| E premte, 21.02.2025, 07:56 PM |
Të prehesh në varr me emrin e armikut në gur
Nga
Prof. Blerim Latifi
Në
afërsi të Drenasit, në qoshen e një are, ndodhej një varr i vetmuar. Me dekada
ai varr kishte një emër zyrtar: Varri i partizanit të panjohur.
Në
ditët e festave jugosllave aty shpesh vendoseshin lule nga nxënësit e shkollave
dhe recitoheshin vargje për Titon pranë tij.
Në
komunën e Drenasit kishte një shkresë për mbrojtjen e këtij varri dhe tregimin
zyrtar për të. Por ky tregim ishte krejtësisht i rremë. Njeriu që prehej në atë
varr nuk ishte ndonjë partizan i panjohur, i varrosur nga shokët e tij në natën
e 21 shkurtit 1945, kur u shua Kryengritja e Shaban Polluzhës. Njeriu që prehej
në atë varr ishte vetë i biri i tij, Tafa, i cili ishte vrarë gjatë daljes nga
rrethimi në kullat e Dvoranëve. I plagosur ditë më parë në Betejën e Urës së
Pestovës, Tafa do të vazhdonte t'i qëndronte pranë babës së vet deri në çastet
e fundit.
42
vjet më pas, kur regjimi komunist po jepte shenjat e rënies, "Varri i
partizanit të panjohur" e mori emrin e vërtetë të tij: Varri i Tafë Shaban
Polluzhës. Më pas eshtrat e këtij kreshniku do të zhvarroseshin për t'u
varrosur në Polluzhë pranë babës së tij.
Ky
është tregimi për një luftëtar të madh, që për 4 dekada qëndroi në një varr me
emrin e armiqëve kundër të cilëve luftoi deri në vdekje.
_________
Thënë
të drejtën disi po më pëlqen fakti se SHBA nuk e përfshiu BE-në në negociatat
me Rusinë për Ukrainën. Kët' ndjesi pëlqimi po ma prish veç anashkalimi i
Britanisë së Madhe.
Një
BE që s'është në gjendje tash e 17 vjet me mbyllë kontestin e Kosovës me
Serbinë, e meriton të injorohet.
Një
BE që nga një projekt bashkimi kombesh, është kthy në një mekanizëm bllokimi,
të cilin anëtarët e saj e përdorin për interesat e tyre mesnike.
Një
BE që e do sigurinë gratis nga Amerika dhe njëkohësisht edhe tregtinë me
rivalët e saj tregtarë, si Kina.
Një
BE që ledhaton nji cub ballkanik si Vuçiqi dhe s'është në gjendje t'i bindë
pesë shtete të saj se Kosova nuk mund të kthehet më nën Serbinë. Etj, etj.
_________
Me
1912 na e përgjysmuan ëndrrën për të qenë një komb i lirë në mesin e kombeve
tjera. Do duhej të kalonte gati një shekull që gjysma tjetër e ëndrrës të bëhej
realitet.
Kohët
po ndërrojnë, kombet sërish po i kthehen vetes. Kjo do të thotë se horizonti i
bashkimit kombëtar sërish po hapet për ne.
Gëzuar
Dita e Pavarësisë së Kosovës!
_________
Çdo
popull ka parlamentin që e meriton. Kjo do të thotë së deputetët nuk janë vetëm
përfaqësuesit e tij politikë, por edhe pasqyra kulturore dhe mentale e tij.
Këto janë caqet e zgjedhjes së tij. Nuk di ma mirë, e mbase edhe nuk do ma
mirë. Kaq është kjo punë.
_________
T'jemi
të qartë në një pikë: një popull që çon analfabetë në Parlament, s'meriton as
respekt as qeverisje të mirë.
_________
Zhduket
gjuha shqipe nga tabelat e autostradave në Maqedoni. Qysh ka thanë një herë
dikush: Mjafton një gjeneratë e mbrapsht që të shkatërrohet ajo që është ndërtu
me mundin e shumë brezave!