| E diele, 23.02.2025, 07:54 PM |
FATOS
ARAPI DHE VLORA
Nga
Albert HABAZAJ
Duke shfletuar
kolanën e veprave të zgjedhura poetike të poetit shkëlqimtar Fatos Arapi, kërkoja
poezi me motive qytetare, sepse më duhen për një punim, por, interesant,
ndalova tek poezi “e vogël” me titullin “Popullorçe”,
botuar në vëllimin “Urna e vogël”: poezi të zgjedhura: 1997-2003 “Urna e vogël”
(Tiranë, Neraida, 2014, f. 169).
I hodha një sy të
shpejt vertikalisht, edhe pse ajo është e shkurtër dhe mund ta përpish me një
kalim.
Çfarë të bëj e shkreta Vlorë?!
Një flamur dëshmor në dorë.
Do qëndroj se s’po qëndrojmë.
Do luftoj se s’po luftojmë.
E shkreta Vlorë po Vlorë.
bën’ të bëjmë Shqipëri,
bën’ të bëjmë demokraci,
bën’ Evropë e s’i qëndron.
Çfarë të bëj e shkreta Vlorë
bëhet shkrumb e bën liri.
Bëhet shkrumb e bën dëshmorë.
Është një vjershëz
e këngëzuar me 11 vargje me rimë, që rrjedh monokolonë, e thjeshtë si strukturë,
që na kujton ato këngët e vjetra lakonike, të cilat me pak vargje shpalosnin
shumë kuptime të bukura, të thella dhe me mesazhe kthjelltësisht të qarta. Në
një formë tjetër më shpunë tek vargjet e xha Matos e Selim Hasanit, Xhebro Gjikës
dhe ca burrave të rëndë të këngës së madhe, para e pas këtyre kapedanëve të
labërishtes.
Kujtoj që dikur
Ismail Kadare ka thënë për njërin nga 4 “gjeneralët” të teksteve të këngëve
labe Hamdi Pulon e Tragjasit, se vargjet e këtij poeti popullor do t’i kishin
zili dhe poetët më të mirë të vendit. Ndërsa, poezia “Popullorçe” e Fatos
Arapit është shembulli më i lartë i duhur e i synuar për tekstin e këngës, që
fiton automatikisht përveç vulës poetike, edhe vulën folklorike (e cila është vështirë
të mirret kollaj, po nuk kaloi në disa sita, që i përdor gurra popullore në
rrjedhat e kohës). Poezia “Popullorçe” është Shkolla e Tekstit Poetik të Këngës
Labe, aq e domosdoshme për të qenë funksionale, kur sot jo pak tekstexhinj (që
kanë a gjejnë lekë, etj.), i harrojnë ligjet e pashkruara të folklorit
shqiptar, e harrojnë “Kanunin” e Këngës popullore të Shqipërisë së Jugut (e
lokalizoj, meqë e njoh më mirë këtë territor etnografik, që tradicionalisht, me
gjuhën popullore është quajtur Toskëri). Dhe shkruajnë, more shkruajnë!...
S’mund ta fitosh grurin, kur korr kashtë. Nuk e quaj të nevojshme të merrem shumë
me analizën letrare të kësaj vjershe të Fatosit, sepse ajo është e
bukurshkruar, e këndshëmlexueshme, e mirëkuptueshme. Poezia “Popullorçe” e
Arapit është një këngëz e gjallë, sa energjike, aq kurajoze, simbolike dhe
domethënëse, me një gjuhë plot nerv e guxim, mbushur me dramacitet, që ka
fytyrë të dinjitetshme, sa altruiste, aq dyshuese, që lëviz e shqetësuar, që
merr frymë shëndetshëm, kombëtarisht, qytetarisht, vlorërisht, me një dashuri
fatosiane që dhemb, deri në sakrificën më sublime. Kjo poezi këndohet për
bukuri si një këngë labe, që i prek telat e zemrës jo vetëm çdo vlonjati, por
çdo shqiptari, që i dhemb në eshtër Atdheu ynë, shqyer nga çapaçulët helaqë të
kombit.
