në dimër, natën, - në frengjitë e qelisë kishte
akull, - më pyesnin vrazhdë dhe për Takubokun, pse e zgjodhe? Ishte
revolucionar, me popullin, - thosha prapë atë që i kisha thënë dhe pedagogut të
rusishtes. E ç’t’u desh ty “taketukja”! - më bërtiste prokurori. E kishte
fjalën për Takubokun.
Më
vinte shumë keq që ia shtrembëronte emrin ashtu…
II.
NË BURG
Në
Spaçin famëkeq jam njohur dhe me Havzi Nelën s’e dija që shkruante poezi
atëhere, për mua dihej nga që isha dënuar për to me gjyq të hapur.
Megjithatë
ka ende sot që bëjnë sikur s’duan ta besojnë se regjimi që ata përkëdheli dhe i
shërbyen me zell, profesionistë dhe si spiunë, dënonte dhe për letërsi, dënonte
dhe letërsinë, edhe libra, edhe lexues.
Havzi
Nela sot do të ishte 91 vjeç, por atë e varën, varja e fundit në gjysmë Europén
komuniste…
Ne
do të çlirohemi vërtet, - më thoshte gruaja e tij, - kur të pushojmë së foluri
për diktaturën e dënimet, por për dashurinë. Mjaft treguam për burgun e Havziut
dhe timin, por të flasim si u dashuruam ne…
III.
ATË ANTON ARAPI
…mendimtar
i thellë dhe shkrimtar i traditës françeskane, - me një rol kyç në ruajtjen e
identitetit dhe zhvillimin e kultures dhe mendimit shqiptar, - gjatë regjimit
komunist si shumë klerikë të tjerë u persekutua dhe u ekzekutua si pjesë e
spastrimeve ndaj klerit katolik në Shqipëri.
Në
të njëjtin gjyq me atë dënuan me vdekje, me pushkatim dhe Lef Nosin, antropolog
i shkëlqyer, firmëtarin e Pavarësisë Kombëtare, ministër në qeverinë e parë,
udhëheqës në Ballin Kombëtar, antar i këshillit të lartë të regjencës gjatë
pushtimit, por vetëm dhe vetëm patriot.
Kur
po e çonin drejt pushkatimit At’ Anton Arapin, nëpër llohën e natës së 20 shkurtit,
dëshmohet se ai po bënte kujdes gjatë ecjes, s’donte ta bënte me baltë zhgunin,
por baltë do të bëhesh ja, tani, o prift, i tha oficeri i pushkatimit dhe ai iu
përgjigj:
I
pastër kam qenë gjithë jetën dhe ashtu dua të shkoj në jetën tjetër…
Regjimi
komunist i akuzoi si “kuislingë” dhe “armiq të popullit” dhe shumë patriotë të
tjerë, që punuan në administratën e lartë, në shtet, gjatë Luftës II Botërore.
Në atë kohë ata besuan dhe bashkëpunuan, me hir ose me pahir, por për
Shqipërinë në kushte të pazakonshme dhe të rënda, gjithashtu ishin dhe kundër
komunizmit që po avitej si “gogol” - siç e thotë dhe Marksi në Manifestin e
tij, por ata, asnjëri dhe asnjëherë, nuk vepruan në dëm të vendit dhe popullit,
përkundrazi.
Dosjet
e e tyre janë hapur, kjo e vërtetë rezulton për kolaboracionistët.
Enveristët
e mbetur, edhe këndej madje, edhe pse janë bërë me kapital e ntrashur,
vazhdojnë të hedhin mbi ta atë baltën e “rrugës së pushkatimit”…
IV.
