| E merkure, 19.02.2025, 07:51 PM |
TESTAMENTE TË TRADHTUARA TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË
(Mbi
veprën studimore “Aftësia vetërregulluese e tekstit autentik” të Natasha
Lushajt, “Neraida” 2024 )
Nga
Agron TUFA
Një
bërthamë të hershme të këtij studimi që tani titullhet “Aftësia vetërregulluese
e tekstit autentik” e kam njohur që në shtator të vitit 2004. Studiuesja
Natasha Lushaj, - një autore e altertekstesh kurrikulare të letërsisë për
gjimnazet, me përvojë të gjatë mësimëdhënieje në shkollat e mesme dhe
universitet, e pati sjellë bërthamën e këtij studimi në redaksinë e të
përjavshmes letrare “Fjala” dhe se, sprova e parë e këtij studimi, u botua me
vijime me titullin e redaksisë “A është i Petro Markos romani Një emër në katër
rrugë?” Mbaj mend mirë se ishte e shqetësuar, se presionet dhe shantazhet, në
lidhje me artikujt e saj kontestues mbi falsifikimet në tekstin e romanit të
Petro Markos, i ishin përcjellë studiueses që kishte guxuar. Por
rrethkonkretësisë së këtyre presioneve ajo nuk më foli asokohe, pavarësisht se
unë e ndjeja mjaftueshëm ndikimin e tyre mbi studiuesen, për të cilën kisha një
respekt të pastër nisur nga recensionet e saj letrare në shtyp.
Shqetësimi,
apo më mirë alarmi i mprehtë që ngrinte asokohe studiuesja ishte një
paralajmërim profetik, ndonëse prej Kasandre, mbi “kulturën e falsit”, siç e ka
përkufizuar me të drejtë autorja e studimit. Bëhej fjalë për ndërhyrje të rënda
(interpolime) që cënojnë e tjetërsojnë strukturat artistike të tekstit të një
vepre letrare postem (pas vdekjes së autorit), duke sjellë kësisoj një
shpërfytyrim të plotë rrënimtar semantik e estetik të veprës (sidomos me
trafikimin e simbolikave, heqjeve rreth 100 faqe tekst, ndryshimit të vetës
rrëfyese nga unë në ai, etj., etj). Natasha Lushaj e kishte konstatuar dhe
fiksuar këtë ndërhyrje, manipulimin dhe falsifikimin e pasardhësve të
shkrimtarit Petro Marko mbi romanin e tij “Një emër në katër rrugë” (1973) të
botuar e të ndaluar nga cenzuara totalitare komuniste që në shtypshkronjë, pavarësisht 500 kopjeve të shpëtuara e të shpërndara
ilegalisht.
Studimi
i tashëm është një thellim i skajshëm i asaj bërthame shqetësuese të shtatorit
2004 të botuar me vijime tek “Fjala” dhe, le ta pranoj sinqerisht e me zemër të
lehtë: për mua ka qenë një e papritur e këndshme leximi i këtij libri në
dorëshkrim, si një studim i rrallë filologjik ndër ne. Pse? Sepse studimi vë gishtin mbi një plagë të
rëndë, të vjetër, ende pa shërim, siç është kultura e manipulimit, ndërhyrjes
së “dorës së huaj” në shenjtërinë e dorëshkrimeve të autorëve, të cilët tashmë
kanë ndërruar jetë. Këtë kulturë mund ta
përfshinim metaforikisht me një titull të huazuar nga Milan Kundera:
“Testamente të tradhëtuara” (por, në kuptimin e drejtpërdrejtë, jo si tek
Kundera).
Do
të kishte qenë e padrejtë të kufizoheshim vetëm me këtë dramë apo tragjedi, të
konstatuar e të vërtetuar bindshëm në repertorin e veprave, teksteve e
dorëshkrimeve të autorëve të letësisë shqipe si gjatë, ashtu dhe pas rënies së
diktaturës komuniste; studimi i tashëm përfshin, natyrisht, edhe praktika,
mendësi apo koniuktura që punojnë njësoj si dikur duke e dëmtuar veprën pas
vdekjes së autorit, mu sikur shpirti përndjekës i cenzurës komuniste të
mbijetonte përmes një inercie totalitare edhe sot. Por ajo që e bën tejet të
çmuar studimin e përfunduar është shtrimi i çështjeve konkrete në një rrafsh
serioz e të kthjellët teorik, artikulimi filologjik në trajtimin e dukurisë,
përmes një instrumentari të pasur e elastik të terminologjisë dhe nocioneve, me
të cilat kanë operuar traditat e teorive klasike, moderne e postmoderne. Gjithë peshën e nocioneve elaboruese
filologjike mbi tekstin autentik apo të falsifikuar, studiuesja Natasha Lushaj
ia ngarkon një triade të qëndrueshme terminologjike: arketip – neoarketip –
tekst fals. Dy të parat lidhen kryesisht me botimet dhe vullnetin e autorit për
sa ky është gjallë, respektivisht me botimin dhe ribotimin e
përmirësuar/rishikuar, ndërsa teksti fals përfshin në dyshimin e vet filologjik
çdo vepër të botuar pas vdekjes së autorit. Për dy rastet e para
(arketip-neoarketip), studiuesja sjell një shembull konkret, të përimëtuar mirë
sipas metodës së analizës krahasuese mbi botimin dhe ribotimin e romanit të I.
