| E hene, 24.02.2025, 07:59 PM |
Trevjetori i sulmit të Rusisë fashiste kundër Ukrainës
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Sot u mbushën tre vjet që kur një shtet fqinj me Ukrainën,
me këtë kryevatër të kulturës sllavianolindore, Rusia fashiste, filloi sulmin
agresiv kundër saj. Banda kriminale e Kremlinit ishte e bindur plotësisht se me
sulmin e koduar “operacioni special”, do t’i lante hesapet me Ukrainën
brenda dy-tre ditëve. Por nuk e kishte parashikuar absolutisht se do të ndodhej
përballë unitetit shembullor të mbarë popullit heroik të Ukrainës dhe të
forcave të tij të armatosura, të cilat e bënë pluhur e hi mitin e rremë të “madhështisë” së Rusisë dhe të “pathyeshmërisë” së ushtrisë fashiste ruse,
si e pajisura me “armatimin më të mirë” në
botë.
Nuk është hera e parë që Rusia i ka përfunduar me turp
luftërat agresive që ka pasë ndërmarrë këto dy shekujt e fundit kundër vendeve fqinje.
Le të kujtojmë luftën ruso-japoneze të vitit 1906, luftën kundër Finlandës që
filloi më 30 nëntor 1939 dhe përfundoi më 15 mars 1940, në të cilën Rusia pati
127 mijë? ushtarë të vrarë (asokohe Lidhja e kombeve e përjashtoi Bashkimin Sovjetik
nga radhët e veta), luftën në Afganistan, të cilën e pagoi me 30 mijë të vrarë
dhe 60 mijë ushtarë të sakatuar.
Deri në mbrëmjen e djeshme (23 shkurt), sipas faqes së
Internetit “Fakti”, ushtria fashiste ruse e ka vaditur tokën ukrainase me
gjakun e 867 180 ushtarëve dhe oficerëve të vrarë. Por popullit rus, të edukuar
me psikologjinë shumëshekullore të bujkrobit, nuk i bën përshtypje absolutisht
vrasja e kaq shumë bijve të tij. Përkundrazi, uniteti i tij rreth bandës së
Kremlinit, me Putinin në krye, është bërë edhe më i çeliktë.
Normalisht, Organizata e Kombeve të Bashkuara duhej ta
kishte përjashtuar menjëherë Rusin nga radhët e veta që para tre vjetëve. Me këtë
qëndrim soditës ndaj Rusisë fashiste, e cila sulmoi një vend fqinj në shek.XXI,
kjo Organizatë dëshmoi se është thjesht një figurante në sytë e mbarë botës.
Kaliforni,
24 shkurt 2025