KOLABORCIONISTI NË
PUSHTET
Do
t’u thosha atyre, kriptoenveristëve, i acaruar si ata, si kundërpërgjigje që
kolaboracionist vërtet i dëmshëm për atdheun ishte Enveri i tyre, ai u vu në
shërbim të një partie që u themelua me
ndihmën e shovinistëve jugoslkavë, ata e ngulën në krye dhe e çuan vendin në
luftë civile kundër nacionalistëve dhe u humb Kosova që e patëm gjatë luftës,
më pas Enveri iu dorëzua Stalinit, tiranisë së tij dhe pasi ai vdiq a e
helmuan, kur pushteti absolut i rrezikohej, e la Bashkimin Sovjetik dhe u lidh
me Kinën Popullore enigmatike, ndërkaq kur Kina filloi negociatat me SHBA,
Enveri që i trembej çdo hapjeje, se mund dhe duhej ta përmbysnin, u prish dhe
me Kinën, shkaqet ishin vetanake, dhe e mbylli vendin edhe më si një bunker
absurd lufte, e varfëroi rëndshëm, pra, “vuri disiplinë ushtarake dhe qetësi
varrezash”, kam shkruar, etj, etj, dhe pllakosi kështu “Dimri i vetmisë së
madhe”…
V.
STATU…QUO..
Në
një shkurt të dikurshëm Enver Hoxha ka mbajtur një “fjalim historik” të
rrezikshëm, ku shpalli fillimin e një revolucioni kulturor si ai kinez, në fakt
antikturor, i ideoligjisë së tij, i cili çoi në ndalimin e fesë dhe
shkatërrimin e institucioneve fetare dhe të traditës. Shqipëria u shpall
“shteti i parë ateist në botë”...
Duke
shkallmuar kështu dhe atë pasuri juridike dhe kulturore te lasht;e e me fame
botorore, “Kanunin e Lek Dukagjinit”
Si
në atë 20 shkurt terrori dëgjoj të flasin ende ca “en-ferristë” të përndezur
rishtaz, me kultet e socrealizmit, vazhdojnë detyrën, shefat e konvertuar i
kanë dhe kodet e tyre të vjetra e të reja… dhe copat e akullit të pistë të
pashkrirë në kafazin e krahërorit të tyre duan t’ja kalojnë kohës të gjithë…
Në
një tjetër 20 shkurt e rrëzuan shtatoren e përbindshme të Enverit në Tiranë, ku
e kishin ngritur uzurpueshëm në një shesh me emër tjetër e shtatore tjetër,
“Skënderbej”, e zvarritën statujën e tij siç bëri ai me kundërshtarët që vrau.
Copat
e bronzit të tij të thyer i shoh të nxijnë si maska në ca fytyra që më shfaqen
egërshane…
?Modeli “enver”
shfaqet grotesk te lidershipi i sotshëm, te narcizimi i tyre dhe grykësia,
qendrimet, që i ngjanë aq shumë statujës së diktatorit, te veprimet, vaniteti,
dënimet e të tjerëve dhe frika e tyre patalogjike nga e ardhmja.
VI.
LUMTURIMI
Po,
Atë Anton Arapi tashmë është përfshirë në procesin kanonik të lumturimit.
Konferenca Ipeshkvore Katolike e Shqipërisë ka filluar mbledhjen e dëshmive dhe
dokumentacionit për jetën, veprën dhe martirizimin e tij.
Copa
akulli të zi si copa bronzi ka ende
nëpër këmbë, në baltë…
Miku
im skulptor, Ilmi Hoxha, e solli fytyren e bashkqytetarit të tij dhe të
bashkëvuajtësit tonë në qytet, në Kukës, para shkollës që mban emrin “Havzi
Nela”.
Bashkqytetari
tjetër, shkrimtari Rexhep Shahu i botoi të 7 fletoret me poezi të Havzi Nelës,
ku janë dhe ato që ai i shkruajti fshehurazi në burg apo në internim.
Çuditem
që ka që lavdërojnë ndonjë nga ata poetë që ishte në burg e s’mundi dot të
shkruante atje, “s’e uli veten”, thonë, dhe çmojnë si arritje letrare atë që
s’u bë, fletën e bardhë si harrimi… Dhe kam pyetur: Danten pa “Ferrin”… Pse?
