Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Vajza nga fshati

| E diele, 23.02.2025, 11:09 AM |


Mihal Gjergji

VAJZA NGA FSHATI

Sa shpesh,

sa shpesh më kthen te kohë e shkuar

Një trill i largët, ëndërr dhe zhgënjim

Dhe befas qeshen sytë e saj të shkruar

Tek shkel mbi plagë në ikjen e pakthim

E ndiqnin pas djelmoshat ëndërrtarë

Ndonjë kodosh i qepej hap më hap

Ajo sajdiste shtatin si lastar

Aromë prilli ndante rreth e qark

Nga njëra gojë te tjetra, si balsami

Ja mbanin emërin, trëndafil në buzë

Askush s’e ndali. Ndalet vallë tufani?!

Andaj në heshtje digjeshim si shpuzë

Se s’donim të thërrmohej si kristali

Të mbetej fshati pa statujë, pa fat

Nga lart dëborë e mjergull hidhte mali

Ajo me sytë nga udha, iku larg

E grishte vajzën rendja drejt qytetit

Asfaltin donte, gjindjen që zhurmon

Ne mbajtëm baltën, ëndrrat na u tretën

Ajo sërish mendimet na trazon!

Tepelenë, Shkurt 2000.