| E merkure, 10.08.2005, 08:49 PM |
Thesare të paprekshme nënujore që përmbajnë një pjesë të historisë dhe të tragjedisë njerëzore
![]() |
Titanik ne filmin me te njejtin titull |
Titaniku ishte anija e dytë e një trioje që kishte si qëllim dominimin e udhëtimeve transatlantike. Ajo ishte në pronësi të linjës White Star dhe u ndërtua në Irlandë. Në atë kohë Titaniku ishte anija më e madhe e pasagjerëve në botë. Gjatë udhëtimit të parë dhe të vetëm Titaniku u përplas me një ajsberg, më 14 prill 1912, dhe u mbyt pas dy orë e 40 minutash. Më shumë se 1500 persona vdiqën në anijen që përmbante teknologjinë më të përparuar dhe konsiderohej si pa të meta. Furia e medias rreth viktimave të famshme të Titanikut, legjendat e asaj që ndodhi në bordin e anijes, ndryshimet e ligjit të detit, si dhe zbulimi i mbetjeve të anijes nën det më 1985 nga Robert Ballard, e kanë bërë Titanikun të famshëm që nga ajo kohë.
Bismark ishte një anije luftarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bismarku u nis drejt misionit të tij të parë dhe të fundit më 18 maj 1941. Përleshja ishte e fortë midis saj dhe anijes angleze Hud e cila gjatë goditjeve u nda në dy pjesë dhe shkaktoi vdekjen e 1418 personave të ekuipazhit. Britanikët, të vendosur për të marrë hak, u vunë në ndjekje të anijes Bismark, e sulmuar nga dhjetëra anije u mbyt më 27 maj 1941. Këto beteja shënuan një numër prej 2200 të vdekurish. Mbetjet e Bismarkut u zbuluan në oqeanin Atlantik, më 8 qershor 1989, nga Robert Ballard, një arkeolog i marinës, e përgjegjës për gjetjen e mbetjeve të Titanikut. Bismark sot gjendet në thellësinë 4700 metra nën det, rreth 650 kilometra në perëndim të Brestit në Francë.
Britanik ishte anija e tretë e klasit olimpik, motër e anijes Titanik dhe pësoi të njëjtin fat. Më 21 nëntor 1916, gjatë një udhëtimi drejt Greqisë anija u përmbyt si pasojë e një shpërthimi. Pas tragjedisë së Titanikut tashmë ishin marrë masat, dhe varkat e shpëtimit që ndodheshin në bord arritën të shpëtonin jetën e pothuajse 1300 njerëzve që gjendeshin në bord. Vetëm 30 prej tyre humbën jetën si pasojë e këtij aksidenti. Sot mbetjet e anijes Britanik qëndrojnë të ruajtura më mirë se ato të çdo anijeje tjetër, qindra metra nën bregun e Greqisë. Ajo u zbulua për herë të parë më 1970, por meqenëse konsiderohet si një varrezë lufte, çdo ekspeditë për eksplorimin e saj duhet të marrë aprovimin e qeverisë britanike dhe të asaj greke.
Viktoria ishte një nga anijet e Marinës Mbretërore Britanike në shekullin e 19-të. Ajo u mbyt gjatë disa manovrimeve në det, në qershor të vitit 1893, duke marrë me vete në fund të detit Mesdhe edhe 358 pjesëtarë të ekuipazhit me saj. Pati vetëm një të mbijetuar. Mbetjet e anijes u zbuluan në shtator të vitit 2004, 140 metra nën det. E veçanta e Viktorias lidhet me faktin që mbetjet e saj qëndrojnë vertikalisht, me kiçin e anijes dhe tre të katërtat e gjatësisë së saj ndodhen të groposura në rërë. Ndërsa pjesa tjetër qëndron lart si një shtyllë drejt sipërfaqes. Sot gjendet një memorial për ekuipazhin e mbytur të anijes në Victoria Park, Portsmouth.
M/S Estonia ishte një anije pasagjerësh dhe makinash, e ndërtuar më 1979 në Gjermani. Anija shërbente si një transportuese midis Finlandës dhe Suedisë. Gjatë një udhëtimi rutinë nga Talini në Stokholm, më 28 shtator 1994, anija u mbyt në detin Baltik duke marrë jetën e 852 personave. Pas kësaj tragjedie të afërmit e të mbyturve kërkuan nxjerrjen e trupave, në mënyrë që ata të varroseshin denjësisht. Gjithashtu u kërkua edhe nxjerrja e të gjithë anijes që të hetoheshin shkaqet e mbytjes. Por vështirësitë ishin aq të mëdha sa nëpërmjet një marrëveshjeje midis gjashtë shteteve fqinjë të Evropës Verilindore më 1995 u deklarua paprekshmëria e kësaj varreze nënujore, duke i ndaluar kategorikisht qytetarët dhe ekipet e zbulimit që të afrohen.
Lusitania ishte një anije oqeanike britanike e cila u ndërtua për të konkurruar me linjën e shpejtë gjermane të asaj kohe. Anija u sulmua nga një nëndetëse gjermane më 7 maj 1915 gjatë udhëtimit të saj të 202-të nëpër Atlantik. Ky incident luajti rol në përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore.
Një vit pas përmbytjes u deklarua se në këtë katastrofë kishin humbur jetën 1195 persona dhe 764 arritën të mbijetonin nëpërmjet varkave të shpëtimit. Ekspeditat e para për zbulimin e mbetjeve të Lusitanias u bënë nga një amerikan në vitet ’60. Por në vitet 1990, njeriu që gjeti Titanikun, Robert Ballard, përdori për herë të parë teknika më të sofistikuara për ta vëzhguar më imtësisht varrezën britanike, e cila gjendet sot në oqeanin Atlantik.