Dhe
vërtet jam i gëzuar që isha në atë juri që poezia e Havzi Nelës mori Çmimin
Kombëtar. Erdhi fshehtas nga nëntoka e
natës dhe arriti në majat, të bardha si bora mbi Pikëllimën e tij…
Bashkëvuajtësit
e Havzi Nelës, që mbetën gjallë, që u përfshinë në lëvizjen për demokratizimin
e vendit, për liritë e të drejtat e njeriut, ata, fytyr-akujt e enverit, i
akuzojnë që pse pranuan detyra të larta, por të kundërshtonin për një demokraci
më të mire, shembull marrin dhe Pjetër Arbnorin si kryetar parlamenti, e kanë
merak dinjitetin e tij mandeljan, që pse ai, sipas tyre, bëri kompromis, por…
çfarë?
Vërtet
vendi nuk gëzoi dot një demokraci më të mirë, me plot të meta duke rënë shpesh
në kaos, me një korrupsion galopant të shndërruar në sistem, sidomos me
socialistët në pushtet, vazhdues të partisë së enverit, etj, por kompromisi
është dhe domosdoshmëri politike dhe nëse “Pjetërarbnorët” tanë nuk do ta
pranon kompromisin për hir të vendit, atëhere duhej të kishin vrarë të paktën
treçerekun e atyre që i akuzojnë.
Të
persekutuarit nuk donin të bënin si persekutorët e tyre…
VII.
POEZIA SI EPILOG
Po
le të kthehemi te letërsia, te poezia që
po flisnim sot.
Poeti
Skender Rusi më tha që ta botojmë poezinë e Isikava Takubokut, i ka ardhur
koha, fletoret i kemi gati, ato që i mbushëm me tanka, kur ishim studentë.
Atëhere
fletoret me përkthime të fshehta studentore i çonin dorë më dorë, ku besonim e
ku na besonin, se kishte dhe nga ata që thoshin: pse m’i jep, apo që të bëj
gabime politike? Dhe i shkruanin dhe enver hoxhës kundër shokëve…
Unë
ende isha i ndaluar kur pashë shumë poezi të Takubokut, përkthimi imi, që u
botuan në një revistë letrare, por me emër tjetër përkthyesi. Ai më pas do më
thoshte që e kishte bërë në nderim timin. I thashë që më erdhi mirë që ishin të
denja të botoheshin…
Po
pse mikut tim, Skënderit, nuk iu përgjigja dot, seç kisha një ngarkesë tjetër,
po shkruaja një roman a s’isha fare në atdhe dhe i thashë që nxirri vetëm. Dhe
dolën, sa bukur!…
Kur
mua më erdhi koha, iu ktheva Takubokut tim, por librin nga i kishim përkthyer
s’e kishim më, po përmirësoja mbi fletoren time, që i kishte shpétuar
kontrollit dhe konfiskimit, im vëlla, Ilirjani, m’i kishte ruajtur shumë
dorëshkrime, e kam treguar, edhe duke i futur nëntokë në baçen e shtëpisë së
motrës, etj, etj, por botova dhe unë një Isikava Takubok, i vura titullin
librit “Poezi të shkruara mbi gurë”, është një zakon i tillë ende në Japoni.
Sërish
më vjen ai zë prokurori që ulërinte në birucë: Ç’të duhej ai…?!… armik…
Taketukja… ku shuaj cigaren tani… ka pasur dhe taketuke të bëra me kafkat e të
dënuarve nga nazistët… dhe fitimtarët imituan të mundurit e tyre, kështu
thoshin latinët…
Akulli
i shkurtit është thyer dhe më shumë. Por jo në ato fytyra të ngrira ashtu, që
kur ra shtatorja groteske e diktatorit… i pataksi zvarritja e saj dhe jo ajo e
popullit, mbajnë ende anën e bronzin e
zi të dhunës dhe jo të viktimave, të mishit të jetës, do të thosha me metaforë…
Po
si janë vargjet e fundit të Takubokut, të shkruara herët në fletoret e rinisë
së parë? Dhe i pashë në mbrëmje, në faqen e fundit të librit:
???Ne, miqtë, do të
gërryejmë
???Mbi varr, në
gur,
?? Këto fjalë kryeneçe:
??? “Më thërrisni, po deshët,
??? Në luftën për t’u bërë njerëz!”
Chicago, 20 shkurt 2025