| E marte, 18.02.2025, 07:52 PM |
80-vjetori/Si nisi qëndresa e popullit të malësisë ndaj terrorit komunist
Nga
Kastriot Dervishi
Më
10.1.1945 afër kishës së Kastratit u zhvilluan luftime midis komunistëve e
malësorëve vendas. Këtu nisi në fakt kryengritja që përfundoi me arrestimin e
Prek Calit më 16 shkurt 1945.
Disa
ditë më vonë, më 13.1.1945 në Kalcë u mbajt kuvendi i burrave të Kelmendit i
kryesuar nga Prek Cali. Teksa po diskutohej çfarë duhej të bënin përballë
rrezikut që i kanosej prej komunistëve, një gjyle e partizanëve ra afër vendit
ku po bëhej kuvendi. Kjo gjyle dhe të tjerat pas saj, vulosën vendimin e
malësorëve se qëndresa ndaj komunistëve ishte e pashmangshme.
Forcat
e Batalionit të 1-rë me një eufori të pazakontë u nisën drejt veriut me
dëshirën për t’i dhënë një ndëshkim të mirë banorëve të Kelmendit që normalisht
e urrenin komunizmin.
Në
afërsi të urës së Tamarës forcat komuniste hasën në qëndresën e banorëve. U
zhvilluan luftime për rreth 10 orë, nga ora 6.00 deri në orën 16.00. Në
përfundim u vranë 13 partizanë, me 2 vdiqën nga i ftohti, ndërsa mbeturinat e
batalionit kaluan në Jugosllavi te aleatët e vet.