| E premte, 21.02.2025, 07:56 PM |
PERVJETORI
I KALIMIT NE AMSHIM TE NJE DISHEPULLI
Nga
Albert Vataj
Asht 20 shkurt 1946... kur Atë Anton Harapin po e çonin drejt pushkatimit. Nuk binte asnjë kambanë e Kishave ku ai kishte kremtuan Meshën e Shenjtë e predikuar Fjalën jetëdhënëse të Zotit.
Ndërsa
shkonte udhës, të cilën ai po e bënte për të fundit herë, kujdesej që zhguni
rregulltar e meshtarak që bante, të mos i bëhej me baltë, në shenjë të
qëndresës së tij besnike, në mbrojtje të idealit për Fe e Atdhè, deri në fund.
-
Po ti baltë do të bëhesh, – i tha oficeri komunist, që e shoqëronte drejt
vendit të pushkatimit.
-
Por të shkoj te Zoti, te vdekja ime, sa më i pastër, sikur isha gjatë jetës, –
u përgjigj Frati i Shenjtë.
Njerëzit
e mëdhenj mbeten gjithmonë “dritë” që “ndriçojnë” mendjen e shpirtin tonë.
Atë
Anton Harapi, frati françeskan dhe një nga figurat më të ndritura të kulturës
dhe fesë shqiptare, u pushkatua nga regjimi komunist më 20 shkurt 1946, pas një
gjyqi farsë që e damkosi si "armik të popullit". Ai nuk ishte thjesht
një klerik, por një intelektual i shquar, pedagog, publicist dhe patriot i
palëkundur, i cili e pa kombin dhe fenë si të pandashme.
Ai
kishte një vizion të qartë për Shqipërinë, një vend ku feja, kultura dhe
atdhedashuria duhej të ishin themelet e një shoqërie të shëndoshë. Ishte ndër
figurat që kërkuan të shmangin përçarjet dhe të vendosin ura bashkimi midis
shqiptarëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në Këshillin e Lartë
të Regjencës, një post që e pranoi jo për ambicie personale, por për të
mbrojtur popullin shqiptar nga shkatërrimi. Megjithatë, komunistët e dënuan si
kolaboracionist, pa marrë parasysh motivet e tij fisnike.
Në
momentet e fundit të jetës, qëndroi i qetë dhe i palëkundur në besimin e tij,
duke e pritur vdekjen si një shenjtor. Refuzoi të kërkonte falje apo të
lëshonte deklarata të diktuara nga pushteti i ri. Përballë armëve të egërsisë,
ai zgjodhi të jetë simbol i forcës shpirtërore dhe i pastërtisë morale.
Sot,
figura e Atë Anton Harapit vazhdon të jetë një frymëzim për të gjithë ata që e
çmojnë lirinë, dinjitetin dhe besimin. Ai nuk ishte një martir vetëm për Kishën,
por për të gjithë ata që besojnë te e vërteta dhe drejtësia. Fjala e tij mbetet
një udhërrëfyes, një dritë që ndriçon edhe në kohërat më të errëta.