Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fjalimi i themeluesit të Kujto.al Agron Shehaj gjatë premierës së Dokumentar; Kufiri i kuq - Të huaj mes t’vetëve!

| E hene, 17.02.2025, 07:54 PM |


“Sot jemi mbledhur për të kujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë sonë kombëtare: persekutimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Nga ditët e para të pushtetit komunist, regjimi i Tiranës u bë një aleat i verbër i Jugosllavisë së Titos, duke tradhtuar interesin kombëtar dhe duke kthyer Shqipërinë në një kurth vdekjeprurës për vëllezërit tanë nga Kosova. Masakra e Tivarit, ku rreth 5 mijë shqiptarë të pafajshëm u masakruan barbarisht, ishte vetëm fillimi i një kalvari të gjatë dhune dhe tradhtie.

Mijëra shqiptarë që i shpëtuan persekutimit serb dhe kaluan kufirin në kërkim të sigurisë në atdheun e tyre, u kapën, u burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist shqiptar. Faji i tyre i vetëm ishte që ishin shqiptarë të Kosovës dhe nuk pranonin ta shihnin vendin e tyre të ndarë.

Për gjysmë shekulli, shqiptarët e Kosovës u gjendën mes dy zjarresh: nga njëra anë represioni dhe dhuna serbe, dhe nga ana tjetër, tradhtia dhe përndjekja e Tiranës zyrtare. Ata që guxuan të ëndërronin bashkimin kombëtar, u ndëshkuan me burgje, tortura dhe ekzekutime. Nuk u kursyen as patriotët, as shkrimtarët, as mendimtarët që me fjalën dhe veprën e tyre mbajtën gjallë shpirtin kombëtar.

Sot, dokumentari “Kufiri i Kuq” i Admirina Peçit sjell një dëshmi tronditëse për dhunën e pashembullt ndaj njerëzve të artit dhe mendimit, të cilët kërkuan vetëm strehim dhe siguri në Shqipëri, por u përballën me persekutim.

Fatkeqësisht, ende sot, shteti shqiptar nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e saktë të shqiptarëve të Kosovës që u përndoqën nga regjimi komunist. Megjithatë, hulumtimet e deritanishme tregojnë se ky numër është në mijëra.

Fondacioni “Kujto” ka bërë një punë të çmuar në hapjen e arkivave dhe dokumentimin e kësaj tragjedie kombëtare. Vetëm duke u përballur me të kaluarën, mund të sigurojmë që këto krime të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten më.

Historia nuk duhet të harrohet!

Është detyra jonë t’ua tregojmë brezave të ardhshëm të vërtetën, për të siguruar që kombi ynë të mos jetë më kurrë viktimë e tiranisë dhe tradhtisë.

Lavdi dhe nderim martirëve shqiptarë të Kosovës!

14 Shkurt, Prishtinë