| E diele, 23.02.2025, 07:58 PM |
Po
vjen Rusi
Nga
Edison Ypi
Thuaj
shyqyr që po vjen Rusi dhe nuk po vjen Timur Lengu ose Xhengis Khani.
S'mund
të mos vinte Rusi. Keni dhjetra vjet që natë e ditë s'flisni për gjë tjetër
veçse për hajdutllëk, xhvatje, vrasje, dhe po u çuditkeni se po vika Rusi.
Çfarë
çudie është të vijë kush të dojë dhe të bëjë çfarë t'i teket mbi trollin e Skënderbeut
që e katandisët në vendin ku dajnë paret hajdutat.
Ku
çdo veprim, çdo reagim, gjithçka që ndodh, e kushtëzojnë të fortët, banditët,
halabakët, injorantët, deficentët, budallenjtë, hajvanët, vjen edhe dreqi edhe
i biri i dreqit, jo më Rusi.
Në
vendin që e braktisin ata që e kanë denbabaden, Rusi nuk po vjen se e mori
malli, e pëlqeu, e dashuroi. Në këtë vend qesharak dhe zevzek që mburret e
lumturohet kur pushtohet, ndërron besimin, vret të vetin, rren gjith kohës,
Rusi po vjen për qef, për variacion, për ta këmbyer qiellin e zi kontinental me
qiellin e kaltër mesdhetar, vodkën me rakinë, Siberinë e akullt me Myzeqenë e
ngrohtë.
Nëse
jo Rusi, mund të vinte dhe ndonjë tjetër.
Pa
folur për Anglezin, Francezin, Gjermanin, të cilëve me ua fal nuk e duan një
vend me përmasa infinitesimale që u duhet lupë për ta parë në hartë, mund të
vinte edhe, pse jo, italiani. Që s'do qe keq. Por halli se Italia duket e
lodhur, e ngathët, e trullosur. Sa ta mendojë pepinua, ta pranojë Farnesina, të
kandiset opozita, ta votojë parlamenti, ta firmosi senati, ka ardh' pesqint
herë Rusi.
Bujrum
për të dytën herë, Zoti Rusi. Ideologjia, internacionalizmi, klasikët, ndihmat,
nëndetset, miqësia, vllazërimi i popujve, shkarja në revizionizëm, martesat me
ruse spiune, burgjet, internimet, zhdukjet pa nam e nishan, dhe gjithato
çmendurira të tjera, të shkuara të harruara. E fillojmë nga e para. Do gjesh
Shqipëri të hallakatur dhe shqiptarë shpirt'tharë e trukalbur që mund t'ua fikësh zjarret e t'ua ftohësh vatrat për pes
minuta.
Këtu
s'ka ngel pushtues pa ardh e pa u rehatu, s'po vika Rusi.
Nëse
në Myzeqe kanë mbetur kisha dhe monastere, kjo nuk ndodhi për asnjë heroizëm të
popullit tonë në shekuj, por vetëm sepse Myzeqeja ishte kënetë dhe pushtuesit
nuk morën mundimin të hynin se u ndoteshin çizmet.
Le
të vijnë Aleksandri, Anatoli, Maximi, Mikhaili, Nikolai, Vladimiri, Arkadi,
Grigori. Le të vijnë ta mbarsin Lirinë, Dritën, Fatmirën, Linditën, po ashtu
si, Gimi, Çimi, Titi, Timi, Luti, Kaçi, Hasani, Hyseni, Hajdari, Enveri, do
shkartisen me Tatianat, Katerinat, Mariat, Aanastasiat, Natashat, Nadiat,
Annat, Varvarat, Polinat, Poljushkat. Të gjithë do zdërhallen nëpër plazhet
tona të ngrohta si nëpër sobat e tyre të nxehta ku mes avullit rrahin kurrizin
me mështekna. Kalamajtë që do pjellin do jenë gjysma bjondë si dielli i
qiellit, gjysma ezmerë si kusia te vatra. Rusi ka pafund stepa, tajga, tundra,
akullnaja. Ujra të ngrohtë s'ka. Kjo është e gjitha.
S'do
bëjë kushedi se çfarë Rusi që po vjen.
Rusi
do sjelli eksperta nga çdo fushë. Ekonomi, financë, industri, rend, mbrojtje,
propagandë, soc-art, soc-letërsi. Sidomos nga ata të ekonomisë së planifikuar.
Ekspertat do jenë të gjithë spiuna. S'do jetë problem për shqiptarët që
spiunllëkun e pijnë me qumështin e nënës.
Monedha
do jetë një kombinimi i Rublës me Lekun, Rubleku, që do e njohin gjërësisht
bankat në trojet arbnore dhe do kuotohet në bursat e Laçit, Rrëshenit,
Rrogozhinës, Zavalinës, Lazaratit.
Vendi
do rrethohet edhe një herë. Shtyllat e betonit dhe telat me gjëmba do blihen në
Greqi me pare të vjedhura nga tenderat për arsimin e kalamajve dhe qumështin e
bebeve.
Qëntë
e kufirit do stërviten prapa Dajtit nga specialista ardhur enkas nga Korea e
Veriut.
SHIK-u
do ndërrojë emrin, do quhet KGB-ja.
Rusishtja,
gjuhë e parë nëpër shkolla.
Pas
rusishtes, greqishtes, turqishtes, Shqipja do jetë e katërta.
Këto
Përputhjet dhe Përthithjet televizive do zëvendësohen nga çfaqjet vertikale të
qejfeve horizontale, pra me mbrëmjet e vallzimit nën tingujt e Korit të
Ushtrisë së Kuqe, Kalinkave, Kazaçokëve, Stari Druzhbave, Mbrëmjeve në periferi
të Moskës etj.
Rusi,
me të ardhur, do ndalojë rreptësisht operacionet plastike. Posaçërisht trashjen
e buzëve me mishin e bythëve.
Çdo
mbrëmje do kumbojnë Orët e Kremlinit. Fill pas Orëve do buçasi Radio Moska me
rrenat e ditës.
Vargje
lotndjellëse dhe shpirtçjerrëse nga të Pushkinit, Turgenievit, Lermontovit, si
dhe lexime nga Tostoi, Gogoli, Gorki, Ostrovski, do kërrcasin si shkarpa që
digjen nëpër pikniqe dhe zborre netëve rrotull zjarreve partizane.
Fermat
do mbeten, por do quhen Kolkoze.
Organizatat
dhe shoqatat rinore do quhen Komsomole.
Do
vinë vapora dhe nëndetse nga Deti i Zi.
Marinarët
do tmerrojnë çupat tona duke vënë edhe një herë në qarkullim brekët e zeza.
Në
Sazan dhe Karaburun s'do lejohet asnjë kazino, kuplara, apo gjëra të tjera qefi
të këtij kallëpi, vetëm raketa nërkontinentale dhe nëndetëse atomike, me të
vetmin qëllim shpartallimin e gadishullift apeninik përmes fundosjes së
Siçilisë dhe shndrrimit të çizmes në opingë.
Rusi
e ka një Bolshoj Teatër. Por Teatër më Bolshoj se ky këtu s'ka ku e gjen. Vet'
e thirrët me nazet, ickëlat tuaja, hajvnllëkun tuaj. Budallallëku ka kosto.
Shtrëngo bythën. Rusi është nisur.