| E hene, 24.02.2025, 07:55 PM |
Ndue Ukaj:
Që
historia shqiptare ka plot udhëheqës budallenj e ngjarje negative, këtë fakt
asnjë mendje normale nuk mund ta mohojë. Lë t’i kujtojmë bandat haxhiqamile dhe
ato komuniste.
Kosova
sot është mbërthyer nga shëmtia e shterpësia politike, nga smogu ngulfatës, që
përditë e më shumë po e troshitë shëndetin tonë politik.
Të duket sikur ka goditë ajo Siberia mendore, për çka fliste dikur Vangjel Koça, ajo Siberi që na ka falë plot kufoma mendore.
Me
siguri, ka shumë arsye për këtë: tradita e varfër, arsimi i keq, por kryesorja,
po, kryesorja lidhet me idetë e këqija që kemi mbjellë e kultivuar me
fanatizëm. Ideja e mohësave, mosmirënjohjes dhe e akuzave qorre, e kanë
shkatërruar mjedisin tonë politik, ku veç fjala armiqësi e mashtrim gjen
shpreje.
Prandaj,
prodhojmë politikanë budallenj, që gjithmonë kërkojnë armiq, jashtë e brenda,
sepse u duhen për t’i justifikuar marrinat e tyre.
E
kanë thënë shumë të mençur shqiptarë, se ne, nuk e njohim fajin, nuk pendohemi
e nuk marrim mësim prej ngjarjeve që na bëjnë me turp, prandaj rrëzohemi në të
njëjtat gropa, prandaj, jemi të fundit e besa edhe më të mjerët në Europë.
Ky
është ai smogu që është duke e përkeqësuar
shëndetin
tonë politik dhe askush tjetër.
Ernest
Koliqi, një prej mendjeve më cilësore të historisë sonë, thoshte se shqiptarëve
ju pëlqen politika "jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka
qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth
nji tryeze shtrue me pije e meze...Mbush e derdh...Vizatò e shlyej
situata...Naltësò e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente. Fundi?"
Kurgja
nuk dallon Prishtina e sotme politike, prej përshkrimeve të kohës së Koliqit,
edhe pse ka kaluar gati një shekulli.
Prandaj,
zgjedhjet te ne prodhojnë deputetë të cekët, që asnjë fjali nuk dinë ta
shkruajnë e ta artikulojnë shqip, kurse mendimin politik e kanë luks të
paarritshëm.
E
njerëzit e padijshëm e pa parime, ndërrojnë brenda nate, tradhëtarin e bëjnë
hero dhe anasjelltas, bëhen sikur bashkohen për interesa kombëtare, sepse ata e
mbrojnë pushtetin e kështu bëhen gardianë të marrëzisë.
Po,
shqiptarët e Kosovës sot janë të çoroditur e të përçartë në politikë...Si para
një shekulli, kur Fishta
I
pezmatuar fliste për faqezinj, rriqna e mikrobe të zi.
Prandaj,
urata ma e mirë në këtë shtërngatë është që njerëzit të nisin ta refuzojnë këtë
ushqim kaq helmues, sepse, po vazhduam kështu, veç një gjë është e sigurtë:
degradimi e shkatërrimi ynë.