Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Dua të dehem

| E diele, 23.02.2025, 07:27 PM |


Tahir Bezhani

DUA TË DEHEM ...

Dua të dehem

Të pi  një- dy-tre-katër dopio raki

Të shkrij trupin e mërdhirë

  heshtjen e natës memece

Në shkretinën e ditës përvëluese

Nuk di të këndoj  pa qenë i dehur

As të vallëzoj nuk di

E as të qeshi,  më pak të qaj

Nuk  dashuroj   pa  trazimin e  shpirtit

Pa zjarrin brenda nuk shkrihet akulli

Dashuria do miq e mikesha të  ndezta

T’i kesh pranë vetës,  jo në largësi

Ndonëse  nuk flasin as nga afër....

Shpesh dëshiroj të rebelohem

Të bëhem furtunë vjeshte

Shpirti të përplaset me vargjet e zjarrta

Të jam një dikush tjetër rrugëve të eterit

Nuk mundem,  nuk di pa u dehur

I nënshtrohem ndrydhjes së vargut bonjak

Kur  shoqërohet me lotin si gur bjeshke

Nxjerr nga brenda dhimbjen e ashtit

Shikoj i qetë rreth e rrotull,  mendoj

Kënaqësi apo mjerim kjo kohë shterpë!....

Në buzëqeshje të vajshëme përkundem

Ditës nuk i them lamtumirë

Kohë të tjera do vijnë rrugëve të gjata...

Takohemi n’andrrat e   zhgjëndërrave të tretura

Përqafimeve të përmallta valëve të jetës

Ngrirë në kokërdhokët e ballit të rrudhur

Si hije malli.....

Nëntor, 2024

HAPAT QË  NUK  LËVIZIN....

Ditë me shi, e ftohtë , mërdhin

Në këtë mesvjeshtë të sertë

Eci rrugëve të qytetit tim

Numëroj hapat që nuk lëvizin

Sytë e stepur vitrinave përplot

Aty afër  një  skamnor ulur në kartuç

Me duar të zgjatura lëmoshe

Me lot ndër sy ngrirë  nga i ftohti

Refreni i përsëritshëm “ Të ndihmoftë Zoti!...”

Me dorën e zgjatur,  të qullur

Era luan me flokët e zbardhura

Teket e erës rrëmbimthi

Më “vodhën” kapelën nga koka

Ia “fali” vogëlushit  ulur buzë rrugës

Me lotët e ngrirë shikoj nga unë

Hoqa xhupin e veshur,  e mbështolla

Vajta në çerdhën time plot dridhje

Vogëlushi zbathur buzë rruge më shikonte

Më shoqëroj ajo pamje tërë natën.....

Gjakovë,

Nëntor, 2024