Kadaresë “Kështjella” (1970) dhe “Daullet e shiut” (Onufri 2003) duke e nxjerrë
arketipin e romanit “Kështjella” nga një rreth i ngushtë simboliko-alegorik me
konotacionet ideologjike të aktualitetit politik të asokohe - në një erashkë më
të gjerë të strukturës siboliko-alegorike
në neoarketipin (ribotimin) e vitit 2003. Tashmë kemi të bëjmë me një
“projekt të ri narrativ”, me një tekst me “autenticitet të ri”, ku dominant
është neoarketipi i qiellit (mbi Kështjellën e rrethuar), i rikompozuar si një
“model universal ringjalljeje”.
Shembulli
gjerësisht i demonstruar në studim është ai i tekstit fals mbi “botimin” gjoja
autentik të romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë”; kuptohet,
trashëgimtarët e shkrimtarit e botojnë romanin pas vdekjes së autorit: vepra,
tashmë e botuar një herë me 1973 me vullnetin e autorit, ndonëse e ndaluar në
shtypshkronjë, përbën flagrancën e dëshmuar të ndërhyrjes tjetërsuese të “dorës
së huaj”. Studiuesja është bindëse në shtrimin, shtjellimin, hulumtimin dhe
analizën e fakteve përmes aparatit të palëkundshëm teorik, sjell një pasuri
marramendëse e shokuese faktesh e flagrancash, saqë, herë-herë, të ngjan me
punën e paepur të një “dedektivi filologjik”, për të përg[njeshtruar shtresën e
alibive dhe gënjeshtrave, deri në deshifrimin e plotë të aktit kriminal mbi
tekstin.
Rëndësia
e studimit, përpos vlerës së padyshimtë teorike, që përcakton
vërtetësinë/falsitetin e një teksti apo vepre letrare dhe e vendos
autenticitetin në shina të sigurta filologjike, ka një vlerë shumë të madhe për
vetë repertorin e letërsisë sonë kombëtare të traditës dhe modernitetit, shpesh
të manipuluar qëllimshëm, për shkaqe ideologjike apo merkantile. Ciladoqoftë
ndërhyrja, cilidoqoftë qëllimi, rezultatit është po njëlloj vrastar: viktimë
është letërsia shqipe – testamenti autorial tradhtohet.
Ky
studim, me karakteristikë monografike, rreth kulturës së falsifikimit në
repertorin tonë letrar, ashtu siç dëshmon studiuesja Natash Lushaj, e merr
zanafillën që nga tekstet e Rilindjes Kombëtare, thellohet përbindshëm në vitet
e diktaturës komuniste dhe vazhdon paradoksalisht, po njëlloj, edhe në ditët
tona. Studimi pra, i “blinduar” teorikisht, ka gjithshtu vlerën e një gjesti të
pallogaritshëm edhe si ndërgjegjje shkencore intelektuale, si moral qytetar,
diktuar nga dashuria për letërsinë shqipe dhe alergjia ndaj gënjeshtrës.
Studimi ka vlerën e një apeli që lëshon studiuesja mbi masakrimet që janë bërë
e bëhen mbi repertorin tonë letrar, pavarësisht nëse shkaqet dhe qëllimet janë
ideologjike apo përfituese: teksti duhet të mbetet sakral dhe të ketë bekimin e
autorit. Jashtë kësaj të vërtete do të kemi gjithmonë dyer të hapura për çdo
arbitraritet.
Një
studim i tillë i guximshëm dhe novator, që prek plagë e sëmundje, prejt të
cilave mund të shpërfytyrohet letërsia e vërtetë, mund të shpërfillet vullneti
i çdo testamenti autorial dhe të sundojë “Sodoma” e kulturës së falsit, ka qenë dëshpërimisht i nevojshëm dhe
dëshpërimisht i munguar në studimet tona. Shpresoj dhe jam i bindur
paraprakisht, se me botimin e këtij studimi do të hapet një seri e pasosur
hulumtimesh nga filologë të rinj, pasi shtresa e falsifikimeve të vjetra është
trashur me manipulime të reja. Mjafton të çosh ndërmend botimet e
veprave/kryeveprave botërore, të përkthyera (por dhe vepra origjinale) së pari
në gegnishten letrare, e mandej, të ribotuar pas vitit 1972 në gjuhën e
njësuar, sikundër botimet e treta e të katërta pas viteve 1990, tashmë nga
trashëgimtarët, pas vdekjes së përkthyesve. Mandej falsifikimet e tjetërsimet e
sotme mbi autorë dhe përkthyes që nuk janë gjallë (rasti i tjetërsimit nga botimi
i tekstit përkthimor të “Faustit” të Gëtes nga sh.b “Argeta”). Rastet janë të
pafundme dhe, për gjithë këtë ndërmarrje të madhe filologjike të së ardhmes,
për gjithë këtë punë të madhe “sanitare” në universin e repertorit tonë letrar,
mendoj se ky studim i shkëlqyer i studiues Natasha Lushaj do të shërbejë
pashmangësisht si model dhe pikënisje.