| E premte, 21.02.2025, 07:44 PM |
Gjuha Shqipe në gojën e nënës sime
Nga
Lazër Stani
Gjuha
shqipe gjithmonë më ka magjepsur në gojën e nënës sime. Ditën fliste pak,
merrej me punë, nuk kishte kohë as të merrte frymë. Po, ndërsa hynte e dilte në
dhomën tonë të ndenjes, gjithmonë thoshte ndonjë fjalë, ndonjë shprehje, herë
duke m’u drejtuar mua e herë pa iu drejtuar askujt, duke e lënë fjalën ose
fjalinë pezull në ajër, në pritje që dikush ta dëgjonte para se fjala ose
shprehja shuhej, të varrosej në heshtjen që lëshonin muret e trashë në atë
qoshe të humbur të botës ku jetonim. Por kishte edhe raste kur nëna ulej pranë
meje e bisedonte vetëm me mua, ose lëvizte nëpër shtëpi gjithë gjallëri dhe
vazhdonte të më fliste, sikur donte të ndante barrën e rëndë te fjalëve me mua.
Edhe pse fëmijë, unë e pata kuptuar se nëna ime fliste më bukur se të gjithë
njerëzit që njihja. Përveç zërit të ëmbël dhe pëshpëritës, që në veshin tim
vinte si një kompozim mahnitës, ajo vazhdimisht shqiptonte fjalë që unë nuk i
dija, ose shprehje që duhej të ishin shumë të vjetra e vinin nga thellësia e
kohës, të ngjeshura e të lëmuara, si gurët e zallit të bartur prej larg, nga
thellësitë e maleve.
Kjo
gjuhë bëhej më e gjallë dhe me e pasur kur ajo me tregonte histori, përralla të
dëgjuara apo rrëfime të krijuara prej saj, me përsonazhe që ajo dinte t’i
veçonte prej gjuhës që flisnin. Fjala në gojën e saj sikur gjente vetveten,
rikrijohej e shqiptohej, sikur thuhej për herë të parë. Trupi i imët dhe i
brishtë i sime mëje dukej sikur ishte krijuar prej fjalëve dhe sa herë fliste,
rrëfente, ose këndonte, mua më dukej se ajo do të shndërrohej e tëra në fjalë,
e tëra në gjuhë, do të shndërrohej në gojë të drurëve, gurëve, lumejve,
shkëmbijëve, maleve, horizontit, qiellit deri sa të tretej e të shuhej krejt në
fjalën e fundit. Ligjërimi i saj ishte i thjeshtë, i butë, muzikor, kumbues, i
çlirët, i natyrshëm, magjepsës....
Nga "Instinkti i
Fjalës"
Në foto: Nëna ime...