| E diele, 23.02.2025, 07:55 PM |
Në Qendrën Kulturore "Bogdanipolis" në Prishtinë u promovuan librat "Në Dritën e Njohjes I dhe II" të Vilson Culajt
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Gjatë
15 viteve të fundit, kam pasur fatin dhe privilegjin ta ndjek nga afër
rrugëtimin letrar të mikut tim të çmuar e shkrimtarit Vilson Culaj, pra, duke
qenë dëshmitar i ndikimit të tij në kulturën shqiptare. Promovimet e librave të
tij nuk janë thjesht takime letrare, por ngjarje monumentale, ku fjala e
shkruar merr jetë, ku lexuesi dhe autori ndajnë një përjetim të përbashkët,
duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes mendimit, ndjenjës dhe historisë.
Në
çdo promovim të tij, nga Kosova në Shqipëri, kemi parë sesi letërsia e Vilson
Culajt ka depërtuar në mendjet dhe zemrat e lexuesve, duke frymëzuar,
reflektuar dhe pasuruar kulturën tonë kombëtare. Me veprat e tij, ai ka
dëshmuar se letërsia shqiptare nuk është vetëm një formë shprehjeje, por një
mision-një detyrim ndaj së vërtetës, një eksplorim i shpirtit njerëzor dhe një
kujtesë e gjallë e historisë sonë.
Në
krijimtarinë e tij të pasur, që përfshin romane, ese, poezi, monografi, kritikë
e analiza, Culaj nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e ngjarjeve apo ndërtimin e
personazheve, por e kthen çdo vepër në një reflektim të thellë mbi jetën,
sakrificat, bukurinë dhe tragjedinë e ekzistencës sonë. E kam parë nga afër
sesi fjala e tij prek çdo zemër të pranishme, sesi çdo analizë zgjon reflektime
dhe nxit biseda të thelluara mbi artin dhe kulturën. Fjala e tij nuk mbetet
vetëm në faqet e librit, por bëhet pjesë e përditshmërisë sonë—një dritë që na
ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe botën përreth.
Duke
reflektuar mbi këtë rrugëtim, ndiej se nuk kam qenë vetëm një vëzhgues, por
edhe pjesë e këtij procesi, ku letërsia bëhet një urë që lidh brezat dhe një
thirrje për të mos harruar rrënjët tona kulturore. Fjalët e shkrimtarit Culaj
janë të jetuara dhe për këtë arsye do të mbeten pjesë e pandashme e kujtesës
sonë letrare dhe shpirtërore.
Andaj,
sot, më 22 shkurt 2025, në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike
"Bogdanipolis" të Prishtinës, në një atmosferë të ngrohtë letrare dhe
intelektuale, u mbajt promovimi i dy librave më të fundit të shkrimtarit dhe
studiuesit Vilson Culaj, "NË DRITËN E NJOHJES I dhe II".
Kjo
ngjarje kulturore mblodhi personalitete të shquara të letrave shqipe, studiues,
profesorë, dashamirës të letërsisë dhe lexues të pasionuar, të cilët ndanë
mendime dhe reflektime mbi veprat e autorit. Njësoj interpretimin e promovimit
e bëri "Radio Maria" nga Kosova qe drejtohet nga d. Shtjefën Dodes.
Në hapje të promovimit, moderatorja Alketa Gashi-Fazliu (moderatore e lajmeve
të RTK-së) theksoi rëndësinë e këtyre veprave, të cilat, përmes analizave të
thella dhe qasjes filozofike e historike, sjellin një pasqyrim të qartë të
mendimit dhe hulumtimit letrar të autorit.
Fjalën
e rastit e mbajtën studiues të njohur, të cilët vlerësuan kontributin e Vilson
Culajt në pasurimin e kulturës dhe mendimit shqiptar. Panelistët pjesëmarrës
dhe referues ishin imzot dr. Lush Gjergji, dr. Anton Gjuravçaj, prof. Maxhun
Osmanaj, prof. Hajdin Morina, prof. Migena Atllati, prof. Bekim Kelmendi dhe
prof. Alfred Beka. Ata e vlerësuan krijimtarinë e autorit si një thesar të
rëndësishëm për studiuesit dhe lexuesit, duke theksuar analizën e thellë me të
cilën autori trajton temat teologjike, filozofike dhe historike.
Interpretimin
poetik të disa vargjeve poetike e bëri prof. Bekim Kelmendi, duke i dhënë një
dimension të veçantë artistik këtij eventi letrar.
Në
përfundim, autori i librave, Vilson Culaj, i falënderoi të gjithë të
pranishmit, duke theksuar se letërsia dhe mendimi kritik janë shtylla të
rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie të vetëdijshme dhe të avancuar.
Promovimi
u përcoll edhe me disa pika artistike muzikore nga prof. Naser Dula dhe
sopranoja Arta Jashari.