Dr. Fatos Arapi
njihet në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht si poet modern, ndër themeltarët e
poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si Ai, i zjarrtë në
ndjenja si Fatos Arapi.
Shtëpia botuese
“Neraida”, botuesja e veprës së tij të zgjedhur poetike na jep këtë profil
lakonik të autorit tonë: “Fatos
Arapi shkëlqeu si poet në vitet ’60 të shekullit XX. Si mjeshtër në artikulimin
e lirikës qytetare ai është njëherësh edhe më moderni ndër poetët e kohës së
tij. Me një poezi krejt të veçantë dhe qartësisht të dallueshme nga të tjerët,
me një varg që në brendësi kishte delikatesën, por mendim e figuracion të
ri, që merrte dritë dhe njëherësh dritësonte, Arapi ndërthurte pasqyrimin e
zhvillimeve dhe ndryshimeve në Shqipërinë e kohës me konceptet emancipuese dhe
iluminuese, duke e larguar atë nga rutina poetike dhe notat retorike të
vargëzimit të angazhuar”. Universi i botës lirike
dhe liriko-epike të Fatos Arapit është identiteti ynë letrar dhe kulturor.
Në vëllimin e parë “Më jepni një emër”:
poezi të zgjedhura, 1962-1989 (Tiranë, Neraida, 2014) vetë Fatosi shkruan “Dy fjalë” në të çelur të librit. Nuk janë
shumë, kështu që po i paraqes për lexuesin tonë: “Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja.
Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja:
një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por
ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta
zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia
e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi
jo. Në shpirtin tonë fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot
shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka
kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të
shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë
dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej
vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë
njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i
kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të
shkojmë. Fatos Arapi”. Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Është një mesazh i madh, është
Testamenti i Poetit për ne. Ai na e la me mirësi, bekim e besim. Në nderim të së
Vërtetës, Ai nuk mund ta mirrte me vete. Brenda rreshtave të këtij mesazhi jam
edhe unë. Dëlirësisht dhe dhembshurisht, e gjej vetveten në formën time. Aq sa.
Ashtu si. Brenda rreshtave të Testamentit të Madh je dhe ti, është edhe ajo apo
ai poet qytetar, jemi ne, jeni ju, janë ata dhe ato poete të vërteta, që i shërbejnë
emancipimit të vonuar qytetar të Shqipërizës sonë hallerënduar.
Unë e kam dashur
shumë, edhe pse është shkëlqimtar tek yjet më të bukur të qiellit poetik. Unë e
dua shumë Fatosin tonë dhe, sa të kem frymë, do ta dua sikur ta kisha vëllain
tim të madh.
Fatmirësisht e kam
pasur mik, jemi takuar në Vlorë, në Tiranë, edhe në shtëpi të tij më ka ftuar
disa herë, kemi kuvenduar e kemi pirë kafe poetike, më ka dëgjuar me vëmendje
dhe dashamirësi dhe unë e dëgjoja gati me adhurim tek fliste e fliste palodhshëm
shumë me atë zërin e tij të drithshëm si një fije bari në tramundanë. Gjatë
bashkëbisedimit me të, që nuk doja të mbaronte kurrë, më shfaqej imazhi poetik
i Uitmanit (Walter Witman), por e sprapsja këtë
shembëlltyrë, sepse unë kisha të Madhërishmin tim Fatos Arapin. Për të
kam shkruar edhe shkrime, edhe poezi, edhe elegji me lot ulliri...
Një
shkurtore jetëshkrimore e tij mund ta paraqes: Fatos Tol Stavre Arapi lindi në
Zvërnecin e bukur të Vlorës më 19 Korrik 1929 dhe mbylli sytë në Tiranë më
11.10.2018. Poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, novelist, përkthyes,
gazetar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkloristikës. Ka gradën
Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit
të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë
intelektuale dhe letrare - kulturore. Shkrimet
e Fatosit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të
cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht,
sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e
botëror të vlerësimit.
“Vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij
arritën të piqen deri në përsosmëri” - shkruan eseisti dhe poeti
shqiptaro-kanadez Erlind Sulko.
Fatos Arapi na la dhuratë gjuhë letrare. Ai bëri letërsi të përkryer, që
guxoi e rroku hapësirat e misteret e Universit.
Poezia e tij është
një bashkëbisedim harmonik i dashurisë me dhembjen.
Por këtu unë qëndrova
ca dhe kalova ndërmend:
Kush poet si Fatos
Arapi Zvërnecit i ka kënduar vendlindjes?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar babait e nënës - dhembjes së veshur me tw zeza, vëllait të
lirisë me lot dhe mallit të bukur të
gjyshes?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar lirisë?! Kush?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar luftës çlirimtare?! Kush?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar Tiranës?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar atdhetarëve të vërtetë, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë!?
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar Atdheut?! Vetëm Fatos Arapi ka thënë e shkruar. “Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori i
pavdekshmi - loti” sikundër që “Tragjedia
është Atdheu i vërtetë i poetëve”.
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar detit?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar gjolit, limonave, portokalleve dhe ullinjve?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar dashurisë?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar dhembjes?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar qytetit?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar peizazhit, stinëve, natyrës e hapësirave të pamata?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar universit?!
Kush poet si Fatos
Arapi...?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar ndershmërisë?!
Kush poet si Fatos
Arapi i ka kënduar Ali Asllanit dhe Petro Markos?!
Kush poet si Fatos
Arapi ka thurur lirika aq të bukura
shoqërore?!
Kush poet si Fatos
Arapi ka kënduar rreptësisht aq dhembshur autoironi për Fatosin ëndërronjës të
heshtur?! (Shembuj klasikë të kulturës së lartë qytetare në prozë, kujtime dhe
oratorì janë Eqerem bej Vlora, Faik Konica dhe Fan Noli, ndërsa, në kohën e re,
që tashmë gjendet e regjistruar në Arkivin e Letërsisë bashkëkohore shqiptare është
Dritëro Agolli).
VLORËS... Kush i
ka kënduar Vlorës më shumë, me aq dashuri e më bukur se Fatos Arapi?!
Në fakt, në të
gjithë arsenalin e tij poetik, gjen pak Vlorë (edhe në ato poezi ku nuk përmendet
emri i saj aulonian, në të gjitha motivet e bukura të poezisë së tij fisnike ka
ngjyrë Vlore. Të gjitha poezitë e Fatos
Arapit janë veshur me ngjyrë Vlore, e cila ndrit kaltërisht.
Pa kaluar në
statistika (ndoshta vlen të përgatis një minibibliografi të poezive të tij për
vendlindjen, Vlorën e Aulonës së lashtë e diellore me detin, Jonin e
Adriatikun, Zvërnecin dhe Sazanin, Karaburunin dhe Çikën, Orikumin dhe Shashicën,
Malet e Vetëtimave - Akrokeraunet dhe Dhërmiun), por në këtë përmendje nderimi
kujtoj që vetëm në 4 vëllimet me poezi
të zgjedhura nga botuesi, poeti, përkthyesi dhe bashkëzvërnecari i tij Jani
Malo, janë përfshirë 70 poezi për Vlorën dhe arealin e saj kulturor,
njerëzor e historik nga Shtegu i Dritës Fatos Arapi, “i larë nga dritat e
shenjta të Mesdheut”.
Vlorë,
2002 (nga e majta në djathtë) Irena
Toci, Fatos Arapi, Dituri Meçi Dizdari, Ali Podrimja, Albert Habazaj
Vlorë,
2002, Odhise Grillo, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Fatosn Arapi, Xhevahir Spahiu,
Albert Habazaj