Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: Pse njerëzit i nënshtrohen ideologjisë populiste

| E shtune, 22.02.2025, 01:55 PM |


PSE NJERËZIT I NËNSHTROHEN IDEOLOGJISË POPULISTE

Nga Fadil Sahiti

Shpesh dëgjojmë të thuhet se shumica e njerëzve nuk e duan lirinë sepse liria do të thotë përgjegjësi dhe shumica e njerëzve tmerrohen nga përgjegjësia. Nuk dihet nëse kjo thënie vlen për shumicën e njerëzve, por ka diçka të vërtetë në të. Të marrësh përgjegjësinë për jetën tënde do të thotë të marrësh vetë vendimet dhe, më e rëndësishmja, të pranosh pasojat kur ato rezultojnë të gabuara. Kjo ndjenjë është e frikshme, është alarmante. Shkenca e psikologjisë thotë se në secilin nga ne ka diçka infantile: duam dëshpërimisht ta heqim këtë barrë nga supet tona. Frojdi thotë se instinkti më i fortë i njeriut është ai i mbijetesës, ndërsa nevoja jonë më e fortë është nevoja për siguri. Ky instinkt dhe kjo nevojë na shtyn të kërkojmë një ideologji, një dikë (mundësisht 'babë') që pranon të heqë barrën e përgjegjësisë për jetën dhe të ardhmen tonë. Dhe, i varfëri njeri gëzohet kur mendon se ka gjetur dikë që është 'më i mirë' se ai, që ofron siguri; që bën më pak ose aspak gabime.

Frika mund të jetë e ndryshme: frika nga të huajt, nga vdekja, nga pasojat e veprimeve tona, etj. Por secila frikë e ka burimin në të panjohurën. I varfëri njeri kërkon një garanci se e panjohura dihet, dhe beson se vetëm "baba i madh" mund ta di atë që s'dihet. Pranon ideologji dhe doktrina politike irracionale, përqafon fetë që garantojnë se nuk do të vdesë, apo filozofi politike që garantojnë se shoqëria do të bëhet e përsosur në të ardhmen, madje shumë shpejt.

Ne kosovarët themi shpesh se para luftës e kemi dashur njëri-tjetrin më shumë se sot. E kujtojmë me nostalgji një kohë kur s'kishim asnjë të drejtë civile, por duheshim dhe solidarizoheshim me njëri-tjetrin shumë më tepër se sot. As dhashnia e as solidarizimi i jonë i atëhershëm nuk e kanë pasur burimin në emancipim, por në frikë. Kishim frikë nga shfarosja kolektive dhe kjo na bënte më njerëzorë, më solidarë, na mbante të bashkuar. Kur fituam lirinë (në kuptimin e lirisë negative të Isaiah Berlin), dashuria dhe solidariteti fisnor u venitën. Kjo ka ndodhur edhe me popujt e tjerë. Por siguria fisnore është zëvendësuar me të menduarit kritik.

Kjo nuk po ndodh me ne. Ne vazhdojmë t’u besojmë populistëve, atyre që na kanë vjedhur dhe keqqeverisur; t'u besojmë teorive utopike pa asnjë rezon politik. Kurse mendimi kritik mbështetet në tjera vlera. Refuzon të marrë të mirëqenë ato që thuhen nga 'baballarët' politik apo fetar; përdor arsyen personale si 'test litmues' i gjithçkaje. Por, kjo mënyrë e të mënduarit ka kosto. Lirinë mendore e blen duke hequr dorë nga siguria; barazinë dhe solidaritetin human e blen duke hequr dorë nga kërkesat egoiste; dhe së fundi, vetëdijen kritike e blen duke hequr dorë nga qetësia e rreme e mendjes dhe e shpirtit.

Rrallëherë gjen njerëz që janë në gjendje t'i blejnë këto 'mallra'. Shumica nuk i blejnë fare. I pari që ishte i gatshëm të paguante çmimin e lirisë, të mendimit kritik, të barazisë dhe solidaritetit mes njerëzve, besohet të ketë qenë Sokrati. Ai u thoshte tjerëve, "më mirë të jeni si unë, Sokrat, i pakënaqur, sesa një derr i kënaqur". Por çmimi që pagoi për lirinë personale ishte kapital: e pagoi me vdekje.