| E premte, 21.02.2025, 07:58 PM |
Leksiku i turpshëm i Ramës në Sheshin Skënderbej dhe mjerimi i bujkrobërve socialistë
Nga
Eshref Ymeri
Fjala e Ramës dje, më 20
shkurt, në Sheshin Skënderbej para militantëve socialistë të Bashkisë, me
siguri që çdo bashkëkombas me personalitet dhe me dinjitet të lartë kombëtar, e
ka bërë t’i shtrojë vetes pyetjet:
Ky Rama kështu do të
vazhdojë të flasë gjithmonë para publikut, duke përdorur një leksik të pistë
deri në neveri?
Nuk e kuptuaka vall ky
njeri që ofendon rëndë mbarë kombin shqiptar dhe bëhet kaq qesharak, saqë e
ndot keq postin që mban?
Një leksik të tillë të
pistë e përdorin zakonisht njerëzit e paturpshëm, të zhveshur kokë e këmba nga
edukata elementare dhe etika e komunikimit me të tjerët.
Kur dëgjova atë
togfjalëshin e ndyrë në mbyllje të fjalës së Ramës, më erdhi ndër mend
menjëherë artikulli me titull “Rama
si “Nevojtore” shëtitëse...”, i botuar në faqen e
internetit “Syri” të datës 28 qershor 2019, me autor
analistin e njohur Agim Xhafka, i cili shkruan:
”Nuk u nisa nga forma e kapelës së kuqe, as
nga goja që i llap si sifon alla turka. Me një shikim të çastit, kryeministri
ynë ta sjell këtë ngjashmëri. Por kur dëgjon çfarë thotë, çfarë shan e çfarë
mallkon, thua prerë, kjo hale e madhe ka një muaj që shëtit nëpër atdhe.
Përballë vendos qindra karrige dhe iu derdh atyre stërkala të njoma e të thata
nga delirimet e tij. Ia nis përherë me rrena të stërmëdha, pastaj me ironi që
këto kohë bëjnë veç atë për të qeshur e më tej rreshton emrat e kundërshtarëve.
Duke i quajtur derdimenë, dylqinja, noc rrokër, të hani atë që s’thuhet, iu
zëntë në grykë, të na rruani l..., jeni trapa, do vrisni veten, do ju burgos,
do ju izoloj, s’keni shpëtim...
Nëse nuk je shqiptar, më e pakta, e merr për
ndonjë aktor që luan role të caktuara kafshësh. Se ai qesh si dhelpër, këlthet si qen, ulëret si ari, shfryn si hipopotam. Por nëse e njeh, i fut frazën klishe: na doli prapë ky
trapi!”.
Dy ditë më vonë, më 30 qershor, po në këtë
faqe interneti, ishte botuar një tjetër artikull, i titulluar “Palaço i
cirkut diplomatik”, me autor Lis Bukuroca.
Vetvetiu të lind në kokë një pyetje e
zakonshme:
Ky Rama ka shokë, miq, bashkëshorte, të
cilëve domosdo që u bien në sy vulgaritetet, moria e leksikut të pistë që ai përdor
në sytë e mbarë opinionit publik, por si është e mundur që askush nuk e paska këshilluar
për të hequr dorë nga fjalori i turpshëm që përdor poshtë e përpjetë nëpër
Shqipëri?
Nuk dihet, ndoshta edhe e kanë këshilluar,
por Rama nuk heq dorë nga vulgariteti i tij, të cilin e ka të rrënjosur në
gjak.
Aleksandër Poup (Alexander
Pope - 1688-1744), është poet anglez, njëri nga autorët më të
mëdhenj të klasicizmit britanik. Po të kemi parasysh Fjalorin e citateve, botim
i Oksfordit, për nga shkalla e citueshmërisë, ai është shkrimtari i dytë në
gjuhën angleze pas Shekspirit. Disa nga vargjet e tij janë bërë madje idioma
dhe shprehje thjeshtligjërimore mbarëpopullore. Ai u ka lënë në trashëgimi
brezave pasardhës aforizmin e mrekullueshëm në vijim, me të cilin karakterizohen
tipa të tillë, si Rama.
“Të përpiqesh të ndikosh
mbi një njëri të paturpshëm me fjalë të buta dhe delikate, është njëlloj sikur
të mundohesh të gdhendësh një shkemb të madh me një brisk rroje”.
Të befasonte qëndrimi aprovues,
i shoqëruar me duartrokitje, i publikut të Bashkisë ndaj fjalëve të pista të Ramës,
në vend që të protestonin, të çoheshin dhe ta braktisnin atë takim poshtërues për
ta. Ai publik u soll ndaj agait Rama pikërisht si bujkrobërit rusë, të cilët i
përshkruan aq mjeshtërisht shkrimtari Nikollaj Gogol (1809-1852) në romanin “Frymë
të vdekura”, të botuar në vitin 1842.
Kaliforni, 21 shkurt 2025